E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tetë shtete në “Monoakt”

Njëri nga festivalet e vetme në Kosovë të anëtarësuara në rrejt ndërkombëtar, Festivali i Monodramës “Monoakt”, po bën përgatitjet për të vazhduar traditën me edicionin e dytë të saj.

Prezantimi i kulturës sonë në një garë ndërkombëtare është më se i nevojashëm, për zhvillimin e artit skenik në Kosovë. Gjithashtu pjesëmarrja nga këtu në arenën ndërkombëtare si dhe prezantimi i kulturës sonë para kulturave tjera e ka rëndësinë e veçantë pa dyshim.

“Anëtarësimi në rrjetin ndërkombëtar i këtij festivali në mes festivaleve tjera në botë, e ka rëndësinë etike, pasi që është nivelizuar edhe me festivalet më të mëdha të monodramave në botë. Vetë fakti i pjesëmarrjes së tri kontinenteve në Kosovë, njohjen e tyre me artin skenik dhe me vetë Kosovën është një nga vlerat me të veçanta”, shprehet Mentor Zymberaj themelues dhe drejtues i festivalit.

Për t’u prezantuar mirë gjithashtu edhe për të pritur mysafirë nga vendet e ndryshme, duhet kujdes i veçantë, që kushton. Sado që ky festival është i mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Komuna e Pejës, udhëheqësija e festivalit sipas Zymberajt është duke bërë të pamundurën që të mundësojë jetësimin e këtij festivali.

“Ardhja e shumë shteteve, madje edhe e atyre që nuk e kanë pranuar Kosovën, në një konkurrence shumë të madhe kërkon hapësirë dhe mundësi të bashkëpunimit me të gjitha institucionet dhe kompanitë të cilat e mundësojnë realizimin e këtij festivali”, tha Zymberaj.

Ky festival ka për qëllim trajtimin e një gjinie shumë të veçantë në artin skenik, siç është monodrama.

“Monodrama tek ne nuk është dhe aq shumë e akcentuar në raport me vendet tjera të botës, bashkëpunimi me skena të ndryshme ndërkombëtare si gjithmonë sjell vlerë, risi, koncept. Kjo traditë duhet të ruhet me fanatizëm për shkak të interesit të vlerave te artit dhe kulturës të cilat kanë nevojë për tu dëshmuar”, thotë Zymberaj.

Në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës “Monoakt” këtë vit marrin pjesë nëntë shfaqje nga tetë shtete të ndryshme të botës: Australi, Poloni, Gjermania, Zvicra, Maqedonia, Ukraina, Shqipëria dhe dy shfaqje të Kosovës. Monodrama e Selman Lokës dhe shfaqja mysafire “Një përkujtim në kafe teatër” e Haqif Mulliqit.

Përveç pjesëmarrësve të shteteve, do të jenë mysafir edhe drejtorët e festivaleve të ndryshme nga vendet e ndryshme të botës, po ashtu në këtë festival do të jenë edhe anëtar nga asociacioni ndërkombëtar i monodramave.

E reja në këtë edicion është edhe minifestivali i “Monopërformancave” për aktor të rijnë gjegjësisht student të artit dramatik në fakultetin e arteve në Prishtinë.

Këtë vit qendrat që do të kenë rastin të marrin pjesë drejtpërdrejt në festival janë Peja, që njëherit është qyteti nikoqir, Prizreni, Istogu si dhe qendra tjera të vogla të cilat do të vizitohen në kuadër të këtij festivali.

Juria profesionale përbëhet nga tre anëtar të jurisë: Ukraina, Belgjika dhe Kosova.
Ky festival përveç karakterit garues ka edhe karakterin e vizitës së vendit nikoqir të monumenteve historike, kulturore të trashëgimisë etj.

Festivali do të ketë këto çmime: shfaqja më e mirë, aktori më i mirë, aktorja më e mirë dhe çmimi special. Këto çmime do të ndahen nga juria profesionale, nga festivali i Monodramës “Monoakt”.

Gjithashtu do të jetë edhe çmimi i gazetarëve dhe monostripi më i mirë, i cili ndahet nga juria profesionale dhe përfaqësues të Fakultetit të Arteve të Prishtinës.

Festivali do të fillojë në Pejë me datë 17 - 22 prill; hapet me shfaqjen mysafire “Një përkujtim në kafe teatër” e Haqif Mulliqit, e teatrit “Dodona”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›