Bonot e thesarit, më shumë hapësirë për individët
Ministria e Financave ndryshoi marrëveshjen që ka me Bankën e Shqipërisë për emetimin e bonove të thesarit, duke shtuar hapësirën e lejuar për blerjen e borxhit publik nga investitorët e vegjël individualë, bëhet e ditur nga burime zyrtare. Marrëveshja që ngarkon BSH për shitjen e titujve të borxhit për llogari të Ministrisë së Financave, lejonte më parë që blerjet pa ankand nga ana e individëve të mos kapërcenin 30 për qind të totalit të kërkuar nga Financat, ndërsa me një ndryshim të marrëveshjes, kjo kuotë u rrit në 50 për qind. Individët kanë blerë deri tani rreth 10 për qind të totalit të borxhit publik, ndërsa kjo kuotë pritet të rritet më shumë në të ardhmen.
Tregu i borxhit publik shpërndan çdo vit për investitorët rreth 30 miliardë lekë interesa dhe është sot për sot mënyra më fitimprurëse për të investuar kursimet. Shumica dërrmuese e këtij borxhi është blerë nga bankat, të cilat investojnë aty depozitat e qytetarëve dhe kompanive. Bankat në Shqipëri ofruan 6.8 për qind interes për depozitat njëvjeçare në lekë, ndërkohë që e njëjta shumë mund të investohej në bono thesari përkundrejt interesit 9 për qind.
Individët mund të investojnë pa marrë pjesë në konkurs shuma që mund të variojnë nga 300 mijë deri në 30 milionë lekë. Marrëveshja e emetimit sanksiononte se blerësit e vegjël nuk mund të blinin më shumë se 30 për qind të totalit të kërkuar nga Ministria e Financave, gjë që i linte një pjesë të investitorëve pa hapësirë. Me ndryshimin e fundit, individët do të mund të blejnë deri në 50 për qind të kërkesës për borxh nga qeveria.
#