E Diel, 1 Nëntor 2026

Jo hetuesi, por qeverisje ndërkombëtare

Nga Bashkim Kopliku
Kryeministri ynë kërkoi “hetim ndërkombëtar” për mikun e vet Fazlliç. Pastaj, kur iu sulën amerikanët e pastaj dhe evropianët, e zbuti pak, duke kaluar në kërkesë për “hetim parlamentar”... 

... Në fakt, ajo që duhet në Shqipëri, është një qeverisje ndërkombëtare, një farë “UNMIA” (United Nations Interim Administration Mission in Albania) siç ishte UNMIK në Kosovë (United Nations Interim Administration Mission in Kosovo). Mbase hyrja në NATO (North Atlantic Treaty Organization) do ta kryejë në një farë mase këtë punë, pra qeverisjen e Shqipërisë jo nga kjo klasë e vjetër e politikës.
Kryeministri Berisha kërkoi hetim ndërkombëtar sepse deshi të bëjë diversion me puçin e shtetit që nisi, kur urdhëroi policinë të mos i bindet një kërkese ligjore të Prokurorisë së Shqipërisë. Natyrisht ai e dinte se nuk do t’i vinte njeri pas. Ai e dinte se do t’i përgjigjeshin siç iu përgjigjën—gjithsesi testoi se derisa do ta duronin amerikanët dhe të gjithë perëndimorët, miqtë tanë. Për fat të keq të tij, e për fat të mirë tonin, përgjigjja e tyre ishte e përkryer: me ashpërsinë që e kishte hak. Por megjithëse kësaj here nuk i eci, prapë se prapë vazhdon në të tijën: nxjerr ca kukulla të tijat, në katër anët e medias vizive (televizioneve), që mbushin hapësirën me absurde të tilla, saqë edhe militantët berishistë nuk po ua vënë më veshin. U bënë si shumë gjëra, edhe për stomakun e tyre (Gërdeci, Fazlliçi etj.)
Duhet të ndërgjegjësohemi të gjithë, më së fundi, se me berishizmin në krye Shqipëria rrezikon çdo çast të hidhet në erë, siç u hodh në 1997-n. Kjo sepse “mazhoranca” (në fakt minoranca) ka lejuar kapjen e shtetit nga një lukuni me principet berishiste, që mbledh brenda saj llumin e të gjithë shoqërisë (qëndrestarë e të rikthyer). Kjo është pasoja e praktikës berishiste, bile dhe e teorisë, se pushteti duhet mbajtur me çdo kusht e përjetë. Ata nuk ndalojnë para asnjë mjeti.
Llumet shoqërore kanë shumë nevojë për makijazh. Prandaj u duhet të thithin edhe ndonjë njeri të pastër, që ta nxjerrin para si emblemë ndershmërie. Natyrisht që këta të ndershmit brenda berishizmit, kanë patjetër të metën e madhe që ose janë naivë, ose janë njerëz që u rren mendja se dhe me ujq bëhet stan—edhe kjo e fundit, thellë thellë, pjesë e naivitetit të tyre është. Gjithsesi, të ndershmit sa më shpejt t’i shkëputen apo t’i kundërvihen aty ku janë berishizmit, aq më mirë për ata vetë, por dhe për Shqipërinë.
Mënyra normale, demokratike e heqjes së rrezikut, është heqja e berishizmit me votimin e pas disa muajve (atë që do të zhvillohet në vitin 2009)—e kjo ka shumë shanse të ndodhë. Por problemi është se tash 12 vjet me radhë, e sidomos këto tre vjetët e fundit, demokracia jonë është goditur vazhdimisht e rëndë (që nga viti 1996). Ka mjaft rrezik se prapë mund të mos sajohen dot kushtet e domosdoshme të demokracisë: zgjedhjet e pavjedhura, qoftë në ditën e votimit, qoftë dhe në muajt para votimit. Vjedhja në ditën e votimit është e lehtë për t’u konstatuar: korruptimi apo frikësimi i komisioneve të qendrave të votimit, deri dhe i komisionit qendror, që ata të numërojnë vota të padhëna.
Është më e vështirë të dallohet vjedhja e zgjedhjeve në muajt para votimit. Kjo vjedhje bëhet me lavazh truri me masmedia të shitura, me blerje votash me favore e pagesa me paratë e buxhetit etj. etj.

* * *
Meqë ndryshimi i gjendjes së Shqipërisë me anë të zgjedhjeve të lira ka vështirësitë e veta praktike, një zgjidhje shumë e mirë, shumë më e sigurt, do të ishte një qeverisje ndërkombëtare. E kjo mund të realizohet pjesërisht: të na pranojnë sa më parë në NATO—disa muaj para zgjedhjeve. Vërtetë që pranimi në NATO ka të bëjë kryesisht me ushtrinë, me forcat e armatosura. Por edhe ato që nuk janë “kryesisht”, nuk janë pak.
Ne mezi po presim anëtarësimin në NATO, kryesisht e pikërisht për ato efektet anësore që shpresojmë të ketë ky anëtarësim. Shpresojmë se me NATO-n do të jetë më i sigurt realizimi i ambientit demokratik të domosdoshëm që vota e shqiptarëve të shkojë e lirë në kutitë e votimit.
Berishistët po bëjnë sikur po plasin derisa të anëtarësohemi në NATO. Por kemi dyshime se nuk e duan me gjithë mend një gjë të tillë. Shohim se po bëjnë çmos të përzënë shumë organizma ndërkombëtare, si FMN (Fondin Monetar Ndërkombëtar), apo OSBE-në (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë) etj. Le të përpiqemi që të mos ia dalin t’i përzënë të gjitha.
Gjithsesi, me apo pa NATO-n, ne shqiptarët duhet të arrijmë të krijojmë ambientin demokratik, dhe t’i japim goditjen përfundimtare berishizmit, duke ua provuar edhe naivëve, sesa pavend ka qenë fjala që kanë mbi 12 vjet që e përsërisin: “Ja, kështu është demokracia, fiton ai që merr më shumë vota; Berisha votohet.” Në një ambient demokratik, berishizmi ka 12 vjet që nuk do të kishte marrë dot as 5 % të votave, si nuk mori komunizmi, kur iu hoq shtypja e demokracisë alla komuniste.
Pastaj pa berishizmin, prapë shumë punë e përpjekje do të ketë për të zgjedhur vazhdimisht më të mirën për vendin tonë, për Shqipërinë, por ky është një proces i përjetshëm, në çdo vend të botës. Por ama, lukunitë tip berishiste, kudo në botën perëndimore hiqen urgjentisht si skarcitet, si llum, pa ngecur tek sofizmi “kush do të vijë, po hoqëm ata”: kushdo që të vijë, nuk ka aq rëndësi të stërhollohet tani, sa pa hequr berishizmin. Kjo sepse, pasi të kemi hequr berishizmin, do të kemi hapur rrugën për përmirësim, do të kemi zhbllokuar procesin demokratik, do të kemi zhbllokuar ngecjen mbi 12-vjeçare “zgjidh në mes dy të këqijave të përjetshme”.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›