E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sakashvili, Presidenti "perëndimor"

Ka dreka që përfundojnë me një kafe, të tjera me ndonjë brandy në tarracë, ndërsa dreka ime me Presidentin e Gjeorgjisë, Mikail Sakashvili, përfundon në bordin e një helikopteri, që merr për nga baza ushtarake e vendit. Gjatë fluturimit, Presidenti shumë i gjallë dhe energjik gjatë drekës, shndërrohet befas në melankolik e i heshtur. Vendos të dëgjojë një CD të Charles Asnavour, i cili këndon të famshmen: "Non, je n‘ai rien oublie". Mikail e çon volumin në maksimum dhe unë mësoj dy gjëra: e para, që Misha, kështu i pëlqen ta thërrasin Mikailin, flet edhe frëngjisht dhe e dyta, që Asnavour është me origjinë gjeorgjiane. Teksa fluturojmë, Sakashvili më tregon tokën që shtrihet poshtë nesh. Është Osetia e Jugut, një territor gjeorgjian, që kontrollohet nga separatistë vendas të mbështetur nga trupat ruse. "Më mirë të mos fluturojmë shumë ulët", më thonë me buzë në gaz. "Herën e fundit që i kam rënë kësaj rruge me helikopter më lëshuan një raketë". "Shih poshtë", vazhdon Sakashvili. "Jemi sipër territorit të miliarderit Boris Ivanishvilit. Është komplet i çmendur. Ka sjellë në tokat e tij gjirafa dhe zebra. Mbase arrijmë t‘i shohim nga lart", thotë Presidenti. Ndërsa unë gjerb një kafe e pyes: "A ka shumë miliarderë në Gjeorgji?" "Nja dhjetë syresh", më përgjigjet. "Dhe janë të gjithë pro teje?" "Njëri ishte kundër meje, por vdiq para disa muajsh në Londër". Misha vë buzën në gaz me njëfarë ndrojtjeje, pasi pikërisht për rastin në fjalë ai u përfol si një nga autorët e mundshëm të vrasjes së opozitarit. Por policia britanike, pas investigimeve të saj, vulosi gjithçka, duke e konsideruar vdekjen nga shkaqe natyrore. Duke qenë se u hap ky argument, përfitoj për t‘i bërë Mishës një pyetje, për të cilën kam menduar gjatë gjithë kohës që drekuam: "Gjeorgjia bën pjesë në Perëndim, apo është njëfarë ‘perëndimi i largët‘. Objektivi i Sakashvilit është të sigurojë hyrjen e vendit të tij në bashkësinë e vendeve perëndimore dhe anëtarësimin në ‘klubin‘ euroatlantik?"

Gjeorgjia, që fitoi pavarësinë e saj në nga ish-Bashkimi Sovjetik në vitin 1991, ka një histori të lashtë. Ky vend, me një popullsi prej 4.7 milionë banorësh, ndodhet buzë Detit të Zi dhe kufizohet me Turqinë, Armeninë dhe Azerbajxhanin. E, megjithatë, kanë qenë gjithmonë marrëdhëniet me Rusinë ato që kanë kushtëzuar historinë e vendit. Problemi kryesor i Sakashvilit është që rusët mbështesin separatistët e Osetisë së Jugut dhe të Abkhazisë. Gjeorgjianët akuzojnë Moskën për objektivat e saj aneksuese të disa prej territoreve që i përkasin Gjeorgjisë.

Misha ka një trup të madh dhe është shumë karizmatik. Është 1 metër e 80 i gjatë. Ka lindur në një familje disidentësh me tradita të forta nacionaliste (stërgjyshi i tij kaloi 15 vjet në gulagët sovjetikë). Në vitin 1991, kur ra Perdja e Hekurt që ndante Evropën Perëndimore me atë Lindore, Misha ishte 23 vjeç dhe vendosi të shkonte të studionte në Perëndim. Udhëtimin e tij të parë e ndërmori në Vendet e Ulëta, ku edhe takoi një vajzë, që aktualisht është bashkëshortja e tij, Sandra, me të cilën kanë dy fëmijë, Eduardin dhe Nikolozin. Nga dritarja e helikopterit, Presidenti tregon me krenari fushat e mbjella e të sistemuara. "Është tamam si në Holandë. Nuk do ta kisha menduar kurrë më parë që Gjeorgjia do të bëhej kështu", thotë Presidenti i kënaqur.

Sakashvili ka studiuar në Strasburg të Francës dhe Kolumbia University të Nju Jorkut. Është specializuar në fushën e të drejtave njerëzore. Në vitin 1995 u rikthye në Gjeorgji dhe në vitin 2000 u shndërrua në yllin e ri të qeverisë së ish-presidentit të atëhershëm të Gjeorgjisë, Eduard Shevernazes, i cili ka qenë edhe ministër i Jashtëm i fundit i ish-Bashkimit Sovjetik. Pas një viti, në postin e ministrit të Drejtësisë, Sakashvili u largua nga detyra. Korrupsioni në vend ishte kaq i përhapur, saqë vendi rrezikonte që të binte në duart e kriminalitetit të organizuar. Largimi i tij demonstrativ nga posti ia forcoi pozitat dhe reputacionin te njerëzit e thjeshtë, por edhe tek ata jashtë vendit, te ndërkombëtarët. Në vitin 2003 erdhi në pushtet, falë një revolte popullore që u quajt Revolucioni i Trëndafilave. Disa muaj më pas, në moshën 36-vjeçare Sakashvili u zgjodh President i vendit me 97% të votave. Teksa është përballë meje, Misha nge supet e thotë: "E di që një rezultat i tillë në votime më krahason shumë me Presidentin egjiptian Mubarak, por nuk është faji im. Në atë kohë nuk kishte një opozitë të mirëfilltë në vend".

Sot, ndërkohë, opozita është më aktive se kurrë. Në nëntor të vitit 2007, ish-lideri i një revolte popullore u përball me një valë të gjerë protestash kundër qeverisë së tij. Disa nga mënyrat me të cilat ai e përballoi një situatë të tillë i vunë në një pozitë shumë të vështirë mbështetësit e tij në Uashington e Bruksel. Misha, ndër të tjera, i vuri drynin edhe një stacioni televiziv opozitar. Megjithatë, pas kësaj rifitoi sërish popullaritet, me mbështetjen që i dha më pas lirisë së shtypit para zhvillimit të zgjedhjeve presidenciale të parakohshme, në të cilat fitoi me një rezultat 53% të votave. Opozita i kundërshtoi, duke i cilësuar ato si të manipuluara, por vëzhguesit ndërkombëtarë konfirmuan se ato ishin të lira dhe të rregullta. Megjithatë, reputacioni dhe figura e Sakashvilit mbeten të paqarta. Takimin me të nuk e kreva në restorant, por në pallatin presidencial, një ndërtesë ende në fazë rindërtimi, që ndodhet në majën e një kodre në qendër të Tbilisit. Kupola e saj e qelqtë e bën të ngjashme me Parlamentin gjerman në Berlin. Me shumë delikatesë e pyeta Sakashvilin, teksa shihja gjithë atë godinë madhështore, se mos një shpenzim i tillë kolosal ishte pak i tepërt për një vend të varfër, pavarësisht ritmeve të shpejta të rritjes ekonomike? "Do të ishte një fakt për t‘u çuditur, nëse unë do të isha marrë vetëm me ngritjen e pallatit, por, ndërkohë, jemi marrë edhe me shkollat dhe spitalet. Njerëzit janë të ndërgjegjshëm që kushtet e jetesës janë përmirësuar shumë në krahasim me të shkuarën", përgjigjet Presidenti. Pas takimit shkuam të drekonim në hotelin "Kopala". Makina presidenciale shoqërohej nga një eskortë prej 9 automjetesh të tjera. Duke qenë se ishte një ditë pranverore zgjodhëm të drekonim në tarracën e hotelit. Që sipër syri të zë lumin Mtkvari dhe kishat me gurë të verdhë të Tbilisit. Na vendosin në një tryezë të stërmbushur me ushqim: sallata të ndryshme, ullinj dhe dy lloje havjari, një i zi dhe një tjetër në ngjyrë portokalli të ndezur. Gjatë gjithë drekës pjatat e menysë pasojnë njëra-tjetrën: peshk, shpatulla qengji, salca nga më pikantet, të cilat Presidenti më fton që t‘i shijoj të paktën nga pak. Ai është një zot shtëpie shumë i kujdesshëm për mikun. Më ofron, ndër të tjera, të provoj edhe një verë të rrallë të vendit të tij. Ta pish këtë verë në Gjeorgji është thuajse një gjest patriotik e politik. Në vitin 2006, Rusia e ndaloi importimin e verërave, që vinin deri atëherë nga Gjeorgjia, duke e përdorur një masë të tillë si presion ndaj qeverisë së Sakashvilit, të cilën Putini e ka konsideruar dhe e konsideron si shumë pro-amerikane. Për Gjeorgjinë është e pashmangshme ekzistenca nën hijen e Rusisë. Një nga objektivat kryesorë të Sakashvilit është që t‘i hapë vendit horizonte të reja: përtej Detit të Zi ndodhet pjesa tjetër e Evropës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. "Gjeorgjianët kanë qenë gjithmonë krenarë që bënin pjesë në Evropë", thotë Presidenti. Problemi është se ndërsa gjeorgjianët janë të sigurt se bëjnë pjesë në Evropë, një pjesë e vetë evropianëve nuk janë dakord për një gjë të tillë. "Gjatë historisë sonë shumë mbretër u kanë kërkuar ndihmë apo bashkëpunim sovranëve evropianë, por nuk kanë marrë kurrë përgjigje", thotë Presidenti. Për sa u përket mbretërve, Sakashvili është një mik i madh i njërit prej "mbretërve" të Perëndimit, Xhorxh Bush. Por marrëdhëniet e mira me Bushin nuk i mjaftuan për të arritur objektivin që kishte në takimin e fundit të NATO-s në Bukuresht: pranimin e Gjeorgjisë si anëtar i ardhshëm i organizatës. "Megjithatë" ngul këmbë Sakashvili, "Bush bëri më të mirën e mundshme. Ai luftoi për ne. Pas debatit të ashpër që pati me kundërshtarët evropianë, ai ishte i nxehur dhe fytyra i ishte ndezur flakë". Ndërsa në tryezë vijnë e ikin ushqime, e pyes Presidentin se çfarë do të ndodhë kur Bush të mos jetë më në Shtëpinë e Bardhë. Sakashvili nuk duket i shqetësuar, pasi edhe kandidati presidencial republikan, Xhon MekKein, është një miku i tij personal. "Në vitin 2003 më dhuroi një jelek antiplumb. E kishte sjellë në Gjeorgji posaçërisht për mua", thotë me krenari Sakashvili. Po në rast se Presidenti i Shteteve të Bashkuara do të jetë një demokrat? Sakashvili më bën me dije se Barak Obama ka qenë një nga dy promotorët e rezolutës në Senatin Amerikan në favor të hyrjes së Gjeorgjisë në NATO dhe se Riçard Hollbruk (që ka mundësi të bëhet sekretar i Shtetit në rast se do të fitojë Hillari Klinton) është një mik i vjetër i Mishës. Ndërkohë, marrëdhëniet me liderët evropianë janë më të vështira. Megjithatë, Sakashvili thotë se ka simpati për Presidentin francez, Sarkozi. "Kam darkuar me të në Bukuresht me Sarkozinë dhe është një person shumë i këndshëm. Është i ndryshëm nga të tjerët: është pasionant dhe interesohet për detaje të cilat nuk u bëjnë zakonisht përshtypje politikanëve. Në njëfarë mënyre kemi të njëjtin karakter".

Sakashvili është i zoti që të bëjë miq dhe të ndikojë te të tjerët, por projekti i tij për ta "oksidentalizuar" Gjeorgjinë shkon përtej krijimit të aleancave të reja. Gjatë drekës, Sakashvili deklaroi disa herë se ai kishte ndërmend që ta transformonte vendin nga këndvështrimi kulturor, duke ia zëvendësuar mentalitetin sovjetik me atë perëndimor. "Kemi pasur një shoqëri shtypëse dhe pa ligje, por kemi zgjedhur që të shndërrohemi në një shoqëri të lirë, që respekton ligjin. Ndryshimet janë të jashtëzakonshme". Qeveria e tij përballet me shumë vështirësi kur u kërkon njerëzve që të paguajnë taksat. "Disa e konsiderojnë padrejtësi pagimin e taksave, sepse në të shkuarën nuk janë mësuar të paguajnë", thotë Presidenti.

Kur në tryezë nisin të servirin frutat, më vjen një ftesë që nuk e prisja. Presidenti duhet të shkojë të inspektojë disa reparte të zgjedhura të ushtrisë së tij, që sapo kanë përfunduar një vit kurs intensiv nën drejtimin e ushtarakëve izraelitë. Ai më pyet nëse do të dëshiroja ta shoqëroja gjatë inspektimit në bazën ushtarake. Unë sigurisht që pranova. Rruga për në aeroport është e mbushur me policë që ruajnë korteun presidencial. Pas një fluturimi prej 45 minutash me helikopter mbërrijmë në një bazë ushtarake mbi male. Na shoqërojnë në një bunker të nëndheshëm, ku oficerët izraelitë na shfaqin një video të procesit stërvitor. Gjithçka është e saktë dhe e mirë përgatitur. Unë ndërkohë mendoj: përse duhen gjithë këto përgatitje? E ardhmja do ta tregojë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›