E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa stimulohen përkthimet në Shqipëri?

Argumentet pro apo kundër ngritjes së një shtëpie përkthimi në Shqipëri, hedhur si ide në faqet e gazetës nga shkrimtarja Mira Meksi, kanë rrokur më së shumti një sërë problemesh të përkthimit në vendin tonë. Probleme që herë pas here, zëra të veçantë i kanë vënë në dukje sa herë që diskutimi është vërtitur rreth letërsisë, botimit, lexuesit shqiptar apo të huaj. Është folur dhe ceken sërish vlerat që ofrohen, niveli i përkthimeve, statusi i përkthyesve, detyrimet dhe të drejtat që duhet të gëzojnë, marrëdhëniet e munguara e të kopsitura, mbi të cilat duhet të lëvrohej puna e tyre. Arsyetimet e gjithsecilit, qofshin këta shkrimtarë, përkthyes apo botues, pikëtakohen në një mendim: mungesën e përfshirjes dhe rolin e strukturave shtetërore. Referuar vendeve fqinje, Shqipëria është i vetmi vend pa një program të posaçëm që synon promovimin e letërsisë kombëtare ndër lexues të huaj. Deri më tani, ndërmarrje të tilla i janë lënë në dorë vullnetit të shtëpive botuese që veprojnë në vende të ndryshme apo individëve të caktuar. Shkrimtarja Diana Çuli rikthehet rreth 30 vjet më parë, në kohën e kalimit në "sitë" të krijimtarisë, për të bërë krahasimin. Atëkohë revista "Les Letters Albanaises" për të shënonte pikën e vetme të referimit të Perëndimit ndaj letërsisë shqipe, ndërsa sot as revista nuk ekzistojnë më. Për Jonila Godolen, e cila ka sjellë në shqip disa autorë të njohur gjermanë, në Shqipëri çështja duhet të shtrohet ende për zgjidhjen e çështjeve ekzistenciale të përkthimit, të statusit të përkthyesit, te cilësisë e të tjera që rrjedhin prej tyre. Ndërsa Fatmir Toçi, në cilësinë e botuesit, ngritjen e një shtëpie përkthimi e sheh një ide pak idealiste për realitetin shqiptar, në mungesë të vëmendjes së strukturave shtetërore dhe në kushtet e një pavarësie të botuesve të huaj për të zgjedhur.

ol.li.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›