E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Në vitin 04 u hetua trafiku i organeve

Stafi i Sollakut: Ju tregojmë takimin me Karla Del Ponten. Hetuesit e Hagës nuk gjetën prova

Prokuroria shqiptare përjashton në mënyrë kategorike ekzistencën e një kampi të UçK-së në Shqipëri, për tortura, vrasje dhe viktima të trafikimit të organeve. Sipas zyrës së akuzës qendrore, drejtësia shqiptare ka hetuar me përgjegjësi të plotë çdo lloj pretendimi të shteteve të interesuara, madje në vitin 2004, disa hetues të Prokurorisë pranë Gjykatës së Hagës kanë ardhur në vendin tonë, ku kanë kryer një verifikim të hollësishëm në një banesë në qytetin e Matit. Pas hetimeve, ku janë marrë kampionë dhe të dhëna të mjaftueshme, nuk ka rezultuar se në banesën në fjalë kryhej transplant organesh.

Gazeta “Shqip” është interesuar për hetimin në fjalë te stafi i ngushtë i ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku, pas deklaratës së raportuesit të OKB-së për zhdukjet dhe vrasjet pas luftës së Kosovës. Ata kanë deklaruar se në mesin e vitit 2004, një përfaqësi prej 14 zyrtarësh nga Prokuroria e Hagës, të kryesuar nga shefja e akuzës, Karla Del Ponte, kanë vizituar Shqipërinë dhe përkatësisht kanë zhvilluar një takim me ish-prokurorin e Përgjithshëm, Theodhori Sollaku. Pas bisedës rreth 40-minutëshe në zyrën e prokurorit Sollaku, hetuesit në fjalë janë nisur në veri të Shqipërisë. Karla Del Ponte dhe Theodhori Sollaku nuk kanë shkuar në banesën ku pretendohej se ishte një klinikë transplantesh, por kanë preferuar të drekojnë në një qytet bregdetar.

Stafi i ngushtë i Sollakut deklaron se gjatë drekës biseda ishte rreth çështjes nëse ishin vrarë serbë në territorin shqiptar. Në këtë kuadër, Carla Del Ponte i ka bërë të ditur Prokurorit të Përgjithshëm se kishte informacion për disa varre të serbeve të vrarë në Veri të Shqipërisë, madje gjatë takimit në konfidencë e sipër ka përmendur emrin e qytetit të Burrelit. Sollaku i është përgjigjur se nuk kishte informacion të tillë, por ishte i gatshëm t’i ofronte çdo lloj ndihme me prokurorë dhe t’i krijonte të gjitha hapësirat për të verifikuar dhe hetuar nëse ky informacion ishte i saktë.

Krahas bisedës në drekë, një grup pune me ekspertë dhe hetues të Hagës kanë shkuar në fshatin Gurrë. Në vendin ku pretendohej se kishte qenë klinikë, banonte një familje, e cila ditën e hetimeve është nxjerrë jashtë. Hetuesit e Hagës, në bashkëpunim me prokurorin e Matit, A.D., kanë verifikuar banesën, duke përdorur dhe aparatura të specializuara me rreze x për të përcaktuar nëse në banesë kishte mbetje gjaku. Nga kontrolli nuk ka rezultuar asnjë pretendim për një klinikë të mundshme të transplantit të organeve. Verifikimi ka vazhduar edhe në disa zona të tjera, ku ka rezultuar se nuk kishte asnjë provë që të vërtetonte se kishte të vrarë serbë, aq më tepër të qenë kryer transplante organesh.

Raportuesi i OKB-së deklaroi disa ditë më parë se autoritetet shqiptare besojnë fuqimisht se pretendimet kanë motive politike, dhe janë absolutisht pa asnjë themel. “Mbi këtë bazë, asnjë nga përpjekjet për hetim nuk ka marrë një bashkëpunim domethënës nga ana e qeverisë së Shqipërisë. Ndërkohë që mua m’u ofrua një numër shpjegimesh, ato përbënin praktikisht një lojë pingpongu burokratik dhe diplomatik, në të cilën përgjegjësia për mospërgjigjen ndaj kërkesave për bashkëpunim kalohej nga njëra zyrë te tjetra, ku secila këmbëngulte se nëse do t’u kërkohej nga autoritetet e duhura dhe sipas kushteve të duhura, ata nuk do të ngurronin të merrnin pjesë. Por në thelb duket se çështja ka mbetur përfundimisht në vend”, tha përfaqësuesi i OKB-së.

Megjithatë, krejt e kundërta referohet nga drejtësia shqiptare, ku Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme i kanë kthyer përgjigje dhe kanë pritur në takim të gjithë të interesuarit, përfshirë këtu edhe prokurorin e luftës në Serbi, të cilin e kanë njohur me rezultatet e hetimit të vitit 2004. Reagimi zyrtar i akuzës qendrore shqiptare është se për këtë çështje janë kryer të gjitha veprimet e duhura nga hetues të huaj e shqiptarë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›