Sako: Rehabilitim i 41 fasadave të godinave në shëtitoren e Durrësit

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Në qytetin e Durrësit, po vazhdon faza e dytë e rehabilitimit të shëtitores së plazhit.
Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako tha sot “se po punohet edhe për zgjerimin e brezit të rërës duke krijuar më shumë hapësirë në dispozicion të pushuesve. Në këtë fazë përfshihet edhe rehabilitimi i fasadave të 41 godinave që ndodhen përgjatë shëtitores, me elemente termoizoluese për të rritur efiçencën e energjisë si edhe qëndrueshmërinë e objekteve për një periudhë afatgjatë, duke përmirësuar edhe imazhin e të gjithë kësaj zone bregdetare”.
Ky investim përfshin realizimin e një shëtitoreje prej tre kilometrash përgjatë gjithë shtrirjes së plazhit, me gjelbërim të shtuar, parqe dhe hapësira sportive për të siguruar një lidhje shumë të nevojshme nga Ura e Dajlanit drejt Konvaleshencës.
Midis shëtitores dhe zonës së plazhit do të ngrihen stacione me pajisje sportive për aktivitete fizike në natyrë, si dhe krijimi i zonave për ushtrimin e sporteve ujore.
Projekti investues parashikon që përgjatë shëtitores do të ketë dhe zona të dedikuara për fëmijë, hapësira për pjesën e plazhit, stacionet e plazhit, hapësira shërbimi, si dhe rikonstruksionin e fasadave të godinave. /j.p/