E Diel, 1 Nëntor 2026

Saba D’Elia: Zgjedhjet janë “kartëvizita” e Shqipërisë për në BE

Nga Rezarta Delisula 

TIRANE-Ka vetëm një vit që ka marrë detyrën e ambasadorit të Republikës së Italisë në Shqipëri, por ambasadori Saba D’Elia, shprehet shumë i kënaqur për nivelin e bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Gjatë mandatit të tij një vjeçar në Tiranë, janë realizuar vizita të shumta të zyrtarëve të lartë të të dy vendeve. Pak kohë më parë nga Italia u kthye presidenti Bamir Topi, ndërsa të hënën, do të mbërrijë në Shqipëri, ministri i jashtëm italian Franco Frattini. Por ambasadori nuk e sheh vetëm në nivelin e shkëmbimeve të delegacioneve zyrtare angazhimin e tij në Shqipëri. Pjesë e punës së përditshme, dhe intesifikimit të marrëdhënieve, padyshim janë dosjet ekonomike. E Italia, në këtë këndvështrim, është partner kryesor tregtar për Shqipërinë, ndërkohë që firmat italiane, vijnë gjithmonë e më shumë në rritje në vendin tonë.
Zoti Ambasador, fillimisht ju falenderojmë që pranuat të jepni këtë intervistë për Gazeten Shqiptare. Pas rreth një viti qëndrimi Tuajin në Shqipëri, a mund të na thoni se cili është niveli i bashkëpunimit politik mes Italisë dhe Shqipërisë apo anasjelltas? Gjithmonë është thënë nga zyrtaret e lartë të shtetit shqiptar se Italia është një avokate e Shqipërisë për në BE…
Eshtë kënaqësi për mua. Jam gjithmone i lumtur të mund të ndaj me miqtë lexues vlerësime që lidhen me marrëdhëniet mes dy Vendeve tona. Kam mbërritur këtu një vit më parë. Para se te vija në Tiranë dija për intensitetin e miqësisë që lidh dy popujt tanë. Por munda të ndjej veçantinë, forcën dhe natyrshmërinë e saj vetëm gjatë qëndrimit tim këtu. Pasi vetëm duke jetuar jetën e përditshme në Shqipëri mund të kuptohet sa afër dhe sa të ngjashme janë dy shoqërite tona civile.
Kjo lidhje vërtet speciale pasqyrohet edhe në marrëdhëniet në nivelin më të lartë politik. Që kur kam marrë detyrën e Ambasadorit të Italisë në Shqipëri ka pasur një intensifikim të takimeve në nivelet më të larta institucionale mes dy Vendeve: dua të kujtoj vizitën zyrtare të Presidentit Topi në Itali javën e shkuar dhe për vizitën e Kryeministrit Prodi në Shqipëri; kujtoj gjithashtu misionin e Kryetarit të Dhomës së Deputetëve Fini si dhe vizitat e Ministrave, Sekretarëve të Shtetit dhe Presidentëve të Rajoneve italiane që ndjekin njëra-tjetrën me shpeshtësi të madhe.
Gjithë këto momente bashkëpunimi politik bëjnë të mundur sistematizimin e natyrshmërisë së marrëdhenieve tona, për t’i vendosur brenda një kuadri institucional që t’u japë një hov të mëtejshëm.
Qendror në marrëdhënien tonë të shkëlqyer është edhe roli i rëndësishëm që Italia luan në procesin e integrimit euroatlantik të Shqipërise. Në këtë kuadër është thënë shpesh se Italia ka rolin e “avokatit” në lidhje me aspiratat evropiane të Tiranës. Por shikoni, ajo që do të doja të theksoja është se Shqipëria nuk ka nevojë për avokatë mbrojtës, pasi Vendi ka ndërmarrë rrugën e progresit dhe të reformave. Shqipëria duhet të jetë avokati i vetvetes dhe “mbrojtja” më e mirë vjen duke bërë të mundur katalizimin e energjive positive për arritjen e standarteve të nevojshme për hyrjen në Bashkimin Evropian.
Ajo cka bën diferencën dhe dallimin, përveç klimës së mirë politike, patjetër qëndron tek Ekonomia. Në aspektin bilateral, a mund të përmblidhni fushat kryesore se ku shtrihet ky bashkëpunim aktualisht?
Siç e dini, Italia është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë dhe përbën rreth 40% të shkëmbimit tregtar shqiptar me pjesën tjetër të botës. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008 shkëmbimet tregtare mes Vendeve tona arritën shifrën 900 milion euro. Në sektorin e investimeve, Italia zë vendin e parë në lidhje me bizneset me kapital te përzier (rreth 440 firma me kapital me shumicë italiane). Rreth 70% i totalit te eksportimeve shqiptare zhvillohen me Italinë.
Krahas sektorëve të investimeve të bizneseve të vogla italiane, tradicionalisht të pranishme në vend, grupe industriale të mesme dhe të mëdha italiane po punojnë për realizimin e projekteve të rëndesishme në sektorin e energjisë, të infrastrukturës dhe ndërtimit, duke vërtetuar vullnetin e Italisë për të vazhduar investimet për të ardhmen e Vendit dhe për përforcimin e lidhjes tonë unike.
Për shembull, projekte të rëndësishme do të realizohen në sektorin e energjisë eolike, të depozitave të karburanteve dhe prodhimit të çimentos. Gjithashtu shumë e rëndësishme është prania në Shqipëri e dy grupeve të mëdha bankare italiane, Intesa San Paolo dhe Gruppo Veneto Banca (BIS Banca) që shërbejnë si “mushkëri financiare” për operatorët italianë që i afrohen tregut shqiptar.
Me fjalë të tjera, firmat italiane e shohin tregun shqiptar me interes të veçantë, të tërhequra edhe nga të dhënat pozitive të rritjes ekonomike dhe progreseve të bëra nga Vendi për një good governance politike dhe ekonomike.
Edhe biznesi shqiptar i kushton një vëmendje gjithnjë e më të madhe mundësisë se përforcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit me bizneset italiane, duke konsideruar edhe konkurrueshmërinë tregtare të markës italiane në botë. Konferenca e Tregtisë dhe Zhvillimit e Kombeve të Bashkuara dhe Organizata Botërore e Tregtisë na rendisin në vendin e dytë në renditjen botërore të konkurrueshmërisë. Pikërisht në këto vite ngadalësimi të rritjes ekonomike globale, Italia po fiton hapësira të tregtisë së jashtme ndaj partnerëve kryesorë të industralizuar dhe konfirmohet gjithnjë e më shumë në tregjet e reja në rrugë zhvillimi.
Pra mundësia që biznese italiane të investojnë në Shqipëri apo që biznese shqiptare të lidhen në aktivitetin e tyre prodhues me biznese italiane. Ky proces do të lehtësohet edhe nga prania e bankave italiane në Vend. Pak ditë më parë u njoftua për ndryshimin e emrit ABA në Intesa-San Paolo Bank Albania dhe jemi të bindur se investimet e shoqërive të mëdha italiane do të shërbejne për t’i dhënë hov investimeve të mëtejshme italiane. Gjithashtu, Shoqata e Industrialistëve Italianë në Shqipëri (AIIOA) ka marrë nga Qeveria koncesionin për realizimin e Parkut Industrial të Koplikut.
Pra, siç mund të shihni, janë të gjitha kushtet që Italia të vazhdojë të sigurojë një partneritet strategjik dhe të vlefshëm për Shqipërinë, me synimin e përbashkët për një zhvillim ekonomik të ekuilibruar dhe të qëndrueshëm.
Le të ndalemi pak te puna e Kooperacionit italian në Shqipëri. Që prej fillimeve të demokracisë, Kooperacioni ka qenë një mekanizëm shumë i fuqishëm financiar, ndihmesë e madhe e Italisë për vendin tonë. Ku përqëndrohet puna e tij dhe investimet mbeten vetëm në nivelin e infrastrukturës dhe energjetikës, apo dhe në atë social?
Duke lexuar angazhimin e Kooperacionit të Ministrisë së Punëve të Jashtme italiane përmes shifrave, bie në sy qartë rëndësia e nismave të Kooperacionit për Zhvillim që Vendi ynë realizon në Shqipëri.
Që prej vitit 1991, Italia ka mbështetur dhe i ka qëndruar në krah autoriteteve shqiptare në procesin e stabilizimit dhe konsolidimit ekonomik me një shumëllojshmëri veprimesh në fushën e kooperacionit për zhvillim dhe një angazhim financiar prej rreth 650 milionë euro, shifër që, së bashku me investimet e institucioneve të tjera italiane, të OJQ-ve dhe Kooperacionit të Rajoneve italiane, e bën Vendin tonë partnerin dypalësh kryesor më të rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë.
Strategjia e ndërhyrjes së Kooperacionit të Ministrisë së Punëve të Jashtme italiane ka ndryshuar me kalimin e kohës, në vazhdën e zhvillimit historik të Vendit në 15 vitet e fundit. Ndërhyrjet e emergjencës –në fillim dhe në fund të viteve ’90– janë zëvendësuar nga ndërhyrje strukturale dhe përforcimi të institucioneve.
Aktualisht, Ministria e Punëve të Jashtme italiane financon 84 iniciativa që përbejnë një investim prej rreth 350 milion Euro. Jemi fokusuar këto vitet e fundit në sektorin e infrastrukturës –transportit, energjisë dhe sistemeve hidrike– por nuk kemi harruar të ndimojmë në përmirësimin e shërbimeve bazë si arsimi dhe shendetësia, duke bashkëpunuar edhe me OBSH, Unicef dhe Unesco.
Aktualisht po ndërhyjmë kryesisht për të mbeshtetur zhvillimin e bizneseve private dhe, në mënyrë të veçantë, të Bizneseve të Vogla dhe të Mesme shqiptare dhe shohim me vëmendje të vecantë proceset e decentralizimit dhe zhvillimit vendor.
Për të krijuar një imazh më të qartë është e nevojshme të jepet një panoramë e ndërhyrjeve të zhvilluara nga subjekte të ndryshme, jo vetëm institucionale, që bashkëpunojnë aktivisht me Shqipërine në procesin e zhvillimit të Vendit. Mjaft i rëndesishëm është roli i rreth 30 OJQ-ve që – të shpërndara në gjithë territorin kombëtar- janë prej vitesh të angazhuara në rritjen e shoqërise civile: të shumta janë nismat në fushën sociale, arsimore dhe shëndetësore, që kanë për qëllim promovimin e të drejtave dhe integrimit të shtresave sociale në vështirësi. Gjithashtu ndërhyrjet në fushën e bujqësisë, për vlerësimin e prodhimeve tradicionale, për mbrojtjen e mjedisit dhe promovimin e turizmit të qëndrueshëm.
Ndaj detyrimin të përmend edhe Kooperacionin e Rajoneve italiane, mes te cilave Pulja, Veneto, Lombardia dhe Piemonte janë veçanërisht aktive. Gjithashtu Universitetet, shkollat dhe Bashkitë bëjnë të mundur përforcimin dhe rinovimin e lidhjeve të miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy popujve tanë.
A e ndjeni ndonjëherë zoti Ambasador, se lidhur me projektet tuaja në Shqipëri, edhe forcat politike brenda vendit kanë një lloj lufte të brendshme per kohën e firmosjes së kontratave dhe zbatimin e tyre?
Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje më duket e dobishme të përshkruaj shkurtimisht rrugën e lindjes së projekteve të kooperacionit për zhvillim, që pajtohen me Qeverinë shqiptare, edhe ne rastin kur përfituesit janë njesite vendorë apo institucione të tjera jo qëndrore.
Programet e mëdha të kooperacionit, që kërkojnë kohë realizimi të gjata, shoqërojnë fazat e ndryshme të transformimit politik të Vendit dhe ndodh shpesh që këto programe të aprovohen nga një Qeveri dhe të realizohen nga një tjetër, në Itali ashtu si në Shqipëri.
Pra është normale që të lindin keqkuptime mbi origjinën e projekteve, por nuk duhet të harrojmë se bëhet fjalë për projekte që kanë qëllim përmirësimin e jetës së gjithë popullatës dhe që –jam i bindur- mirëpriten dhe mbeshteten nga të gjithë.
Ajo që unë kam më përzemër është mundësia që këto investime të mund të japin rezultate me kalimin e kohës. Këto rezultate nuk maten me deklarata “pronësie”, por me një punë të vazhdueshme për të përmirësuar aftësitë menaxhuese vetiake të Vendit përmes këtyre projekteve. Kështu, “objektivi primar” i kooperacionit për zhvillim është t’i japë një shoqërie mjetet për të realizuar me energjitë e veta një zhvillim shoqëror dhe ekonomik të qëndrueshëm.

Zoti Ambasador, mund të na thoni shkurtimisht se cilat do të jenë prioritetet dhe ndihma që kooperacioni do të japë në vitet në vazhdim? Sa do të zgjasë misioni i tij në vendin tonë?
Angazhimi ynë synon të sigurojë një vazhdimësi për sa është bërë deri më sot si dhe për të hapur horizonte të reja. Duke konsideruar transformimin që ka përjetuar Vendi, veprimi ynë nuk mund të jetë si më parë; na duket e domosdoshme të përqëndrohemi në rrugën drejt integrimit evropian dhe për sa po realizohet nga Bashkimi Evropian.
Do t’i propozoj autoriteteve shqiptare të vlerësojnë çfarë po realizohet aktualisht në mënyrë që vëmendja dhe angazhimi ynë t’i drejtohet sektoreve themeltarë në kuadrin e integrimit në Bashkimin Evropian. Një vëmendje të veçantë meritojnë sektoret kyç të procesit paraprak të integrimit: zhvillimi rajonal, që kerkon krijimin dhe përmirësimin e rrjetit të infrastrukturës; zhvillimi i burimeve njerëzore, lidhur me politikat e punës dhe emigracionit; zhvillimi i zonave rurale, me tematikat ambientale përkatëse.
Ndërhyrje të tjera mund të kenë synim implementimin/fuqizimin e reformave të “afrimit me standartet e Be-së”, mbi të gjitha në sektorë në te cilat Kooperacioni për Zhvillim i Ministrisë së Punëve të Jashtme mund të bazohet ne përvojen e gjatë të saj.
Për Shqipërinë këto sektorë mund të jenë: përmirësimi i shërbimeve thelbësore (arsim, shëndetësi), zhvillimi i sektorit privat –në veçanti mbështetja e bizneseve të vogla dhe të mesme- si dhe përforcimi i sektorit energjetik.
Më besoni, shpresoj të mund të konkretizoj periudhën e qëndrimit tim në Shqipëri me një kontribut thelbësor dhe pragmatik për zhvillimin social dhe ekonomik të Vendit.
Le të ndalemi pak në situatën brenda Vendit. Shqipëria po bëhet gati për zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Ndërkohë ka paralajmërime nga BE për vonesa sidomos në bërjen e kodit zgjedhor, dhe paralajmëerime më së shumti për konsensusin në reformën në drejtësi. Cilat janë sugjerimet tuaja konkrete dhe a ndjeni ndopak shqetësim për “turbullirat” që krijohen në të tilla raste? A do të ndikojnë këto në investimet e ardhshme që mund të planifikohen?
Siç thashë edhe më parë, Shqipëria ka bërë mjaft hapa përpara, sidomos në krahasim me gjendjen në të cilën Vendi ndodhej në një të shkuar jo të largët. Sigurisht, procesi i reformave të brendshme që është ndërmarrë nuk duhet të zbehet, por në të kundërt të shpejtohet, falë një bashkëpunimi bipartizan të gjithë forcave politike, për të bërë më të mundshëm dhe të afërt integrimin evropian. Vëmendje të veçantë kërkon ekuilibri mes pushteteve të Shtetit, duke respektuar normat kushtetuese të Vendit. Sektorët në të cilat klasa politike e Vendit duhet të përqendrojë vëmendjen janë tashmë të njohura dhe personalisht uroj –me dashurinë që kam për këtë Vend- që Shqipëria të mbajë këtë drejtim.
Për sa i perket zgjedhjeve, ne ashtu si edhe vëzhguesit e tjerë të Komunitetit Ndërkombëtar, ndjekim me vëmendje procesin zgjedhor që Shqipëria do të përballojë gjatë vitit te ardhshëm.
Përgatitja e zgjedhjeve, ndërtimi i kuadrit normativ dhe i një infrastrukture cilesore përfaqësojne pikat kyçe për një proces zgjedhor të rregullt dhe transparent. Zgjedhjet e ardhshme përbejnë një provë të rëndësishme, një “kartëvizitë” në kuadrin e procesit të afrimit në Bashkimin Evropian.
Unë personalisht shpresoj se Shqipëria do të dijë të tregojë në këtë rast pjekurinë politike dhe qytetare që në raste të tjera, nga fillimi i mandatit tim, kam patur rastin të vërej.
Ditën e hënë do të zhvillohet vizita e Ministrit të Jashtem Frattini. A mund të na thoni se cili do të jetë qëllimi i vizitës dhe çfarë pritet të shtohet në marredheniet mes dy vendeve pas kesaj?
Vizita e Ministrit të Punëve të Jashtme Frattini mban rëndesi thelbësore. Zhvillohet në një moment mjaft dinamik të marrëdhenieve dypalëshe mes Italisë dhe Shqipërisë, në fushën politike, ekonomike, kulturore dhe të kooperacionit për zhvillim. Do të na japë gjithashtu mundësinë që të përqëndrohemi në perspektivën euroatlantike të Vendit.
Dua të kujtoj se Ministri Frattini deri pak muaj më parë ka mbuluar detyrën e Zv. Presidentit të Komisionit Evropian dhe Komisarit për Drejtësi, Liri dhe Siguri. Pikërisht detyrave të mëparshme shikon me interes të veçantë aspiratat e Shqipërisë për hyrjen në familjen e madhe euroatlantike.
Vizita e sotme do t’i lejojë Ministrit Frattini të diskutojë me bashkëbiseduesit shqiptarë mbi sektorët kryesorë të bashkëpunimit dhe çështjet me interes të përbashkët në teatrin ndërkombëtar. Gjatë vizitës do të firmosen edhe një sërë aktesh me rëndësi të madhe: Marrëveshja dypalëshe për konvertimin e lejeve të drejtimit; kontrata për rikonstruksionin e nënstacionit elektrik “Tirana 2”; kontrata për koncesionin e parkut industrial të Koplikut; deklarata e mirëkuptimit nga ana e shoqërisë italiane Marseglia për realizimin e nyjes energjetike të Lezhës. Z. Minsitër do të dorëzojë 5 milionë euro (pjesë e një pakete prej 30 milionë euro, një pjesë dhurate dhe një pjesë kredi e butë), financim i programit të zhvillimit të kooperacionit të Ministrisë së Punëve të Jashtme italiane për sektorin privat dhe në veçanti për bizneset e mesme dhe të vogla shqiptare.
Siç e shihni bëhet fjalë për disa akte me rëndësi të madhe që theksojnë lidhjen speciale të Italisë me Shqipërine, në favor të rritjes ekonomike dhe sociale.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›