E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

STRASBURG – Komisioni Evropian vlerëson buxhetin dhe planet e shpenzimeve të vendeve anëtare të BE-së

STRASBURG, 26 nëntor /ATSH-DPA/- Komisioni Evropian vlerësoi sot buxhetin dhe planet e shpenzimeve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Vendet e BE-së janë të detyruara të ruajnë deficitin e tyre nën 3% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) dhe borxhin e tyre nën 60% të PBB-së.

Anëtarët më të pasur të bllokut, duke përfshirë Gjermaninë, Austrinë dhe Holandën, janë tradicionalisht mbrojtës të zjarrtë të kufijve të rreptë të shpenzimeve, krahasuar me vendet anëtare më pak të pasura.

Rimëkëmbja e ngadaltë nga rënia ekonomike e pandemisë së Covid-19 dhe lufta e Rusisë kundër Ukrainës, megjithatë, i bën vendet të luftojnë për t’i mbajtur shpenzimet e tyre të ulëta.

“Shpenzimet kumulative të Berlinit pritet të tejkalojnë kufijtë e lejuar”, tha komisioni.

Qeveria e koalicionit tripartiak të Gjermanisë, së fundmi u rrëzua për shkak të mosmarrëveshjeve se si të trajtoheshin problemet ekonomike të vendit.

“Komisioni bëri thirrje për të ashtuquajturën procedurë të deficitit të tepërt kundër Austrisë, pasi Vjena raportoi një deficit mbi 3% në 2024, i cili nuk do të bjerë nën pragun në 2025 dhe 2026 pa ndryshime të politikave”, sipas vlerësimit.

Vendet nën një procedurë të deficitit të tepruar monitorohen nga afër nga komisioni, ndërkohë që i ripërafrojnë shpenzimet e tyre me ligjin e BE-së.

Edhe buxheti i Holandës për vitin 2025 ka marrë vlerësim negativ lidhur me shpenzimet e parashikuara nga komisioni për të kaluar kufirin.

Vlerësimi i buxhetit vjen pasi rregullat e borxhit dhe deficitit të bllokut u reformuan në fillim të këtij viti.

Krahas projektbuxhetit vjetor, vendet anëtare tani duhet t’i paraqesin komisionit plane shpenzimesh shumëvjeçare me synimin për t’i bërë ekonomitë evropiane më të fuqishme dhe financat publike më të qëndrueshme. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›