FOKUS – Të mbijetuarit e Holokaustit në qendër të 80-vjetorit të çlirimit të Aushvicit

VARSHAVË, 27 janar /ATSH-DPA/ – Të mbijetuarit e Holokaustit do të jenë në qendër të përkujtimeve të sotme që do të shënojnë 80-vjetorin e çlirimit të Aushvicit.
”Rreth 50 ish të burgosur të kampit famëkeq të vdekjes në Auschwitz-Birkenau do të jenë të pranishëm”, tha organizata ”Aushvic Memorial”.
Drejtuesi i kësaj ceremonie, Piotr Cywinski, kreu i muzeut ”Aushvic-Birkenau”, tha se priste që folësit të trajtonin çështjet aktuale.
“Me rritjen fenomenale të populizmit, demagogjisë dhe kaosit informativ këto ditë, ne kemi nevojë për pika referimi të qëndrueshme dhe të qarta, dhe përvojat e tyre janë pjesë e kësaj”, tha Cywinski.
Pritet të marrin pjesë delegacione nga 55 vende.
Mes të pranishmëve do të jetë presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe kancelari Olaf Scholz, mbreti Charles i Mbretërisë së Bashkuar, mbreti i Spanjës Felipe VI dhe krerë të tjerë të kurorëzuar shtetesh.
Më 27 janar 1945, trupat sovjetike çliruan kampin nazist të shfarosjes Auschwitz-Birkenau.
Nazistët vranë më shumë se një milion njerëz atje, kryesisht hebrenj.
Që nga viti 1996, kjo datë është shënuar në Gjermani si Dita e Përkujtimit të Holokaustit dhe në vitin 2005 Kombet e Bashkuara e shpallën këtë datë një ditë ndërkombëtare përkujtimi./ a.jor.