Sakrifica jonë njëmujore!

Të privuar nga vaktet ushqimore, nga duhani, alkooli, pse jo edhe seksi, shumë personazhe të njohur shqiptarë që njihen si besimtarë të devotshëm të fesë myslimane, po përjetojnë këto ditë një nga periudhat më të rëndësishme në jetën e tyre. Muaji i madhërishëm i Ramazanit i ka ngërthyer disa këngëtarë e modele të njohur në ritet tipike fetare. Për këngëtarin nga Maqedonia, Shpat Kasapin, agjërimi është domethënia e ditëve të tij për plot një muaj. Ai njihet si një besimtar i devotshëm, që madje guxon të shkojë edhe në xhami. Kjo për Shpatin nuk përbën kurrfarë habie, pasi në momentin që ai është besimtar i fesë myslimane, agjërimi është një nga ritmet më të zakonshme në jetën e tij. “Unë agjëroj thuajse çdo vit, dhe kjo është një nga sakrificat më të thjeshta për mua. Përpiqem të jem sa më i devotshëm në besimin tim, duke mos konsumuar alkool edhe duhan. Për aspektet e tjera... nuk është e nevojshme që të shpjegohem me hollësi, pasi e dashura ime, Afërdita, jeton shumë larg meje, dhe kjo ma bën edhe më të lehtë agjërimin korrekt gjatë muajit të Ramazanit që sapo ka nisur”, pohon ai. Ndërsa për “Miss Shqipëria 2008”, Almeda Abazi, besimi në fenë myslimane është kultivuar me kohën. Jetesa e saj në Turqi e ka bërë që të mësojë shumëçka nga ritet e kësaj feje, dhe sigurisht që shijen e agjërimit vajza bukuroshe e ka provuar prej kohësh. “Besimi në Zot më ka forcuar edhe më tepër karakterin tim, dhe sigurisht që gjatë viteve që jetova në Turqi u ndesha me një kulturë tjetër, ku feja myslimane është kryefjala e ditës. Agjërimin përpiqem ta mbaj sipas mundësive dhe çdo herë kërkoj tek vetja që të jem sa më e devotshme, e të njëjtën gjë po bëj edhe këtë vit”, është shprehur Abazi. Besimtare mund të quhet me plot gojën edhe Valbona Peraj, këngëtarja e njohur për klipet e saj provokuese. Duke pasur një besim të ekuilibruar, sidomos karshi fesë myslimane, ajo synon që të bëhet pjesë e këtyre ritualeve vit pas viti. Muaji i Ramazanit etiketohet si muaji i paqes, i dashurisë dhe i harmonisë midis njerëzve, dhe kjo e shtyn Valbonën që të japë kontributin e saj në shoqëri. “Një periudhë kohe kam agjëruar vit pas viti, por me shtimin e angazhimeve të mia personale, jam përpjekur që të gjej kohën e duhur për t’iu përkushtuar këtij riti. Sivjet kam sakrifikuar shumë për t’u bërë pjesë e muajit të Ramazanit, dhe kjo më ka bërë të ndjehem mirë me veten dhe me gjithçka që më rrethon”, pohon Valbona. Edhe modelja e njohur që prezantoi vendin tonë në spektaklin e bukurisë të organizuar Vietnam, Matilda Mecini, klasifikohet tek personat besimtarë. Nuk shkon në xhami, por me mënyrën e saj vetjake përpiqet që të tregohet e devotshme në kohën kur nis muaji i Ramazanit. Për një muaj rresht ajo do t’i thotë “stop” duhanit dhe alkoolit, për t’i qëndruar kështu besnike riteve të fesë myslimane, sidomos gjatë këtij muaji që sapo ka nisur.