E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elis Guri: Ju rrëfej "armët" e mia në Olimpiadë

Nga Aida TUCI
Elis Guri ishte sportisti që preu "biletën" e parë të kualifikimit për mundjen shqiptare për në Lojërat Olimpike "Pekin 2008". Në shtator të 2007-s, në Kampionatin Botëror që u zhvillua në Baku të Azerbajxhanit, sportisti shkodran u klasifikua në vendin e 7-të në peshën 96 kg të mundjes klasike, duke fituar të drejtën e përfaqësimit në Lojërat Olimpike të Pekinit. Dy ditë më vonë, atij do t'i bashkangjitej edhe Prizreni. Por pavarësisht asaj që do vinte më vonë, Elis Guri mbetet sportisti që për herë të parë coi mundjen shqiptare në një olimpiadë me kualifikim direkt.
Në gjurmët e babait
Elis Guri vjen nga një familje me traditë në sportin e mundjes. Në gjenet e tij ai ka trashëguar talentin dhe dashurinë për këtë sport. Kapjet e para ia mësoi babi i tij, një mundës i njohur i stilit klasik dhe i peshave të rënda, ashtu si dhe Elisi.
Por emri i babait të tij, Iljaz Guri, është gdhendur në sukseset e shumë viteve më parë të mundjes shqiptare. Në Kampionatin Europian të vitit 1973, që u zhvillua në Helsinki, Iljaz Guri klasifikohet i 6-ti në peshën 90 kg. Pas 35 vjetësh, i biri Elis Guri po në Finlandë, në Kampionatin Europian të vitit 2008, e tejkalon të atin, duke u renditur i treti në Europë në peshën 96 kg. "Në Kampionatin Botëror që u zhvillua në Baku të Azerbajxhanit më 2007, u rendita i 7-ti. Ishte një sukses shumë i madh për mua, sepse arrita të kualifikohesha për në Lojërat Olimpike, por pas garës, edhe pse isha i lumtur, do të doja të isha renditur një vend më lart, në të 6-tin, pasi ky numër është i lidhur me kujtimin më të bukur të babait tim, i cili u rendit në vendin e 6-të në Kampionatin Europian të Mundjes. Por jam shumë i lumtur që pikërisht në Europianin e 2008-s, pikërisht në Finlandë, arrita ta tejkaloj edhe tim atë, duke u renditur në vendin e 3-të në peshën 96 kg,"- shprehet Guri, që është shumë krenar që ka ecur në gjurmët e të atit.
Sot një shkallë, nesër një tjetër
Mundësi kuqezi ishte ndër të paktët sportistë të ekipit tonë olimpik që preferoi të stërvitej jashtë Shqipërisë për Lojërat Olimpike "Pekin 2008". Ai gjeti mundësinë të stërvitej me ekipin kombëtar të Bullgarisë, që po përgatitej për pjesëmarrjen në olimpiadën e Pekinit. "Për gati 2 muaj jam stërvitur në Bullgari me ekipin kombëtar të mundjes. Jam ndier i vlerësuar atje, sepse gjeta mbështetje nga ana e trajnerëve dhe sportistëve. Në Bullgari gjeta mundësinë të stërvitem me sportistë më të mirë në botë. Bullgaria e ka traditë sportin e mundjes dhe për më tepër në qendrën stërvitore të ekipit kombëtar vinin dhe shumë ekipe të shteteve të tjera, që stërviteshin me ekipin bullgar. Kjo më ndihmoi të njihja kundërshtarët e mi dhe sigurisht që ndikoi pozitivisht në rritjen e cilësisë sportive. Mendoj se stërvitja atje më ka vlejtur, por gjithcka do të tregojë Olimpiada. Për mua si sportist, Lojërat Olimpike janë kulmi i karrierës sime. Sigurisht, dëshira më e madhe është që në këto lojëra të arrij në zonën e medaljeve. E gjithë vëmendja ime është përqendruar te ky eveniment dhe për këtë kam bërë dhe do të bëj deri ditën e garës përpjekjet maksimale për të hyrë në zonën e medaljeve. Jam i bindur që do të jetë shumë e vështirë, por unë gjithsesi do të mundohem të jap maksimumin tim. Nëse medalja vjen pas kësaj, unë do të jem shumë i lumtur. Sot ngjit një shkallë, nesër një tjetër,"- shprehet i treti në Europë, Elis Guri, i cili ashtu si dhe mundësi Sahit Prizreni biletën për në Pekin e preu që me përfaqësimin e tij në Kampionatin Botëror të Mundjes, që u zhvillua në shtator të 2007-s në Baku të Azerbajxhanit, aty ku Guri u klasifikua i 7-ti në peshën 96 kg, ku konkurroi. Tanimë, për Gurin, i cili u rendit i shtati në Botërorin e Azerbajxhanit dhe i treti në Kampionatin Europian që u zhvillua nga data 1-6 prill të 2008-s në Tempere të Finlandës, vëmendja është përqendruar vetëm të konkurrimi i tij në Lojërat Olimpike "Pekin 2008".
"Besimi te vetja, suksesi im"
Përvec qetësisë që e karakterizon, ajo që Elis Guri e quan si "celësin" e suksesit të tij është besimi i madh që ka te vetja". "Nëse përgatitja ime fizike më jep bindje të plotë te vetja se mund të arrij objektivin që i kam vënë vetes, atëherë kjo ndodh. "Këtë bindje në fakt pata edhe në Kampionatin Europian. Shkova me synimin që do të arrija deri te medalja dhe ia arrita. Në fakt, kisha krijuar një bindje që medalja ime e parë për këtë vit do të vinte në Olimpiadën e Pekinit. Ajo erdhi pak më shpejt nga sa e kisha parashikuar. Kjo medalje më forcon bindjen personale që do të jem i suksesshëm edhe në Pekin. Gjithcka që kam arritur në europian dhe gjithcka që do arrij në Pekin, pa dyshim që ia dedikoj përgatitjes sime në Bullgari dhe, sigurisht, edhe trajnerit tim, Besnik Shehu,"- shprehet Elis Guri, duke konfirmuar dhe një herë se në Pekin ai shkon si sportist i nivelit të lartë. Në Bullgari mundësi shqiptar u grumbullua bashkë me ekipin kombëtar. Stërvtija në mundje ka specifikën e saj. Ashtu si boksi, një sportist i mundjes që të kryejë stërvitjen, i duhet të ketë një kundërshtar në tapet. Duke qenë se Elis Guri është sportist i peshës së rëndë në mundje (96kg) vështirësia e stërvitjes së tij në Shqipëri qëndronte dhe në faktin se nuk gjente partner të denjë për stërvitje të peshës së tij. Të tillë mund të gjente vetëm në ndonjë ekip jashtë. Kështu, vendi më i afërt me sportistë cilësorë ishte Bullgaria. "Edhe vetë sportistët bullgarë të peshave të rënda e kanë të vështirë të gjejnë partner stërvitjeje. Në këto kushte, interesi ishte i dyfishtë. Edhe ata kishin nevojë për mua dhe unë për ata. Sigurisht, unë mësova më shumë dhe pa dyshim që përgatitja ime fizike dhe teknike është përmirësuar shumë në Bullgari. Gjatë kohës që qëndrova në Bullgari ka ardhur të më shihte dhe trajneri im, Besnik Shehu. Besoj se gjithcka që kam arritur të fitoj në Bullgari do më ndihmojë t'i përballoj denjësisht kundërshtarët e mi olimpikë,"- shprehet Guri.
Befasia, filozofia e mundjes
Sipas Gurit, një mundës mund t'i njohë kundërshtarët në aktivitetet e ndryshme sportive ku merr pjesë, por asnjëherë nuk e di se cilin prej tyre do t'i vërë fati përballë. Kjo filozofi e sportit të mundjes është dhe filozofia e taktikës së Elis Guri. "Kundërshtari që shorti më ka vënë përballë, mund të jetë më i fortë fizikisht dhe më i përgatitur teknikisht se unë, megjithatë ai asnjëherë nuk arrin të kuptojë se cilin ka përballë. Në mundje kundërshtari mësohet kur hidhet shorti pak minuta para se të ndeshesh me të në tapet. Kjo është bukuria në takimet e mundjes, se asnjëherë nuk e di se cilin kundërshtar do të të vërë shorti përballë. Nëse fati të sfidon me një kundërshtar të fortë, duhet të mbledhesh forcat, por dhe nëse ndodh e kundërta, që fati të jetë me ty, nuk duhet ta neglizhosh aspak kundërshtarin, sepse pikërisht në atë moment je i humbur,"- shpjegon Guri. Këtë filozofi kishte parasysh Guri edhe në momentin kur në finalet e Kampionatit Europian shorti i solli përballë kampionin e botës në fuqi, estonezin Heiki Nabi.
Elis Guri
Datëlindja 6.07.1983
Vendlindja Shkodër
Sporti Mundje (stil klasik)
Gjatësia 188cm
Pesha 96kg
Rezultatet: 2005 Lojërat Mesdhetare "Almeria 2005" /vendi 7 të
2006 - Turneu botëror Trofeu "Milone", Italia/ medalje argjendi
2007 - Kampionati Botëror Baku Azerbajxhan/ vendi 7 të
2008 - Kampionati Europian Tempere Finlandë/ medalje bronzi
Pjesëmarrja në "Pekin 2008": Me kualifikim i 7-ti në Kampionatin Botëror Baku Azerbajxhan
Objektivi në "Pekin 2008": Klasifikimi në 5-shen më të mirë të peshës 96 kg në olimpiadë

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›