Ministri grek personifikon krimin vetëm me shqiptarë
Pak ditëm më parë, pas përplasjes me armë të shqiptarëve me policinë, qytetarët filluan t’i cilësonin emigrantët si vrasës
Një ministër grek ka sulmuar komunitetin shqiptar në Greqi, duke i personifikuar me krimet e ndryshme që ndodhin në vendin fqinj. Ai i ka marrë shqiptarët si “etalon”, teksa fliste për krimin e organizuar në Greqi, duke shpjeguar se nëse nuk ka ndodhur ndonjë e keqe deri tani, kjo vjen për shkak të fatit.
Bëhet fjalë për Ministrin e Mbrojtjes së Qytetarit në shtetin e Greqisë, Mihalis Hrisohoidhis. Ai i ka lëshuar këto deklarata gjatë një interviste për gazetarin Jorgos Papadhakis. Gjatë intervistës në një nga televizionet greke, Hrisohoidhis deklaroi se trafiku i femrave dhe i lëndëve narkotike ka zaptuar vendin, duke shtuar se Greqia gjendet jashtëzakonisht në pikat më të larta të kriminalitetit. Por, kur ka dashur të japë argumente në lidhje me këtë problem, ka vënë në dukje vetëm raste shqiptarësh.
“Para disa ditësh pashë një shqiptar që po ndiqte një çift grek me një Kallashnikov në dorë. Para disa ditësh u arrestua një shqiptar, i cili trafikonte femra, në emrin e të cilit u gjetën 5 milionë euro dhe u sekuestruan 5 skafe me vlerë 45 milionë euro. Krimi i organizuar mbizotëron kudo”, ka deklaruar ai duke u referuar për problemet e ndryshme të krimit të organizuar. Më tej, pa përmendur asnjë kombësi tjetër, ministri grek theksoi se fakti që vendi nuk ka pësuar ndonjë të keqe të madhe është thjesht fat.
Kjo deklaratë ka sjellë reagimet e para nga agjencitë shqiptare të lajmeve në Greqi, që e kanë vënë në dukje këtë intervistë, që sipas tyre ka sjellë pakënaqësi në komunitetin e vendit tonë në shtetin helen. Sipas të dhënave, ky nuk është sulmi i parë që u bëhet emigrantëve shqiptarë, në Greqi, por jo nga pushtetarë të këtij vendi.
Vetëm pak ditë më parë, kur pati një përplasje me armë mes dy grabitësve shqiptarë dhe policisë greke dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i vrarë një emigrant i rregullt shqiptar, filluan disa reagime nga njerëz të ndryshëm. Nga mediat u deklarua ato ditë se edhe në kopsht, fëmijët nuk pranonin të rrinin, aty ku kishte fëmijë të emigrantëve shqiptarë. Madje, sipas edukatoreve të tyre, ata shpreheshin se kishin dëgjuar prindërit në shtëpi se shqiptarët janë vrasës e kriminelë.
Për këtë komuniteti shprehu indinjatën e thellë, duke u shprehur se jo të gjithë ishin kriminelë. “Ashtu si Greqia ka shtetasit e saj të inkriminuar, ka çdo vend tjetër i botës”, shpreheshin ata duke uruar që raste të veçuara mos të krijonin opinion për të gjithë popullin shqiptar.