E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sadiku vendos për Shqipërinë

Mbrojtësi kosovar Loret Sadiku ka vendosur që të luajë për kombëtaren e Shqipërisë në të ardhmen. Sadiku 22-vjeçar ishte në mes Shqipërisë e Suedisë, ndërsa thotë se tashmë vendimi është përfundimtar.

"Kam vendosur për Shqipërinë dhe ky është vendim përfundimtar. Nuk kam më të bëj me Suedinë. Pres që të pajisem me pasaportë të Shqipërisë dhe shpresoj të ftohem për ndeshjet e shtatorit", ka thënë Sadiku të mërkurën për gazetën.

Ai thotë se në Federatën Shqiptare të Futbollit ka nisur dy dokumente, ndërsa duhet të nis edhe një që të fillojë procedura për pajisje me pasaportë shqiptare. Sadiku luan për Helsingborgun në Suedi, ndërsa për U-21 të këtij vendi ka luajtur tri herë.

Ndërkohë, në FSHF të mërkurën kanë thënë se së fundmi nuk kanë patur kontakte me Sadikun. Drejtuesit e FSHF-së, sipas "Panorama-Sport" druhen që Sadiku është duke bërë sërish lojë të dyfishtë. Ai është ftuar dy herë deri më tani nga Shqipëria, por ka kërkuar më shumë kohë dhe është arsyetuar se është i lënduar. Në FSHF nuk janë të bindur nëse Sadiku e ka seriozisht që të vishet kuqezi, apo po i bën sërish presion Suedisë./Indeksonline/  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›