Alibeaj hesht për Gërdecin
“Lexoje dhe po pate ndonjë gjë të paqartë, takohemi”. Teksti është lexuar, ka pasur gjëra të paqarta dhe takimet janë zhvilluar. Në zyrën e tij të vjetër, në Këshillin e Ministrave. Kjo është vetëm një pjesë e korrespondencës që zhvillohej në trekëndëshin Këshilli i Ministrave, Ministria e Mbrojtjes nga janari 2007 deri në mars 2007, kulmi i tretë i trekëndëshit do të vinte një vit më vonë, ai do të ishte Gërdeci.
Në një javë të tërë, mbas akuzave të drejtpërdrejta për përfshirjen e tij në skandalin e Gërdecit, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka heshtur. Është vërtetuar dhe ekzistojnë prova të shumta, të cilat e lidhin zotin Alibeaj me autorësinë e të gjithë procedurës së hartimit të kuadrit ligjor që do të kulmonte me tragjedinë e Gërdecit. Një pjesë e këtyre provave ndodhen në dosjen voluminoze të hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, kurse një pjesë tjetër, pritet të dorëzohen shpejt aty nga persona që janë të interesuar që rrethi i zyrtarëve të lartë të implikuar në këtë tragjedi të rritet edhe më tej. Por jo nga opozita. Provat kryesisht janë pjesë e korrespondencës elektronike dhe jo vetëm të tillë mes Alibeajt - atëherë drejtor i Departamentit Antikorrupsion në Këshillin e Ministrave - dhe zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes, por dhe pjesë e dëshmive tashmë të fiksuara në dosjen hetimore të tragjedisë.
Për herë të parë emri i Alibeajt është përmendur në dëshminë e një ish-kolegu të tij, deputet, i cili ka konsideruar “asistencën” e dhënë nga Alibeaj si një përpjekje për të marrë ekspertizë të kualifikuar. Pavarësisht se për një fakt të tillë askush nuk konfirmon asgjë zyrtarisht, mendohet se po ky zyrtar ka ofruar për prokurorët një pjesë të korrespondencës të firmuar nga Alibeaj. Gjithashtu, mendohet se numri i e-mail-eve të shkëmbyera është më shumë se dhjetë të tillë, por nuk bëhet e ditur, nëse të gjithë ata janë të administruar në dosje. Një pjesë e tyre ka pasur për marrës direkt Plarent Rukon, këshilltar Juridik i ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediu. Gjë që natyrisht është bërë me dijeninë e plotë të vetë ish-ministrit Mediu. Vetë Ruko ka shpjeguar gjatë dy javëve më parë - pritet ta bëjë sërish një gjë të tillë - pozicionin e tij në këtë histori dhe llojin e marrëdhënies me Alibeajn. Ai ka shpjeguar mënyrën se si është njohur me ministrin aktual, vendosjen e kontakteve me të dhe bashkëpunimin që patën për disa muaj rresht.
Një bashkëpunim që nisi që mbas 27 dhjetorit të vitit 2006, kur në Ministrinë e Mbrojtjes u protokollua kërkesa që bëri amerikani Patrick Henry III për të demontuar një sasi prej 140 milionë fishekësh. Henry sqaronte se kishte krijuar kompaninë “AlbaDemil” me Delijorgjin dhe se do të vinte në dispozicion deri në 20 makineri të posaçme për procesin dhe se garantonte ekspertizën e tre deri në pesë specialistëve amerikanë për procesin.
Që nga kjo datë hyn në lojë dhe Alibeaj dhe asistenca e tij juridike, por e pambështetur kund në ligj. Dhe kjo është vetëm pjesa e dukshme e fakteve që implikojnë direkt Alibeajn; për prokurorinë është e qartë dhe ka siguruar dëshmi të shumta, se Alibeaj, pa asnjë lidhje me procesin, ka udhëhequr gjithashtu një numër mbledhjesh në zyrën e tij në Këshillin e Ministrave me zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes pikërisht për hartimin e kuadrit ligjor. Përgjigjen e “Pse”-ve të shumta që lindin në lidhje me këtë fakt, prokuroria pret ta marrë nga vetë zoti Alibeaj. Por në këtë pikë, burimet prej saj janë tërësisht të rezervuara. Edhe pse në fillimjavë në media u njoftua se Alibeaj, por dhe ish-ministri Bumçi e ministri i Financave, Bode, do të thirren për të dëshmuar në lidhje me dijeninë e tyre për këtë çështje, një gjë e tillë nuk konfirmohet zyrtarisht. Të paktën Bumçi ka mohuar të ketë marrë një fletëthirrje të tillë, edhe pse ka shprehur gatishmërinë që të vihet në dispozicion të organit të akuzës për t´u shpjeguar çfarë ka bërë dhe çfarë ka dijeni për çështjen.
Prokuroria po heton aktualisht në tri linja, shpërthimin e fabrikës së vdekjes, trafikun hipotetik të municioneve dhe korrupsionit të shkaktuar nga zyrtarët e lartë të shtetit dhe implikimin e tyre në skandal.
Vetë Alibeaj ka zgjedhur të heshtë. Asnjë prononcim zyrtar për akuzat dhe asnjë fjalë për rolin e tij në tragjedinë e Gërdecit. Në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, gjithashtu të ndryshuar në harkun e një jave vetëm një herë, njoftimi i parafundit është pikërisht një përgënjeshtrim për disa “...informacione dezinformuese në lidhje me procedurën e kontrollit të inspektoratit të prokurorisë pranë Ministrisë së Drejtësisë të bazuar në Urdhrin e ministrit të Drejtësisë, nr. prot 7241/2, datë 10.10.2008 dhe Njoftimit të ministrit të Drejtësisë për Prokurorin e Përgjithshëm nr. prot. 7241/3, datë 10 .10.2008”. Në këtë njoftim kërkohej të shpjegohej baza ligjore e reagimit të Ministrisë së Drejtësisë për kontroll në Prokurorinë e Përgjithshme dhe objekti i vetë urdhrit të ministrit. Kurse njoftimi i fundit shkon për qytetarët e interesuar “...që kanë aplikuar për të përfituar dëmshpërblim financiar bazuar në ligjin nr. 9831, datë 12/11/2007 “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist” dhe iu bënte me dije aplikantëve “të cilët marrin njoftime për plotësim dokumentesh apo plotësim formularësh të vetëdeklarimit se në përgjigjen e tyre duhet të përcaktojnë numrin e dosjes dhe datën e regjistrimit të saj”.
Ka shkuar shumë lart
Në dritën e fakteve të reja, ka përfundime interesante, të cilat mund të shpjegojnë edhe kulisat që çuan në ndryshimin e tre emrave në më pak se tre vjet në krye të Ministrisë së Drejtësisë. Menjëherë mbas zgjedhjeve të korrikut 2005 në këtë post u ul deputeti Aldo Bumçi. Asnjëherë nuk u bënë të qarta motivet se pse ai u largua nga kjo detyrë pothuaj një vit e gjysmë më pas, mbas zgjedhjeve lokale të shkurtit 2007, kur u zëvendësua nga Ilir Rusmali, deri atëherë zëvendëskryeministër. Të paktën deri në ditët e fundit kur pritej të ndodhte një gjë e tillë, Bumçi ende shpresonte se do të vazhdonte ta mbante edhe më tej këtë post. Ai vetë, për shkak të natyrës së punës në Ministrinë e Drejtësisë, ishte i detyruar të kalonte nëpër duar dhe të kodifikonte të gjitha praktikat ligjore dhe iniciativat e marra nga Këshilli i Ministrave. Si pasojë, ai ka qenë ligjërisht i detyruar të shprehej dhe për vendimin e Këshillit të Ministrave me numër 138, datë 14 mars 2007 “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi”. Ky vendim përcaktonte të liberalizonte tregun e armatimeve në vend, përcaktonte ndër të tjera në pikën 2, 3 dhe 4 a dhe b:
“2. Shitja e armëve, teknikës, pajisjeve, municioneve dhe lëndëve eksplozive të Forcave të Armatosura realizohet nëpërmjet ndërmarrjes MEICO, e cila zbaton çmimet e miratuara në pikën 1 të këtij vendimi.
3. Armët, teknika, pajisjet, municionet dhe lëndët eksplozive, të kërkuara për përdorim ushtarak, pas negocimeve i shiten kërkuesit më të parë, duke realizuar një çmim sa më të lartë, por jo më të ulët se çmimi i miratuar në pikën 1 të këtij vendimi.
4. Blerësi duhet të plotësojë këto kushte:
a) Të jetë i licencuar në këtë fushë në vendin e origjinës;
b) Të paraqesë deklarimin e përdoruesit të fundit ose një dokument tjetër lejues për import, nga autoriteti i vendit importues.”
Pika 3 e vendimit përcaktonte se arsenali i Forcave të Armatosura, pas negocimeve, “...i shitej kërkuesit më të parë...” Dhe i pari dhe i vetmi kërkues ishte SAC i Henry-t me derivatin shqiptaro-amerikan “AlbaDemil”.
Në datën 9 mars 2007, me një shkresë me numër protokolli 1594/1, ish-ministri Bumçi firmos mendimin pozitiv dhe “votën” e tij pro, në mbledhjen e pesë ditëve më vonë në Këshillin e Ministrave, duke sugjeruar veç të tjerash, edhe ndryshimin e një fraze në të: shprehja në anglisht “End User”, të përkthehej në shqip në trajtën “përdoruesi i fundit”, siç dhe është pasqyruar në tekst në pikën 4 të vendimit, germa b. Një firmë ministrore që megjithatë nuk mjaftoi që Bumçi të qëndronte më gjatë ministër, pavarësisht shpresës që i kishte krijuar pikërisht kjo firmë.
Ai zëvendësohet në detyrë nga Ilir Rusmali, që u largua me dorëheqje nga drejtimi i ministrisë për shkak të një afere që lidhi emrin e tij, emrin e të vëllait dhe të ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, e bërë publike po nga vartësi i tij i drejtpërdrejtë i burgjeve. Kryeministri Berisha, duke pranuar dorëheqjen e Rusmalit, konstatoi në këtë veprim “vendosjen e një standardi të lartë përgjegjshmërie” të ish-zëvendësit të tij dhe firmosi për Alibeajn, njeriun që po provohet se kishte lidhje direkte me Gërdecin, një firmë që u hodh në nëntor të vitit 2007.
Ministri Alibeaj ka vendosur një “rekord” domethënës, kur brenda 24 orëve ai u përmend direkt nga ambasadori amerikan, John Withers, për shkak të marrëdhënieve të tendosura me Prokurorinë e Përgjithshme që krijoi urdhri i tij i datës 10 tetor 2008.