E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sështë çarku që zë miun, është miu që hyn në çark

 

Procesi zgjedhor do jetë “i paparë”, - thotë Kryeministri, me atë fjalorin e vet çapraz, që tani e ka pasuruar me terma mejhanesh. Kurse unë mendoj që ajo që është vërtet “e paparë” në vendin tonë, është mastiçi me të cilin Berisha dhe të tjerët si ai, i ngjiten kolltukut.

Tony Blair-i ishte Kryeministri me i suksesshëm i Britanisë së Madhe mbas Chruchillit, dhe i thanë "hajde tani djalo, mjaft, duam ndryshim".

Mbas piramidave, shkatërrimit të Shqipërisë dhe imazhit të saj në botë, gjuhës së pisët në Parlament, kërcënimet; "mbyll gojën se të nxora dosjen" (me demek, jemi të gjithë njesoj), kontrabanda e naftës në favor të armikut të betuar të popullit shqiptar, takime të fshehta me Millosheviçin, Gërdeci, Fazlliçi mik shtëpie dhe në krye të tavolinës në Këshill të Ministrave, faktet (deri dje të thëna nëpër bare) e thëna publikisht, që Sali Berisha ka qenë i infiltruar në PD (dihet se nga kush) pas krijimit të saj...Berisha është Kryeministër i Shqipërisë me votat tona. Me duar të pastra...duke luftuar deri në piken e fundit të djersës korrupsionin...dhe prokurorët e përgjithshëm.

Do të mjaftonte një fraksion i kësaj liste, që personi në fjalë të shkonte fishek në Prokurori, Gjykatë, e më tej...ose të paktën të zhdukej njëherë e mirë nga skena politike.

Por, Sali Berisha është më i ngjitur se kurrë në kolltuk. Mastiçi i tij është ...injoranca jonë.

Ajo që më trishton si shqiptar, është fakti se këta lloj personazhesh, kujtojnë se pushteti i vjen nga zotësia e vet. Jo, historikisht është injoranca e njerëzve që i lejon këta personazhe "grotesquely mediocre" të marrin dhe të mbajnë pushtetin.

Çarku i minjve është po ai, prej shumë shekujsh. Është një produkt që nuk përmirësohet nga teknologjia e përparuar. Për një arsye shumë të thjeshtë: se nuk është çarku që zë miun, por është miu që hyn në çark. Me sa duket, është miu që nuk ndryshon. Për këtë arsye edhe thuhet: një çark më i mirë, nuk zë më shumë minj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›