E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa lirë jeta e një Dëshmori. Atdheu?! Vetëm 200 mijë lekë

Fjalë të ngrohta kanë dëgjuar familjarët e katër oficerëve të policisë, të rënë në krye të detyrës nga gjithë pushtetarët. Dëshmorë të Atdheut janë shpallur katër djemtë kurajozë, të cilët dhanë jetën për të kapur të shumëkërkuarin Dritan Dajti. Por, e gjithë puna sublime e tyre, për të cilën dhanë jetën, kushton vetëm 200 mijë lekë. Për dhimbjen e familjeve të tyre, nuk kanë rëndësi paratë, por vlerësimi që shteti shqiptar ka për punën e tyre, duke e konsideruar jetën e një punonjësi policie kaq lirë... Ligji thotë se tre paga përfiton një punonjës policie që bie në krye të detyrës e që shpallet Dëshmor i Atdheut. Vetëm kaq ka menduar shteti shqiptar për ta, pa u bërë as të paktën një sigurim jete, ndërkohë që çdo ditë dalin në rrugë për t‘u përballur me kriminelin më ordiner e deri tek ai më i sofistikuari.

Punonjësit e policisë, njerëzit më të indinjuar sot, nuk kanë faj kur shfryjnë dufin e pyesin veten sa efektivë blu kanë rënë në detyrë deri tani?! Askush nuk e kupton më mirë se ata rrezikun që u kanoset e dhimbjen për katër oficerët e vrarë dy ditë më parë. Por, çfarë i mbron ata, shteti shqiptar a ka një plan, të paktën për familjet e tyre, për fëmijët, baballarët e të cilëve kanë rënë në krye të detyrës. Madje, shpeshherë dëgjojmë pushtetarë shqiptarë, të cilët deklarojnë se shteti do të kujdeset për fëmijët e Dëshmorëve të Atdheut. Por, në të vërtetë, përkujdesja e tyre është vetëm një vendim qeverie i dhjetë viteve më parë. Në vitin 1999 është miratuar një vendim qeverie, në të cilin deklarohet se, nëse një punonjës policie vritet në krye të detyrës, ai dëmshpërblehet me tre paga mujore. Kaq ka parashikuar qeveria shqiptare, e çfarëdo kohe qoftë, për njerëzit tek të cilët mbështeten jo vetëm ata, por i gjithë populli për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Drejtues organizatash për punonjësit e policisë, qoftë ata në lirim, apo ata në punë, shpeshherë kanë kërkuar vëmendje në këtë çështje, por asnjëherë nuk kanë gjetur mirëkuptim, asnjëherë nuk ka shkuar kjo çështje më tepër se një diskutim. Qeveria është detyruar disa herë, kur është përballur me situata të këtij lloji, ku punonjës policie janë vrarë në detyrë, të vendosë ndonjë shumë simbolike në nderim të tij dhe në ndihmë të jetimëve të lënë pas, por asnjëherë nuk është marrë nisma që kjo të shkojë deri te ligjvënësit shqiptarë, e të vendoset njëherë e mirë fati i atyre jetimëve, pasi këta dëshmorë kanë dhënë jetën për këtë shtet.

E ky problem nuk është vetëm për një repart, një komisariat, apo një drejtori policie, por për të gjithë policinë. Nuk është vetëm për policinë, por edhe për ushtrinë. Këta bij nënash nuk mund të bëjnë asgjë më shumë për familjen e tyre, pavarësisht se për shtetin kanë dhënë jetën. Specialistët deklarojnë se kjo është një shkelje flagrante, krahasuar me policitë e gjitha vendeve të tjera perëndimore, por krahasuar edhe me profesione të vështira brenda Shqipërisë. Nga të dhënat e mbledhura, rezulton se sigurim jete në Shqipëri përfitojnë një sërë profesionesh, por jo policia. Burimet nga policia tregojnë se ky problem është ngritur disa herë, të paktën duke kërkuar sigurim jete për forcat speciale, të cilat përballen me elementët më të rrezikshëm të krimit të organizuar.

Mbase tani ka ardhur koha që kjo të ndryshojë. Kjo është shpresa e gjithë punonjësve të policisë, që nëpërmjet sindikatës kanë lëshuar jehonën e tyre. Sipas tyre, ngjarja e rëndë, ku mbetën të vrarë katër punonjës policie, duhet të fusë në mendime të thella shtetin shqiptar për të menduar më shumë për jetën e tyre dhe të atyre që lënë pas, duke shpresuar se numri i lartë i policëve të vrarë në krye të detyrës të mos rritet më.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›