E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një spiun në Bundestag

Për vite me radhe, Departamenti në Berlin i Zyrës federative për mbrojtjen e kushtetutës (Shërbimit të brendshëm informativ gjerman) ka punuar së bashku me një referent të një deputeti socialdemokrat të parlamentit të Gjermanisë, Bundestag.

Spiuni ka pasur mundësi që të shtijë në dorë edhe dokumente sekrete të Komisionit për Mbrojtjen të Parlamentit, njoftoi e përditshmja gjermane "Berliner Zeitung".

Bashkëpunëtori shkencor i ish-deputetit socialdemokrat nga Saksonia, Andreas Weigel, ka pasur një kontratë pune edhe më shërbimin informativ dhe ka kryer për ta detyrat e ngarkuara.

Bashkëpunimi ka zgjatur nga viti 2003 deri në vitin 2005. Burimet konkrete se prej nga a ka marrë informacionin, gazeta nuk i ka bërë të ditura.

Zyra për mbrojtjen e Kushtetutës (Shërbimit të brendshëm informativ të vendit) nuk donte të fliste për rastin në fjalë. Por, sipas informacioneve të gazetës ish- deputeti Weigel, ka pranuar se ka pasur dijeni për funksionin e dyfishtë të punonjësit të tij.

Megjithatë nuk ia ka bërë këtë të ditur shefit të fraksionit dhe administratës së parlamentit.

"Ai më ka ndihmuar shumë në punën time, përgatiste për mua fjalimet dhe bënte kërkime informacionesh," thotë Weigel duke vlerësuar punën e ish-referentit të tij. Weigel ka qenë deputet i socialdemokratëve në Parlamentin gjerman nga viti 2002 deri në vitin 2009.

Delikat është rasti edhe për faktin Weigel ka qenë edhe anëtar i Komisionit për Mbrojtjen të Bundestagut. Prandaj punonjësi i tij ka pasur mundësi të shohë edhe dokumentet e fshehta të këtij organi, thuhet në artikullin e gazetës.

Weigel mbahet si ekspert i luftës kundër islamizmit dhe terrorizmit dhe ka marrë pjesë edhe në Konferencën e Sigurisë në Munich. Ai tha për gazetën se Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës (Shërbimi informativ i brendshëm) i ka thënë se është i detyruar që të mos flasë. Ata kanë qenë të interesuar "për dijet e mia metodike në studimin e terrorizmit".

Sipas gazetës, shefi i personelit që merret me ekstremizmin në Zyrën për Mbrojtjen e Kushtetutës i ka kërkuar bashkëpunim ish-referentit të Weigelit. Ai ka qenë në dijeni për punën e tij në Parlament.

Deputeti i Partisë së Gjelbër, Christian Strobele tha se në këtë mënyrë "mund të krijohet një dëmtim i madh i besimit", nëse qytetarët mendojnë se ekziston mundësia që një punonjës i shërbimeve të fshehta mund të veprojë në zyrën e një parlamentari.

Edhe ekspertët e shohin këtë rast me sy kritikë.

"Si Zyra për mbrojtjen e Kushtetutës, ashtu edhe BND (Shërbimi informativ federal) ashtu edhe MAD (Shërbimi informativ ushtarak) kanë si praktikë që të mos kërkojnë burime informacioni në parlament”, theksoi për Berliner Zeitung një ekspert i lartë për çështje të sigurisë.

"Dëmet që krijohen kur zbulohen raste të tilla tregojnë se nuk ia vlen të përdorësh këto metoda", shtoi ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›