E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionistët falsë

Rezultatet e para të hetimeve për personat që dyshohet se kanë përfituar pension pleqërie në mënyrë të paligjshme

TIRANË - Rezultatet e para të ekspertizave mbi materialet shkresore të dosjeve për personat që dyshohet se kanë përfituar pension pleqërie në mënyrë të paligjshme, tregojnë se janë falsifikuar dokumente zyrtare. Burime pranë Prokurorisë së Tiranës thanë dje, se ekzaminimet e rasteve të para kanë provuar falsifikimin e dokumentacionit zyrtar për qëllime përfitimi të pensionit të pleqërisë. Në kuadër të hetimeve të hapura mbi abuzimet me pensionet, prokuroria ka sekuestruar në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë dhjetëra dosje personash, të cilët mendohet se kanë përfituar në mënyrë të padrejtë pension. Materialet shkresore të këtyre dosjeve po u nënshtrohen ekzaminimeve në Laboratorin Qendror Kriminalistik (LQK), në Tiranë. Sipas burimeve të mësipërme, përmes kësaj procedure ekspertët pritet të dalin në një konkluzion shkencor për dokumentet që dyshohet se janë falsifikuar, për të vazhduar më pas me hetimet për zbardhjen e mekanizmit për përfitimin e pensioneve dhe personat e përfshirë në këtë abuzim. Hetimet për këtë çështje nisën pak javë më parë nga Prokuroria e Tiranës, pas kërkesës së policisë për procedimin e mbi 12 personave që dyshohet se, përmes dokumenteve false, kanë përfituar pension të parakohshëm qysh në vitin 2000.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›