Diana Çuli: Letërsia jonë njihet po aq pak sa në kohën e censurës
Ky diskutim i nisur nga gazeta juaj më duket shumë i frytshëm dhe i nevojshëm, më duket i vonuar për shoqërinë dhe kulturën shqiptare, prandaj ju përgëzoj që i hytë një nisme të tillë, pavarësisht se nga sa veshë mund të dëgjohet. Jam shumë e ndjeshme në këtë çështje, jo vetëm sepse punoj vazhdimisht në lëmin e përkthimit, por edhe se kam punuar rreth dymbëdhjetë vjet në redaksinë e revistës "Les Letters Albanaises". Kjo revistë, ku botoheshin në gjuhën frënge krijimet më të arrira të letërsisë shqipe, pati jetë nga viti 1978 deri më 1990-n, kur shteti nuk financoi më botime letrare. Asokohe, revista pati në këshill drejtues autorë me emër dhe kryeredaktor Ismail Kadarenë. Përkthehej nga përkthyes e intelektualë të shkëlqyer si Jusuf Vrioni, Vedat Kokona, Aziz Vrioni, Edmond Tupja e Aleksandër Zoto. Atje filluan të lëvrojnë mjeshtërinë e tyre të përkthimit nga shqipja në një gjuhë të huaj edhe të rinj si Arben Leskaj, që sot janë mjaft të njohur. Ishte si një inkubator i vogël përkthimi, një sinjal kulturor që ne i dërgonim kozmosit europian nga planeti ynë i mbyllur, një përpjekje për të përzgjedhur çka ishte më pak e prekur nga ideologjia, në kushte të vështira përgjimi e censure ideologjike. "L‘Antologie de la Prose Albanaise", që u botua në vitin 1984 nga shtëpia botuese "Fayard", u bazua mbi pjesët e zgjedhura në këtë revistë dhe për një kohë të gjatë ishte nga të paktat pika referimi të Perëndimit për letërsinë shqipe. E bëra këtë hyrje të kohës së shkuar për të theksuar se sot, në botën e hapur, i kemi të gjitha mundësitë, nuk kemi asnjë censurë, kemi autorë jo pa vlera, shtëpitë tona botuese janë të lidhura tashmë me shtëpitë botuese më të njohura perëndimore, kemi një treg përkthimi nga gjuha e huaj në shqip mjaft të bollshëm, por… letërsia shqipe njihet po aq pak, ka pasur vetëm disa antologji më shumë, por pa jehonë dhe, përveç Kadaresë, vepra e të cilit ka "pushtuar" gjithnjë e më shumë territore, ka pasur veçse dy tre autorë shqiptarë që nuk kanë mbetur vetëm deri te botimi i librit dhe festa e promovimit nga shtëpi botuese perëndimore pa ndonjë forcë publiciteti dhe shpërndarjeje. Këtu do të doja të përmendja punën e një botuesi italian, Livio Muçit, i cili që në vitet e para ‘90, i hyri një "misioni të pamundur": të bënte të njohur letërsinë shqipe në Itali, nëpërmjet shtëpisë së tij botuese "Besa". Deri më sot ai ka botuar një sërë autorësh shqiptarë, klasikë dhe bashkëkohorë dhe kjo është një pasuri letrare shqipe që e kemi në gjuhën italiane. Por, përgjithësisht, institucionet tona ekzekutive kulturore nuk janë kujtuar kurrë ta vlerësojnë si duhet këtë punë gjigante, dhe "Besa" është përpëlitur duke kërkuar tregjet, përkthyesit, për t‘i prezantuar një lexuesi të huaj, skeptik e të vështirë, letërsinë e panjohur shqipe që vjen nga një vend i vogël e nga një gjuhë që, përveç shqiptarëve, pak veta në botë e flasin. Problemi që nuk reshtim së përballuri është formimi dhe gjetja e përkthyesve. Pikësëpari nuk kemi përkthyes nga shqipja në gjuhë të huaj, të cilët dihet, preferohet ta kenë gjuhën e nënës atë në të cilën të përkthehet letërsia. Përkthyesit që përmenda më lart ishin pothuajse të gjithë bilingë, me frëngjishten pothuajse gjuhë nëne si shqipen. Pra, mendimi i Mira Meksit për një "shtëpi përkthyesish" në Shqipëri, ku të mikpriteshin të gjithë të interesuarit për letërsinë tonë, do të dyfishonte dhe do t‘i trefishonte shumë shpejt përkthyesit dhe librat shqiptarë në gjuhë të huaj. Do të nxiteshin edhe më ata pak përkthyes të huaj që ekzistojnë në Europë, do të shihnin një perspektivë ish-studentët shqiptarë që kanë studiuar linguistikë dhe letërsi në vendet europiane, do të preknin një terren konkret edhe shtëpitë botuese të huaja. Të paktën të fillonte me një revistë! Ministria jonë e Kulturës do të kryente një vepër kombëtare sikur të sponsorizonte më pak spektakle dhe më shumë botime. Kuptohet, të përzgjedhura me kritere dhe me komisione. Sidoqoftë, rrugët gjenden, mjafton vullneti.