E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca në grevë. Në sheshe kundër reformave

Sindikatat kryesore të Francës zhvilluan dje një grevë 24-orëshe dhe një seri demonstratash kundër planeve të qeverisë për të ndryshuar sistemin shtetëror të pensioneve. Punonjësit e transportit po kryesojnë këtë valë pakënaqësie kombëtare dhe vetëm gjysma e trenave në Francë ishte dje në qarkullim. Drejtuesit e sindikatave thanë se gjysmë milioni njerëz kishin marrë pjesë në marshimet dhe protestat në Paris dhe qytete të tjera të Francës. Presidenti Nikolas Sarkozi po përpiqet të rrisë numrin e viteve të punës për marrjen e pensionit të plotë. Dhe pikërisht kjo është ajo që kundërshtohet nga sindikalistët. Udhëtimi me trena, autobusë dhe metro u ndërpre në të gjithë Francën, ndërsa trenat e shpejtësisë së lartë mes Parisit, Londrës dhe Brukselit, nuk u prekën. Po ashtu edhe fluturimet vijuan normalisht. Shërbimi postar në anën tjetër u reduktua, ndërsa radioja shtetërore kishte gjatë gjithë kohës muzikë dhe jo program normal. Marshimet e së enjtes gjithsesi nuk shkaktuan kaosin që u pa gjatë nëntorit, kur punonjësit e transportit zhvilluan një grevë nëntëditore kundër planit të Sarkozisë për t‘ua hequr të drejtën e pensionit special. Qeveria dhe sindikatat negociuan atëherë dhënien fund të grevave, por tani punëtorët janë të zemëruar në lidhje me planet për të detyruar të gjithë punëtorët francezë që të qëndrojnë në punë edhe një vit më shumë para se të marrin pension të plotë shtetëror. Sindikatat janë gjithashtu të zemëruara në lidhje me planet e qeverisë për të shkurtuar vendet e punës në sektorin publik. Gjithsesi, problemet të enjten nuk ishin të mëdha, ndërsa sindikatat respektuan një angazhim për të mbajtur në veprim një shërbim minimal, çka u negociua me qeverinë vitin e shkuar. Presidenti ka përllogaritur se shumica e njerëzve pranojnë ndryshimet që ai ka premtuar se do t‘i vërë në jetë dhe nuk ka shenja që të tregojnë se ai mund të bëjë hapa prapa. Sarkozi thotë se sistemi aktual i pensioneve është i paqëndrueshëm dhe reformat janë të domosdoshme për t‘i sjellë pensionet shtetërore në Francë në një linjë me ato në vende të tjera të Evropës. E ndërkohë, lidhjet detare me Britaninë e Madhe pothuajse u ndërprenë dje, por kjo kishte në origjinë një tjetër pakënaqësi, atë të rritjes së çmimit të naftës. Peshkatarët francezë bllokuan disa porte në fillim të kësaj jave dhe kërkuan kompensim për të mbuluar kostot e shumëfishuara. Mosmarrëveshja u duk se u zgjidh të mërkurën kur qeveria franceze ra dakord të shtonte ndihmat për industrinë e peshkimit. U bë një apel që të gjitha anijet e peshkimit të ktheheshin në det, por nuk u bë e qartë nëse peshkatarët u kënaqën mjaftueshëm nga çfarë iu premtua dhe nuk i dhanë fund protestës së tyre. Të enjten një numër portesh u kthyen në normalitet, por në Marsejë peshkatarët vazhduan bllokadën në port dhe në depot e naftës. Ndërsa në një tjetër protestë të veçantë punëtorët e porteve në të dyja anët e kanalit anglez ishin të kufizuar e si pasojë një sasi e madhe kamionësh kishin mbetur të bllokuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›