Sajmiri i PS-së, një nuse gjakovare me mbiemrin Berisha
“Politika e re, ajo i ka fajet”, - bënin shaka të ftuarit e natës së mbrëmshme në bar Austria, ngjitur me PS-në, kur i pyesje për mbiemrin e nuses së bukur flokëverdhë.
Pakkujt do t’i shkonte në mendje që, pikërisht Sajmiri, djali që përfaqëson përditë zërin zyrtar të socialistëve në media, do të kishte në krah një vajzë me mbiemrin... Berisha.
Por ja që Shqipëria është kaq e vogël. Fatlinda dhe familja e saj simpatike, sidoqoftë, nuk kanë asnjë ngjashmëri a lidhje me Berishën e politikës.
Sajmiri dhe Fatlinda prisnin mbrëmë urimet e miqve të tyre që vinin një nga një në hollin me arredim klasik të barit ngjitur me selinë rozë.
Një orkestër shpërndante tinguj të pianos dhe violinës nga njëri kënd i hollit, por ngjitur me ta, rrinin “gati” një grup me veshje popullore tradicionale dhe qylaf të bardhë në kokë. Ata thyenin tingujt klasikë me muzikë polifonike popullore.
Të ftuarit ishin kryesisht politikanë, gazetarë dhe familjarë të çiftit. Koka e kreut të PS-së dallohej lehtë mbi të gjithë.
Rama, një dhuratë dhe celebrim personal në bashkinë e Tiranës
Dhurata e Ramës? Sajmiri nuk e di ende. Një pako iu bashkua grumbullit të pakove fjongokuqe në një cep të sallës.
Babai i Sajmirit di diçka më shumë. Rama ka premtuar që do udhëheqë vetë ceremoninë e celebrimit në sallën përkatëse të bashkisë së Tiranës, të dielën në mesditë.
Fatlinda, mbesa e ushtarakut gjakovar të Zogut që rezistoi me italianët dhe me komunistët
Dy krushqit, babai i dhëndrit dhe nuses, janë njerëzit më interesantë të festës. Babai i Fatlindës, Burhan Berisha, një ish-kampion çiklizmi, tani anëtar i kryesisë së Federatës së Çiklizmit, lexues i thekur gazetash, sidomos i “Shekullit” dhe “Sportit”, është mësuar tashmë me shakanë me mbiemrin e nuses. “Nuk kemi lidhje me Berishën”, - na tregon. Ne jemi gjakovarë me origjinë, Berisha është nga Tropoja.
Babai i Burhanit, gjyshi i Fatlindës, Xhahit Berisha, ka qenë një ushtarak me emër. Mund të jetë ndër të paktët shqiptarë që ka jetuar tre regjime pa u burgosur. Ka zbritur në Shqipëri nga Gjakova përpara ardhjes së Zogut në fuqi.
Ka bërë shkollë ushtarake dhe ka qenë oficer artilerie gjatë periudhës zogiste. Më pas ka shërbyer si oficer edhe në administratën italiane pas largimit të Zogut. Dhe ka vazhduar karrierën edhe pas vendosjes së komunizmit në Shqipëri.
Xhahit Berisha ka qenë komandant i forcave ruajtëse të bregdetit shqiptar, në muajt kur Ambasada Amerikane vendosi të largohej nga Shqipëria, pas instalimit të komunistëve në Shqipëri.
Burhani tregon se në atë kohë babait të tij iu kërkua nga autoritetet e kohës që të mos kishte asnjë incident apo provokim gjatë largimit me një anije të vogël nga bregu shqiptar të personelit dhe arkivës dokumentare të Ambasadës Amerikane. Largimi i amerikanëve kaloi pa incidente.
Rrëfimi i babait të nuses është i gjatë. Gjithsesi, një gjysh që ka ditur të mbijetojë në tre regjime kaq të ndryshme, nuk është pak. Kjo do të thotë që do të kemi një martesë të gjatë përpara
Muaj mjalti në Egjipt? Jo, arredim të shtëpisë së sapoblerë
Sajmiri dhe Fatlinda, hë për hë, nuk do të bëjnë muaj mjalti. Ata sapo kanë blerë një shtëpi, duke vendosur bashkërisht kursimet e tyre dhe ndihmat familjare dhe, paratë që mund t’i shpenzonin në muajin e mjaltit, kanë vendosur t’ia kushtojnë arredimit të shtëpisë. Prindërit e Sajmirit kanë pasur dëshirë për një udhëtim të çiftit në Egjipt, por, tani për tani, asnjë shpenzim ekstra