E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa “Më afër”, aq më larg

Një dramë moderne dhe e guximshme e cila depërton në jetësimin e realitetit pa e shtrembëruar, e që për të vënë në pah këtë realitet kombinon dhe takon jetët e disa çifteve me ambicie dhe profesione të ndryshme, prej të cilëve vinë në shprehje hakmarrja, urrejtja, vetmia, “dashuria” e çmendur siç dinë të jetë, e që të gjitha këto shprehen, ngaqë personazhet vuajnë për të thënë të vërtetën, edhe po pësuan nga ajo.

Është kjo një dramë e Patrick Marber, “Më afër” (Closer), e cila u jetësua në Teatrin Kombëtar, premierë, të hënën mbrëma, me regjinë e Kushtrim Koliqit, i cili personifikoi personazhet e dramës me Dan (Besart Sllamniku), Alis (Gresa Pallaska), Ana (Arta Selimi), Larri (Astrit Kabashi).

Nëpërmjet tekstit “Me afër” (Closer), por e kombinuar me lojën e aktorëve, na paraqiten emocione të forta dhe të çuditshme herë-herë të cilat pa dyshim përbëjnë eksperiencat personale të çdo njeriu. Në këtë tekst dashuria apo lidhja seksuale përcillet nga një personazh në një tjetër dhe anasjelltas.

“Është shfaqje që i tejkalon konventat edhe formalitetet e inskenimeve teatrore në Kosovë. Nëse hymë në detaje për ritëm mund të diskutohet por është shfaqje e guximshme me një tekst të guximshëm por edhe inskenim të guximshëm”, tha Arian Krasniqi, dramaturg.

Jo më pak e vlerësuar shfaqja ishte edhe nga Jeton Neziraj.

“E njoh më herët këtë tekst, mendoj që është shfaqje që meriton të ketë publik dhe do të duhej të kishte publik. Kushtrimi ka bërë një punë interesante dhe mendoj që ka dëshmuar që i takon brezit të regjisorëve që po vinë me hapa të sigurt”, tha Neziraj, dramaturg.

Ndoshta më e diskutuara ishte loja e aktorëve, e cila u cilësua si shumë e guximshme dhe me vlera.

“Përgëzoj aktorët për interpretimin e guximshëm të këtyre karaktereve me theks të veçantë aktoren Gresa Pallaska, uroj që kjo shfaqje të pritet në mënyrë të sinqertë nga publiku, pa ndonjë keqkuptim”, tha Krasniqi.

“Kam përshtypje shumë të mira për shfaqjen posaçërisht për lojën e aktorëve me theks të veçantë lojën e Gresës dhe gjithsesi të Astritit”, u shpreh Neziraj.

U diskutua shumë, çështja e guximit të aktorëve, ndoshta pse pak jemi mësuar të shohim një tekst të inskenuar të llojit të tillë, me sharje ose edhe fjalë banale.

“Ato fjalë dëgjohen për çdo ditë, në skenë ndoshta jemi mësuar më pak ti dëgjojmë, ndërsa unë e kam parë edhe filmin, në film janë edhe më të vrazhda. Ka qenë tekst që e ka shkruar autori, por jemi munduar ti motivojmë ato fjalë, nuk është përdorur ajo gjuhë për ta bërë shfaqjen më komike por të kanë qenë të motivuara, edhe nëse ka pasur të shara ose fjalë të pista”, shprehet Astrit Kabashi, aktori i shfaqjes.

Sipas Nezirajt kostumet kanë qenë të shkëlqyeshme, ndërsa skenografia ka pasur ngecje, kjo sipas tij ndoshta pak e ka lënë regjisurën, realisht realizimin e mizanskenës pak zbehtë. “Megjithatë, krejt kjo është shumë pak e rëndësishme karshi shfaqjes në tërësi, ka bërë shumë punë të mirë Kushtrimi në punën me aktor, dhe kjo është e rëndësishme”, tha Neziraj.

Kostumet dhe skenografia janë bërë nga Njomza Luci , muzika nga Trimor Dhomi.

Shfaqja vazhdon reprizat në TKK, edhe sot në orën 20:00. Pas disa aktivitete tjera, edhe më datë 31 mars.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›