AAK akuzon Qeverinë për shkelje të ligjit

Zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë ngritur shqetësimin lidhur përgatitjet, siç u shprehën, të pamjaftueshme për regjistrimin e popullatës dhe kërkuan shtyrjen e këtij projekti për së paku një ose dy muaj, në mënyrë që të hiqen dilemat për shumë paqartësi që po e përcjellin këtë proces, por edhe që të zbatohet ligji për regjistrim, i cili po shkelet në rastin e regjistrimit të serbëve të veriut.
Në një konferencë për media të dielën, anëtarja e Kryesisë së AAK-së, Melihate Tërmkolli ka thënë se AAK mbështet fuqishëm projektin e regjistrimit të popullsisë, por njëkohësisht shpreh shqetësim të thellë për mungesë serioziteti nga ana e qeverisë lidhur me përgatitjet e pamjaftueshme rreth këtij procesi.
“Përgatitjet e pamjaftueshme, vonesa e madhe në përzgjedhjen dhe trajnimin e kontrollorëve dhe regjistruesve mund ta vënë në sprovë kredibilitetin e këtij projekti të rëndësishëm për vendin. Kjo bëhet edhe më e rëndë kur kemi parasysh faktin se qeveria ka pasur kohë gati katër vjet për t’i realizuar më së miri përgatitjet finale gjashtëmujore të domosdoshme për regjistrimin e popullsisë. Pse qeveria nuk e ka bërë këtë me kohë, është problem i saj, mirëpo pasojat për këto mangësi do të bien mbi qytetarët e Kosovës”, ka thënë Termkolli.
Duke folur rreth deklaratave të zyrtarëve qeveritarë, se regjistrimin e popullsisë në veri do ta bëjë një organizatë ndërkombëtare (UNOPS), Tërmkolli ka thënë se një gjë e tillë përbën shkelje të rëndë të Ligjit për regjistrimin e popullsisë dhe të standardeve ndërkombëtare, pasi që sipas ligjit, i vetmi institucion kredibil për regjistrimin e popullsisë në tërë territorin e Kosovës është Enti i Statistikave të Kosovës.
“Qeveria e Kosovës, me këtë akt, duke shkelur ligjin, vetëdijshëm apo pavetëdijshëm ka pranuar se Kosova de-fakto dhe de-jure është e ndarë. Qeveria duhet t’i kthehet respektimit të ligjit dhe standardeve ndërkombëtare dhe të shtyjë për së paku një ose dy muaj këtë projekt, në mënyrë që të bëhen përgatitjet meritore, të hiqen dilemat për shumë paqartësi, të cilat po e përcjellin këtë proces, si dhe të zbatohet dhe respektohet ligji për regjistrim. Kjo është e domosdoshme, për mendimin tonë, sepse gabimet dhe dështimet eventuale është vështirë të riparohen për 10 vjetët e ardhshme”, ka thënë ajo.
Koordinatori i AAK-së në degët diasporës, Lah Avdiu ka thënë se diaspora shqiptare është e shqetësuar lidhur me faktin nëse është përfshirë në listat e regjistrimit.
“Mërgata shqiptare nuk e ka të qartë, çka është lista, a jemi të përfshirë listë apo jemi të përfshirë në formularë. Lista çka përfshin ajo listë, çka shkruhet e çka thuhet në atë listë. Do të thotë këto janë shqetësimet esenciale që ne i ngritim e për të cilat institucionet e Kosovës, në veçanti qeveria as që do të dëgjojë”, ka thënë ai.
Ndryshe, kohë më parë shtyrjen e regjistrimit të popullsisë e ka kërkuar edhe Lëvizja Vetëvendosje. Regjistrimi i popullsisë në Kosovë pritet të mbahet nga 1 deri më 15 prill. Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë para tri dekadash. /kosovapress/