STRASBURG – Kallas: Rusia të largohet nga lufta, të kthehet në tryezën e negociatave

STRASBURG. 9 shtator /ATSH-AA/ – Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, i bëri thirrje sot Rusisë të braktisë luftën në Ukrainë dhe të kthehet në tryezën e negociatave, duke theksuar se perëndimi është i bashkuar në ofrimin e garancive të sigurisë për Kievin.
Duke folur në seancën e parë plenare të Parlamentit Evropian pas pushimeve verore, Kallas tha se presidenti rus Vladimir Putin “nuk ka asnjë interes për paqe dhe nuk do ta ndalë luftën derisa të detyrohet”.
Ajo theksoi se BE-ja dhe vendet anëtare kanë dhënë gati 169 miliardë euro mbështetje financiare për Ukrainën që nga fillimi i luftës në vitin 2022, përfshirë mbi 63 miliardë euro ndihmë ushtarake.
“Vetëm këtë vit, vendet anëtare do të ofrojnë më shumë se kurrë, 25 miliardë euro. Deri tani, ata kanë dorëzuar 80% të objektivit tonë prej 2 milionë predhash artilerie. Deri në tetor synojmë të arrijmë 100%,” tha ajo.
Kallas nënvizoi se aleatët perëndimorë janë të unifikuar në angazhimet afatgjata të sigurisë.
“Perëndimi është i bashkuar në ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën. Tashmë ka zotime serioze në tryezë nga ‘koalicioni i të vullnetshmëve’“, tha ajo.
Ajo kujtoi se më 4 shtator, një ditë pas takimit të koalicionit në Paris, Putin kërcënoi me sulme ndaj çdo pranie perëndimore në terren, përfshirë paqeruajtësit.
“Ky përbën një përshkallëzim serioz nga Rusia dhe minon drejtpërdrejt sigurinë evropiane”, paralajmëroi Kallas.
“Mesazhi ynë për Rusinë është i thjeshtë: kjo luftë nuk është e fitueshme. Largohuni nga fusha e betejës dhe ejani në tryezë me Ukrainën”, theksoi ajo.
Duke iu referuar aspiratave evropiane të Ukrainës, Kallas u bëri thirrje vendeve anëtare të avancojnë bisedimet e anëtarësimit.
“Ukraina ka bërë tashmë përparime të rëndësishme në reforma pavarësisht luftës.Është koha të fillojnë negociatat”, përfundoi ajo /Ad.Ab./.