E Diel, 1 Nëntor 2026

Sajmir Tahiri fton ambasadorin amerikan të jetë i pranishëm në seancën e fundit të gjyqit me fëmijët e Berishës

Share

Kryetari i Partisë Socialiste për degën e Tiranës, deputeti Sajmir Tahiri, i ka dërguar një letër ambasadorit amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ku i shpjegon se si ka ecur gjyqi ndaj tij pas një padie të ngritur nga fëmijët e kryeministrit Sali Berisha. Pasi shpjegon se si gjykata ka refuzuar provat, Tahiri e fton ambasadorin që të marrë pjesë në seancën e fundit të këtij gjyqi. Në gjykimin tim, gjyqe të tilla, kundër meje apo kolegëve të mi, nuk janë asgjë më tepër sesa një instrument tjetër që synon të na ndalojë të ngremë zërin për korrupsionin, skandalet dhe aferat e atyre që kanë sot pushtetin në Shqipëri, shkruan Tahiri.

Më poshtë letra e plotë

Shkëlqesisë së tij, Aleksandër Arvizu

Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

I nderuar Ambasador,

Në rolin tim si anëtar i Parlamentit Shqiptar dhe Kryetar i Partisë Socialiste për Tiranën, unë kam qenë gjithnjë një kritik i ashpër i sistemit shqiptar të drejtësisë dhe degradimit të sundimit të ligjit në vend si pasojë e presioneve financiare dhe politike të ushtruara nga një rreth i ngushtë njerëzish të cilët kontrollojnë pushtetin ekonomik dhe politik në Shqipëri.

Dëshiroj po ashtu të theksoj se unë kam shpenzuar shumë energji për ti sjellë këto shqetësime në vëmendjen e publikut me synimin për të kontribuar drejt konsolidimit të sistemit të drejtësisë dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve të Shqipërisë tek aftësia e sistemit të drejtësisë për të dhënë drejtësi.

Disa muaj më parë unë shpreha publikisht shqetësimin tim në lidhje me nivelin e korrupsionit në vendin tonë dhe pandëshkueshmërinë që gëzojnë ata që janë në pushtet; një e drejtë por mbi të gjitha një detyrim për mua në funksionin tim si një politikan i opozitës. Unë u shpreha se djali dhe vajza e kryeministrit Sali Berisha, respektivisht Shkëlzen Berisha dhe Argita Malltezi janë përfshirë në afera korruptive; një pohim që e mbështesja në informacione, evidencë dhe të dhëna të siguruara përmes burimeve të mia, por të mbështetura po ashtu nga akuzat e publikuara në media në lidhje me disa skandale korrupsioni. Unë u padita nga fëmijët e kryeministrit, të cilët më akuzuan për shpifje dhe kërkojnë një dëmshpërblim prej 8 milion lekësh, apo rreth 60 mijë eurosh, për dëmin që i është bërë imazhit të tyre publik.

Si një opozitar dhe një politikan që beson dhe ka kontribuar në mënyrë aktive për pavarësinë e sistemit të drejtësisë, jam sidoqoftë i vetëdijshëm sesa janë fuqizuar vitet e fundit simptomat e sëmundjes nga e cila vuan sistemi i drejtësisë.  Ka në fakt prova më se të mjaftueshme se segmente të caktuara të këtij sistemi udhëhiqen në aktivitetin e tyre jo dhe aq nga shqetësimi për respektin ndaj ligjit dhe kushtetutës sesa nga konsiderata të natyrës politike apo materiale. Megjithatë e mirëprita këtë gjykim duke e parë atë si një mundësi për të parashtruar çështjen time, për të paraqitur provat dhe për të larguar çdo lloj dyshimi në lidhje me vërtetësinë e deklaratës sime për fëmijët e kryeministrit.

Por më duhet të pranoj se kurrë nuk kisha besuar se ky gjyq do të kthehej në këtë farsë ku është kthyer sot, duke shkelur hapur të drejtat e mia themelore si një qytetar i Shqipërisë, Ligjin e Procedurës Civile dhe precedentët që ekzistojnë në jurisprudencën shqiptare.

Më është mohuar në mënyrë të përsëritur e drejta për të thërritur dëshmitarë me justifikimin se Gjykata nuk arrin dot t i gjejë ata, edhe pse dëshmitarët në fjalë janë figura të njohura publike, madje disa ministra në qeverinë e Sali Berishës. I ofrova madje gjykatës edhe adresat e sakta të këtyre dëshmitarëve, por më kot.

Më është mohuar e drejta për të paraqitur prova duke qenë se gjykata ka refuzuar të urdhërojë institucionet shtetërore përkatëse të më lëshojnë dokumentacionin që provon deklaratën time. Në një situatë që është kthyer tanimë në një lojë juridike e ka kush e ka, gjykata refuzon të lëshojë urdhrin për  marrjen e dokumenteve, institucionet nga ana e tyre refuzojnë të lëshojnë dokumentet pa një urdhër gjykate, ndërkohë që dokumentet që unë zotëroj janë quajtur të papranueshme sepse nuk janë marrë në përputhje me procedurën, pra me urdhër gjykate.

Dhe së fundi, në një tjetër shkelje të hapur të Ligjit për Procedurën Civile, gjykatësi i çështjes refuzoi kërkesën time për një shtyrje të seancës edhe pse pamundësia ime për të marrë pjesë në seancë ishte qartazi e justifikuar duke qenë se duhet të isha në Parlament gjatë procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Në vijim të një serie vendimesh të njëanshme, gjykatësi vendosi të mbyllte hetimin gjyqësor në mungesë time.

I nderuar Ambasador,

Si përfaqësues i një vendi që ka investuar kaq shumë energji dhe fonde për zhvillimin e sistemit shqiptar të drejtësisë dhe vendosjen e sundimit të ligjit në vendin tim, jam i sigurt që Ju e keni ndjekur me shqetësim, në mos me dëshpërim, mënyrën në të cilën sistemi shqiptar i drejtësisë ka dështuar në mënyrë të përsëritur të japë drejtësi, duke dhënë kësisoj një kontribut të madh në instalimin e kulturës së pandëshkueshmërisë në vendin tim.

Në gjykimin tim, gjyqe të tilla, kundër meje apo kolegëve të mi, nuk janë asgjë më tepër sesa një instrument tjetër që synon të na ndalojë të ngremë zërin për korrupsionin, skandalet dhe aferat e atyre që kanë sot pushtetin në Shqipëri.

Unë besoj në këtë gjyq, procesi është shumë më i rëndësishme sesa dënimi apo pafajësia ime personale. Për këtë arsye Ju ftoj të merrni pjesë në seancën mbyllëse të këtij gjyqi, që të bëheni edhe Ju dëshmitar i njërit prej atyre që quhen gjyqe të lira dhe të ndershme në Shqipëri.

E mirëpres praninë Tuaj dhe mbetem i hapur për çdo kërkesë të mëtejshme për informacion që mund të keni në lidhje me këtë rast,

Sinqerisht i juaji,

Saimir Tahiri

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›