Sa po i mungon shtetndërtimi Kosovës?
Kosova në vend të përparimit të gjithëmbarshëm, po bëhet bukur shumë vend i pasigurisë politike dhe ngecjes së rrjedhave ekonomike. Kjo po ndodh si rezultat i mos punës së duhur të institucioneve shtetërore të pasluftës, që shoqëria të këtë të ardhme të sigurtë. Edhe gati pas 13 viteve të shtegtimit në liri, po përballemi me mosshtrirjen e sovranitetit dhe e ligjit në tërë territorin e Kosovës. Sundimi i rendit dhe ligjit është barra me rëndë për qytetarët për gjithë këto vite, e shumë probleme të tjera, veçmas niveli bukur i lartë i korrupsionit dhe krimit të organizuar, për të cilat dukuri pushtetarët tanë po përballën me kritika dhe raporte më shumë negative së sa pozitive nga bashkësia ndërkombëtare.
Të krijosh shtetin e mirëfilltë ligjor nevojitet punë dhe përkushtim pa hile, e jo gjithëfarë marifetesh të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me ardhmërinë e këtij vendi. Demokracia dhe pavarësia duhet të preken, e jo të mbeten nocion abstrakt.
Të gjithë jemi të vetëdijshëm se institucionet e shtetit të Kosovës janë të mbikëqyrura. Por, përfundimisht do të duhej të bëhemi shumë më shumë serioz që Kosova të bëhet një vend ku do të këtë stabilitet dhe paqe të dukshme. Korrupsioni dhe krimi i organizuar si njolla të zeza dhe të tmerrshme e ardhmërisë, demokracisë dhe shtetit ligjor po luftohen më shumë verbalisht së sa po gjejnë zbatim konkret.
Lakmia për pushtet po i braktis parimet e shëndosha të demokracisë, lirisë dhe shtetit të së drejtës. Shteti është populli i Kosovës, e jo individi apo partia politike e cila është në pushtet. Vullneti i këtij sovrani të quajtur popull duhet të jetë gjithmonë prioritet mbi prioritetet.
Për gjithë këto vite, inkuadrimi në politikë për shumë kënd u kuptua si pasurim në pafundësi. Disa nga pushtetarët shumë pak po iu ngjajnë udhëheqësve të dinjitetshëm, të cilët do të bënin shumë më shumë në zbutjen e problemeve sociale e ekonomike të qytetarëve të cilët janë vu në pozitë të palakmueshme. Prandaj një moral politik dhe qeverisës i ndërgjegjshëm nuk krijohet apo nuk menaxhohet me fjalë të bukura dhe as më ndryshim deklaratash për të njëjtën çështje. Prandaj ata që sot po i mbajnë frenat e politikës, duhet ta kuptojnë se qasja e tanishme karshi shtetit dhe kombit do duhej të pëson ndryshime më përmbajtësore në rregullat e shtetndërtimit, për të krijuar institucione të qëndrueshme të cilat do të bashkëjetojnë më shumë me hallet dhe problemet e këtij populli, si një proces i pashmangshëm që është. Kriza ekonomike që po përjeton Evropa, e në këtë relacion edhe në shtetet fqinje bashkë me Kosovën, kërkon njerëz të zot për t’ia dalë mbanë. Kështu do të largohej edhe rreziku për të ardhmen e Kosovës. Gjeneratat e reja në këtë situatë të krijuar janë vënë në dilemë shumë të madhe. Të shkojnë jashtë shtetit që të zhvillojnë potencialin e tyre fizik e shpirtëror, që të mbërrijnë një mirëqenie ekonomike, apo të rrinë në atdhe? Të shkosh ne emigracion duke braktisur atdheun, familjen dhe vendin ku je rritur, është tëhuajësim, është sakrifikim i të ardhmes së përbashkët këtu. Se sa e dëmshme është emigracioni e tregoi edhe regjistrimi i fundit në Kosovë. Pak kush e ka pritur dhe besuar një statistikë të tillë. Sot Kosova ka një të tretën e saj që jetojnë në diasporë, apo në emigracion, dhe një zbrazje e re do të ishte e pafalshme. Të humbet gjithë kjo energji dhe potencial njerëzor do të thotë shumë për një vend të vogël si Kosova.
Skamja ka zbritur në shumë familje tona. Edhe ata që po punojnë me këto paga më të ulëtat në rajon zor e kanë ta përballojnë koston e lartë të jetesës. Pensioniostët janë kategoria me e rrezikuar e shoqërisë sonë. Me 40 dhe 80 euro në muaj, është vështirë të sigurohen gjerat me elementare. Dhashtë Zoti që në vitin 2012 do të punohet shumë më tepër për të çelur një të ardhme më ndryshe, duke hapur perspektiva të reja të një shteti të përbashkët dhe funksional, pa e abuzuar atë…