E Diel, 1 Nëntor 2026

Tanush Mulleti: Në '31-in, Vjena përcolli me jehonë mediatike, trupin e Major Topallajt

Sipas të përditshmeve vjeneze, më 20 shkurt, në rrugën "Operngasse", në orën 22.15 me orën e kryeqytetit austriak, Vjenë, 15 të shtëna pistolete iu drejtuan mbretit shqiptar, Ahmet Zogu. Ai shpëtoi mrekullisht, por nuk do të kishte qenë kështu po të mos ishte Llesh Topallaj, ndihmësi i tij, i cili në përpjekje për t'i shpëtuar jetën, mbeti vetë i vrarë nga dy plumba në kokë. Nga atentati mbeti i plagosur vetë ministri i Oborrit Mbretëror, Ekrem Libohova. Një ngjarje e tillë ishte shumë e rrallë dhe nuk mund të mendohej të ndodhte në Vjenën e kulturës, aq më shumë në njërën nga rrugët kryesore të saj.
Menjëherë pas atentatit mbi Ahmet Zogun, shtypi i ditës ishte ai që shpërtheu jehonën e llahtarshme, se mbi një mbret ishte qëlluar me plot 15 plumba pikërisht në mesin e Vjenës. Ky ishte mbreti i vendit të vogël në brigjet e Adriatikut, që falë fatit dhe njerëzve besnikë që e shoqëronin, mundi të dilte i gjallë nga një vdekje që i ishte sulur me agresivitet të paimagjinueshëm. Pas njoftimit të dhënë, lajmi zuri faqet e para të të gjitha gazetave. Tronditja ishte e madhe, por edhe analizat e asaj ngjarjeje të cilësuar si nga më të rëndat në Evropë, ishin të mëdha. Lloj-lloj hamendësimesh dhe lloj-lloj informacionesh thithnin nëpërmjet shtypit, "mushkëritë" e opinionit europian në ato momente shokimi. Redaksia e Gazetës ka siguruar pikërisht materialet e botuara në atë ditë në disa të përditshme kryesore të kryeqytetit austriak, si e përditshmja "Neue Freie Presse" dhe e përditshmja "Neues Eiener Journal", të cilat sot i mundëson për lexuesin e gjerë, i cili duhet të krijojë një qartësi më të plotë mbi atë ç'ka ndodhur me mbretin e vendit në atë kohë.

Vjenë, 1 mars 1931. Informacionet e mundësive të një hakmarrjeje të mundshme ndaj vdekjes së majorit Topallaj, i cili u vra këtu së fundmi në përpjekje të mbrojtjes së mbretit Zog nga dy atentatorë, erdhën ditën e sotme nga kryeqyteti jugosllav, Beograd. Oficeri do të varroset ose në fshatin e tij malor të Matit, ose në Tiranë, ku do të jetonte së bashku me gruan e tij. Trupi i tij mendohet të mbërrijë në vendlindje në datën 5, nga qyteti i Durrësit. Kur shpallet një gjakmarrje ndaj vrasësve, të afërmit zakonisht ndjekin ritin solemn të betimit për të marrë hakun, ose në varreza ose pasi përcjellësit e të vdekunit të kthehen në shtëpinë e viktimës.
Njoftimet e mëparshme nga Shqipëria, kanë treguar se të afërmit e viktimës, mund të mblidhen së bashku për t'u betuar që të hakmerren kundër vrasësve të Topallajt, i cili ishte adjutant i përkushtuar i Mbretit Zog, që po kurohej këtu në kryeqytetin austriak për problemet me grykët dhe stomakun. I njohur si një nga njerëzit më besnikë të mbretit të Shqipërisë, Topallaj kishte arritur të fitonte besimin e padiskutueshëm të shefit të tij. Kjo i kishte dhënë frytet e veta në gradimin që mbreti i kishte bërë. Jo vetëm detyra e tij për ta shoqëruar atë në çdo hap, por edhe dhënia e gradës Major, ishin shpërblimet më të larta nga ana e Zogut. Besnikëria e tij u tregua më shumë se kurrë gjatë atentatit. Për të shpëtuar mbretin nga vdekja e sigurtë, Majori bëri të vetmin veprim që do të bënte një oficer besnik. Ngjarja e ndodhur në kryeqytetin austriak, u cilësua si një nga më të rëndat në Europë.

Më 20 shkurt, në rrugën "Operngasse", ora 22.15 të kryeqytetit austriak, Vjenë, 15 të shtëna pistolete iu drejtuan mbretit shqiptar, Ahmet Zogu. Ai shpëtoi mrekullisht, por nuk do të kishte qenë kështu po të mos ishte Llesh Topallaj, ndihmësi i tij, i cili në përpjekje për t'i shpëtuar jetën, mbeti vetë i vrarë nga dy plumba në kokë. Nga atentati mbeti i plagosur vetë ministri i Oborrit Mbretëror, Ekrem Libohova. Një ngjarje e tillë ishte shumë e rrallë dhe nuk ndodhte në Vjenë, e pikërisht në njërën nga rrugët kryesore të kryeqytetit të kulturuar. Mbreti shqiptar, që këtë e kishte vizitën e dytë në pallatin e operas në Vjenë, ishte duke ndjekur operën "Pagliaçi", kur kërkoi të largohej 15 minuta përpara përfundimit të shfaqjes. Me sa duket shfaqja nuk i kishte pëlqyer. Ai la lozhën dhe iu drejtua daljes anësore të pallatit, ku i prisnin dy makinat e tyre. Ndërkohë, dy persona u kishin bërë pritë dhe sapo panë objektivin e tyre, nisën të hapnin zjarr. Nga 15 plumbat e shtëna mbeti i vrarë adjutant Llesh Topallaj, i cili, si një besnik i vërtetë ndaj sovranit, vuri trupin si mburojë për ta shpëtuar patriotin e tij. Ky veprim i kushtoi jetën, pasi dy plumba e goditën në kokë dhe e lanë të vdekur në vend. Megjithatë plumbat goditën edhe ministrin Libëhova, që mori dy të tillë në këmbë, në përpjekje për t'iu kundërpërgjigjur zjarrit të vrasësve, ndërsa një plumb tjetër i përshkroi kapelën.
Llesh Topallaj, njeriu që mbeti i vrarë për të shpëtuar sovranin, ishte punonjës i Gardës së Shqipërisë. Në radhë të parë, Vjena u trondit për faktin që, në zemër të saj iu bë atentat sundimtarit të Shqipërisë, dhe në radhë të dytë, për vënien në dyshim të sigurisë së këtij vendi.

E përditshmja "Neue Freie Presse"

Një ditë më vonë, kryengritja (gazetë) "Neue Freie Presse", deklaroi me të madhe, se me këtë ngjarje ishte cënuar mikpritja austriake.
Dy atentatorët u arrestuan pak çaste më vonë pas kryerjes së atentatit. Madje, sipas gazetës, në kapjen e tyre kishte dhënë ndihmesën kryesore një gazetashitës në fund të rrugës "Operngasse". Kur Adolf Tresslent (gazetashitësi), pa një person që ishte duke u larguar me nxitim dhe i armatosur, iu hodh përsipër atij, duke ja bërë të lehtë punën policisë, e cila mbrriti menjëherë në vendngjarje.
Atentatori i dytë u kap pak metra më tutje nga një pat-rullë policie. Sipas Policisë atentatorët ishin Azis Çami dhe Ndok Gjeloshi.
Pas verifikimeve të para, policia konfirmoi se shtetasi Gjeloshi dhe Çami, të dy 37 vjeçarë kishin qenë oficerë xhandamërie në vendin e tyre, ndërsa sot ishin emigrantë prej vitesh në Vjenë. Atyre iu gjetën pasaporta diplomatike jugosllave, ç'ka lindi dyshimet e një atentati që e kishte piknisjen nga Beogradi.
Gjeloshi (që i kishte shërbyer Princ Vidit), ishte me origjinë nga një qytet verior i Shqipërisë, Shkodra dhe njihej si kundërshtar i ashpër i Mbretit Zog. Ndërsa Çami kishte lindur në Greqi, (Filat) ishte mbështetës i flaktë i Fan Nolit, kundërshtarit politik të Zogut.

E përditshmja "Neues Eiener Journal"

Një gazetë tjetër vendase, Neues Eiener Journal", shkroi se qëndrimi i Mbretit Shqiptar pas atentatit ishte i çuditshëm. Sipas gazettes, Mbreti nuk u ishte kundërpërgjigjur atentatorëve ashtu siç kishte bërë ministri Libëhova. Sipas Neues Eiener Journal", ai ishte future sërish në Pallatin e Operës, për tiu drejtuar më pas rezidencës së tijë. Hotelit "Imperial", në dukje i qetë.
Pas kësaj policia austriake nisi verifikimet për të mësuar se kush tjetër mund të fshihej pas emrave të vrasësve. Ata kaluan në sitë çdo shqiptar që gjendej në Austri qoftë resident dhe të përkohshëm. Pas këtyre verifikimeve, ata kryen edhe një sërë arrestimesh të tjera që mendohet të kishin lidhje me atentatin. Kështu nga dita në ditë numri i të arrestuarve erdhi duke rritur.

"Wiener Neuse Nachrichten"

Një tjetër gazet prestizhioze, e shumnjoftuna "Wiener Neuse Nachrichten" përmendi emrat e kësaj liste, ku përveç Azis Çamit dhe Ndok Gjeloshit, në qeli përfunduan edhe Hasan Prishtina, Qazim Mulleti, Rexhep Mitrovica, Menduh Angoni, Angjelin Suma, Luigj Shkurti dhe Sejfi Vllamasi.

Atentati i parë i Ahmet Zogut në Tiranë
Kryeministri i Shqipërisë, Ahmet Zogu, me hap të qetë, me sytë e përqendruar nga godina e parlamentit, filloi të ngjiste shkallët e saj në një pështjellim mendimesh që e kishin pushtuar që në mëngjesin e asaj dite. Nga dokumentet e kohës me dëshmitë e asaj ngjarjeje mësohet se pikërisht kur Kryeministri Zog donte të paktën dhe disa metra që të arrinte te shkallët, befasisht u dëgjuan krismat e një arme. Në çast dora e tij është mbuluar në gjak. Të dy plumbat e dalë prej asaj pistolete e kanë përshkuar atë në dorë. Vetëm pak çaste më mbrapa është dëgjuar edhe një shkrepje e tretë plumbi, që e përshkoi kryeministrin në këmbë, nga e cila gjithashtu i vërshoi gjaku po me të njëjtën shpejtësi që u krye dhe atentati. Befas në atë kohë mësohet se Ahmet Zogu ka kthyer kokën nga drejtimi që po i vinte zhurma vdekjeprurëse dhe ka dalluar armën nga e cila po qëllohej mbi të. Në këtë moment delegatët e Asamblesë Kushtetuese të ndodhur brenda sallës në të cilën ishte duke hyrë Kryeministri, janë çoroditur në mënyrën më të jashtëzakonshme që mund të ndodhte. Më e pabesueshmja që mund të ndodhte në atë çast ndodhi në mënyrën më normale. Konkretisht Ahmet Zogu, si rrallëkush në atë situatë, ruajti një qetësi të pabesueshme. Ai, me njërën dorë kapi shaminë, të cilën e vendosi dorën dorë të përshkuar nga dy plumbat dhe po me atë gjakftohtësi dhe qetësi absolute, pa as më të voglën frikë në fytyrë, hyri në sallën e Parlamentit, duke sulmuar ndërkohë me një shikim shpues grupin parlamentar të opozitës, të cilët për momentin ishin në kllapinë e panikut të përgjithshëm. Gjithsesi, brenda atyre çasteve, megjithëse tepër të shkurtra, ishte mësuar se atentatori ishte Beqir Valteri. Kryeministri arriti te foltorja dhe me shikimin domethënës nga opozita urdhëroi: "Të falet atentatori" dhe në vijim, me gjakftohtësinë që e mbante për mrekulli, me një ton të ulët dhe të qetë të karakterit diplomatik, vazhdoi fjalën: "Këto gjëra shpeshherë ngjajnë. Ne nuk i dimë se kur dhe ku, pra merreni këtë gjendje me qetësi dhe rregull". Në këtë mënyrë ai e zbuti situatën mes delegatëve dhe u nis për në shtëpinë e vet. Nuk zgjati shumë gjendja e rëndë shëndetësore e kryeministrit, i cili u shërua shpejt dhe u kthye sërish në parlament.

KUSH ESHTE RRUGA E HIERARKISE POLITIKE TE AHMET ZOGUT
Ngjarjet e vështira për shtetin e brishtë shqiptar që pas incidentit të parë tragjik mbi kryeministrin Zog kanë rrjedhur në mënyrë të përshpejtuar. Jo shumë kohë më mbrapa atij incidenti, Ahmet Zogu që nga kavalishenca e Durrësit ku ishte vendosur, lajmëron dorëheqjen e parevokueshme të tij si Kryeministër i vendit. Pas kësaj, posti i kryeministrit, jo pa pasoja për stabilitetin e vendit, do t'i kalonte fillimisht Shefqet Vërlacit dhe më mbrapa jo pa pasoja përsëri, do t'i kalonte Iliaz Vrionit, qeveri e cila gjithashtu do të binte me të njëjtën shpejtësi si dhe e para. Rënia e menjëhershme e këtyre dy qeverive nga kundërgoditjet e kryengritësve të drejtuar nga Fan Noli, sollën në atë kohë rezultatin e pashmangshëm: Më 10 qershor 1924, hyn në Tiranë qeveria e re, me në krye Nolin. Pas kësaj, kryeministri i kthyer në mit, Ahmet Zogu, braktis vendin dhe përfundon jashtë kufijve të Shqipërisë. Kryeministri i ri, Fan Noli, nisi një sërë masash demokratike, duke harruar rrezikun e pashmangshëm për qeverinë e vet, faktorin "Zog", i cili, me eksperiencën dhe karakterin e çuditshëm prej njeriu të vendosur për karrierë, nuk mund të bënte sehir një qeveri të porsakrijuar që të merrte reforma demagogjike nën frymën idealiste të një demokratizimi të përgjithshëm të të gjithë jetës së vendit. S'kaluan veç 5-6 muaj dhe Ahmet Zogu, i ndihmuar nga qeveritë konservatore të Jugosllavisë, Italisë, Anglisë dhe Greqisë, bashkë me pasuesit, pikërisht në natën e Krishtlindjeve, më 24 dhjetor 1924, rimerr triumfalisht Tiranën.

Zogu President
Rimarrjen e postit si prijës i atdheut e shoqëroi me ceremoni popullore në Tiranë. Frenat politike të Shqipërisë kalojnë tërësisht në duart e Ahmet Zogut. Pas rënies së qeverisë së tij, Fan Noli, pa asnjë rezistencë ikën në Vlorë e së andejmi në Itali. Zogu urdhëron oficerët dhe të gjithë zyrtarët, të marrin masa të shpejta për qetësinë e vendit, duke u udhëhequr nga ligjet.
Në janar të 1925-ës, Zogu zgjidhet nga asambleja, me dy vota kundër, President i Republikës për shtatë vjet.
"…Ju siguroj se asnjë ambicion personal nuk do të më ndalojë që t'i shërbej interesit të përgjithshëm të vendit tim…", - deklaroi midis të tjerave presidenti Ahmet Zogu, para Asamblesë që e zgjodhi me shumicën e votave. Por ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, Herman Bernshtajn, për atë periudhë do të shkruante në gazetën "Dielli" që dilte në Boston të Amerikës:
"Për shqiptarët, patriotizmi dhe dashuria e vendit s'kishin dhe aq kuptim në qoftë se nuk kishin një figurë qendrore që t'i personifikonte këto ndjenja…".

1 shtator 1928 Shqipëria u proklamua
mbret me titullin "Zogu i Parë"
Asambleja kushtetuese e mbledhur që më 1924-ën, e ndarë më dysh në monarkistë dhe republikanë, bëri që më 1928-ën të triumfonin monarkistët.
1 shtator 1928,
pikërisht ditën e shtunë,
Shqipëria u proklamua mbret me titullin Zogu i Parë. Para asamblesë, i ngjitur në frontin më të lartë të mbretërisë më të re, ai do të deklaronte: "Sot, në çastin që populli im, siç është shprehur nga përfaqësuesit e tij, që jeni ju dhe ndërgjegjja juaj, më ngarkoi detyrën e rëndë të drejtimit të shtetit, ju premtoj se do të kem gjithmonë në mendje përgjegjësinë morale ndaj popullit shqiptar, i cili shpejt ose vonë do të çohet lart me energji të pakufishme, për ngritjen e kombit tonë midis kombeve të lira të botës".

Atentati i dytë në Vjenë
Viti 1931 e gjen mbretin Zog me shëndet të përkeqësuar. I detyruar nga rrethanat shëndetësore vendosi të kurohet në njërën prej spitaleve më dinjitoze të kryeqytetit austriak, Vjenë. Qeveria e re pas kësaj kaloi në dorën e këshillit të shtetit. Në shkurt 1931, luftanija italiane "Quaetro", duke pasur në bordin e saj mbretin e Shqipërisë, Ahmet Zogun, merr drejtimin e Vjenës. Vjena, siç deklarohet nga kronikat e kohës, në atë kohë ishte bërë streha e shumë kundërshtarëve të Ahmet Zogut, të cilët i kishin shkaktuar dhe atentatin e parë dhe që njiheshin si revolucionarë të dështuar për shkak të Zogut. Nuk vonoi dhe rezultati ishte krejt konkret. Në shkurt të atij viti (1931), kohë kur Mbreti Zog kishte veç pak ditë që kishte mbërritur në Vjenë, në një moment tepër të veçantë, kur ai po dilte nga një shfaqje operistike dhe po shkonte drejt makinës e cila e priste jo shumë larg hyrjes kryesore të teatrit, u qëllua me të shtëna pistolete disa herë në drejtim të tij, pikërisht në momentin kur s'kishte arritur te dera e makinës së tij.
(Vijon nesër)

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›