Saimir Pirgu në operën ‘Luçia e Lamermurit’

Në shfaqjen e kompozitorit italian Gaetano Donixeti, tenori shqiptar interpreton në rolin e Edgardos, ndërsa në rolin e Luçias interpreton Sarah Coburn.
30 vjeçari shqiptar ka vite që është ndër emrat e njohur të botës operistike me interpretimet e tij në operat ‘Traviata’, ‘Boheme’, ‘Cosi fan tutte’, apo ‘Don Giovanni’, por për të është hera e parë pjesëmarrja në një aktivitet artistik të këtyre përmasave në qendrën e arteve Kenedi në Washington.
Karriera e Saimir Pirgurt ka nisur në Shqipëri, por suksesi i tij i parë ka qenë çmimi ndërkombëtar ‘Enrico Caruso’ në vitin 2002, i cili hapi dyert e bashkëpunimeve të rëndësishme dhe interpretimeve në skenat e mëdha botërore.
Ecuria e artit klasik shqiptar gjithmonë ka qenë në vëmendjen e tenorit Saimir Pirgu, i cili për Zërin e Amerikës thotë: “Në Shqipëri është pak e vështirë të bësh opera, pasi kemi një rrugë të gjatë për t’u integruar në pjesën tjetër të Europës që na ka munguar prej 50 vitesh. Por fatmirësisht ne kemi një traditë të bukur, dhe ajo që mund të bëjnë emra si unë, Ermonela Jaho, Inva Mula, apo Tedi Papavrami është që të shkojmë e të bëjmë diçka në Shqipëri, një shfaqje, koncert, apo qoftë edhe disa orë mësimi për të rinjtë që studiojnë atje”.
Është hera e parë që tenori shqiptar Saimir Pirgu ngjitet në skenën e operës kombëtare të Washingtonit. Drejtoresha artistike e aktivitetit operistik në këtë qendër Kristina Shepelman, shprehet me entuziazëm për tenorin shqiptar.
“Ai ka një zë të mrekullueshëm, është një këngëtar shumë i madh. Për mua nuk ka rëndësi kombësia e artistëve, opera nuk ka këto kritere! Saimir Pirgu është një këngëtar i ri në moshë, por që ka arritur shumë në karrierën e tij artistike”, thotë ajo.
Opera “Luçia e Lamermurit” me pjesëmarrjen e tenorit shqiptar Saimir Pirgu do të shfaqet në qendrën e arteve Kenedi në Washington deri më 19 nëntor.