E Diel, 1 Nëntor 2026

SVP-ja kërkon të hiqet skulptura e Sislej Xhafës nga Cyrihu

Vepra e skulpturës së artistit të njohur kosovar, Sislej Xhafa, që është bërë sinonim në lagjen “Hardau” të Cyrihut dhe që tashmë është njëri nga objektet më impozant e dominues në këtë rrethinë, ende pa e bërë një vit ka filluar të bëhet pengesë për SVP-në.

SVP-ja e Cyrihut kërkon prishjen e skulpturës “Y” të Sislej Xhafes në Hardau.

"Kjo skulpturë, në trajtën e shkronjës Y nuk ka përmbushur misionin e saj origjinal dhe nuk do të vazhdojë të shërbejë si një luhatëse", tha këshilltari komunal i SVP-së, Mauro Tuena për “Tagesanzeiger”, transmeton albinfo.

Politikani i SVP-së, bashkë me kolegun i tij partiak, Bruno Sidler, javën e kaluar në një takim të komisionit i kanë kërkuar këshilltares së qytetit të Cyrihut, Ruth Genner, që ta heqin "eksperimentin Y", siç e quan SVP-ja.

Sipas kësaj partie, koha dhe shpenzimet nga modifikimet dhe riparimet në këtë objekt arti janë të papërballueshme për qytetin e Cyrihut, shtojnë në SVP.

Nëse një kërkesë e tillë nuk pranohet, atëherë SVP-ja do të iniciojë një mocion parlamentar. "Për fëmijët dhe të rinjtë që luajnë në park, luhatja paraqet një rrezik", tha Tuena.

Nga ana tjetër, heqja e skulpturës nuk është opsion për momentin, tha Mike Sgier, një zëdhënës i qytetit të Cyrihut.

"Nuk shohim asnjë arsye për ta hequr skulpturën Y". Për këtë vepër arti nuk është ankuar askush nga qytetarët. Përkundrazi, me të vërtetë duan që skulptura të mbetet në lagjet e tyre. Ne nuk dëshirojmë të heqim skulpturën Y, tha Sgier.

Ai ka marrë edhe reagimet e shqiptarëve të Kosovës nga Cyrihu. Ata janë krenarë që Y është vepër e artistit Sislej Xhafa.

"Ky nuk është një projekt i dështuar”, shton Sgier.

Gjithashtu për akuzat rreth shpenzimeve, zyrtari i qytetit të Cyrihut ka një përgjigje për SVP-në.

“Vështirësitë që kemi pasur në fillim me skulpturën Y kanë qenë normale. Për të gjitha prishjet ka garantuar që i mbulon pjesërisht firma Nüssli", tha ai.

Skulptura e artistit kosovar në Cyrih është riparuar shpesh nga dëmtimet që i janë bërë këtij objekti 15 metra të lartë. 395 mijë franga ka kushtuar projekti i skulpturës.

Skulptura e Xhafës është përuruar më 23 shtator 2011, në parkun Hardau të qytetit të Cyrihut. Kjo skulpturë, në trajtën e shkronjës Y qe zgjedhur më e mira në një konkurs që pati shpallur Komuna e Cyrihut para dy vjetësh.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›