Sa kushtuan?

Partia e Kryeministrit Hashim Thaçi hapi një llogari “PDK 2013” në rrjetin social Twiter, nga ku publikoheshin ndodhitë në konventën e gashtë partiake e cila po ashtu u transmetua drejtpërdrejtë në televizion publik.
Por, partia me elektoratin më të madh në vend, u mbyll kur iu kërkuan informata se sa shpenzoi dhe nga i siguroi paratë për të organizuar konventën zgjedhore të fundjavës së kaluar. Ajo zbuloi vetëm një faturë prej 14 mijë eurosh, kurse sekretari Basri Musmurati është përgjigjur: “Zgjedhjet na kanë kushtuar aq sa kemi dashtë ne vet”.
Bazuar në një ofertë të Hotel Emerald, të cilën e posedon Gazeta Jeta në Kosovë, një shujtë e përbërë nga paragjella, sallata, ushqimi kryesor, ëmbëlsira dhe kafja kushton së paku 20 euro.
Kështu i bie që për 700 të ftuar të jenë paguar 14 mijë euro për vetëm një shujtë.
Por ky çmim nuk përfshin edhe shpenzimet për marrjen me qira të sallës më të madhe të këtij hoteli për mbajtjen e punimeve, akomodimin e mysafirëve dhe shpenzimet tjera që kanë mundur të bëhen gjatë ditës së dytë të Konventës - ku rreth 700 delegatë kanë qëndruar.
Partia Demokratike e Kosovës nuk pranon të bëjë publike detaje financiare të konventës së gjashtë zgjedhore të saj në të cilën u rizgjodh si kryetar partie kryeministri Hashim Thaçi.
Partia më e madhe në vend, më 26 e 27 janar, rezervoi sallën e sporteve në Pallatin e Rinisë e sallën e konferencave në
“Hotel Emerald” për të mbajtur takimet finale të zgjedhjeve të brendshme.
Po ashtu kjo parti për tre muaj rresht, nga data 1 nëntor e vitit 2012 deri më 27 janar të vitit 2013, organizoi zgjedhjet e brendshme në të gjitha degët dhe nëndegët e saj.
Të fundit zgjedhje të brendshme në PDK janë mbajtur më 2010, tri vite më parë./Gazeta Jeta në Kosovë/