Aldo Bumçi sqaron dallimet me PS-në për ligjin e spiunëve

Partia Demokratike duket e vendosur për t’u dhënë fund debateve pambarim, lidhur me të ashtuquajturin “ligj të spiunëve”. Relatori demokrat, Aldo Bumçi, i caktuar në Komisionin e Ligjeve për të gjetur gjuhën e përbashkët me socialistin Arben Isaraj, në një intervistë për “Korrierin” tha se ligji do të miratohet me apo pa pëlqimin e socialistëve. “Ne nuk do të tërhiqemi”, - deklaroi ish-ministri i Drejtësisë, ndërsa shtoi se ligji do të kalojë njëqind për qind. Megjithatë, miratimi i ligjit vetëm me votat e “të djathtëve” nuk shihet pozitivisht nga demokratët, që sipas Bumçit nuk e miratuan ligjin që në fund të sesionit të kaluar, duke kërkuar konsensusin e socialistëve.
-Deri ku kanë ecur negociatat dhe a pritet një konsensus mes dy partive kryesore, të paktën këto dy javë të fundit?
Aldo Bumçi: “Në lidhje me negociatat, çfarë është zhvilluar është zhvilluar para mbylljes së sezonit parlamentar të kaluar. Unë kam zhvilluar takime me zotin Isaraj, si relator i PS-së. Dy çështje kanë dalë në pah, ku kryesisht nuk kemi rënë dakord për to. Ka qenë çështja e mbarimit të mandatit të atyre të cilët rezultojnë si të papajtueshëm. Qëndrimi i PD-së është që, si për personat e zgjedhur, pra qofshin deputetë ose kryetarë bashkish e komunash, ashtu edhe për zyrtarë të tjerë të lartë, gjyqtarë e prokurorë apo dhe punonjës të administratës, në momentin që ata do të rezultojnë të papajtueshëm sipas kategorive që përcakton ligji, nuk do të mund të lejohen të qëndrojnë më në detyrë, por duhet t’iu mbarojë mandati në atë moment. Qëndrimi i PS-së është që mandati i tyre nuk mund të mbaroja. Ato duhet ta konsumojnë deri në fund mandatin e tyre dhe kushti pas zgjedhjeve duhet të vendoset tek anëtarët e rinj. Ky është një debat patjetër legjitim, nëse është kushtetues ose jo. Por, nga ana parimore, ne mendojmë se do të ishte një cënim i rëndë, goditje e rëndë e legjitimitetit të institucioneve të vendit. Nëse verifikohet që iks person, p.sh. Aldo Bumçi, është i papajtueshëm, në momentin e dytë ne i themi “Qëndro”! Çfarë do të thotë kjo për qytetarët, që në institucione të rëndësishme, qoftë ky parlamenti, qeveria apo gjyqësori, rezultojnë që të kenë njerëz që kanë qenë punonjës të sigurimit, anëtarë të byrosë e kështu me radhë? Pra, nëse rezultojnë të jenë këta persona në krye, kjo do të përmirësonte legjitimitetin e komisionit? Jo. Unë mendoj që do të ishte një goditje shumë e rëndë. Shqiptarët do të thonë: “Shiko kush na drejton”! Mendoj që ne duhet të kërkojmë mbarimin e mandatit. Mbarimi pastaj ndodh sipas dispozitave që ka Kushtetuta dhe ligji. Nuk është se ne do të vendosim policë që të mos lejojnë këta njerëz të hyjnë në institucione. Ka një rrugë ligjore që ndiqet për të mbaruar mandatin e çdo anëtari, qoftë ky i zgjedhur apo punonjës administrate. Por të paktën qëndrimi ynë politik është që ne të kërkojmë ndërprerjen e mandatit”.
-Po çështja e dytë?
“Elementi i dytë është nevoja për verifikim. A ka nevojë të verifikohen ata persona që janë verifikuar nga komisionet e mëparshme. Në periudhën 1995-2001 kanë funksionuar dy komisione që kanë bërë verifikimin, dhe qëndrimi i PS-së është se, personat që kanë kaluar një këtë “sitë”, nuk duhet të verifikohen përsëri. Qëndrimi ynë ka qenë i tillë, që nuk ka pasur asnjë arsye pse të hezitojmë në një verifikim të dytë”.
-Po për ata që nuk kanë dalë të pastër, a duhet të vuajnë sërish sanksionet, p.sh. a do të ndalohet të kandidojnë në 2009-ën?
“Nëse ne kërkojmë ndërprerjen e mandatit të tyre vendoset edhe një kusht, që duhet të përmbushet një verifikim paraprak. Nëse dikush do të kandidojë për gjyqtar, prokuror, për deputet etj., duhet të bëhet më parë verifikimi paraprak. Siç është vërtetimi që qytetari sjell nëse ka qenë i dënuar ose jo, ashtu do të jetë edhe kjo. Këto janë dy çështjet që kanë dalë në pah në bisedimet e zotin Isaraj. Ne kemi lënë që të zhvillojmë një seancë këtë javë. Kemi ftuar institucione dhe grupe të ndryshme interesi, si p.sh., Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut, Qendra për Rehabilitimin e Traumës dhe Torturës, Komitetin e Helsinkit dhe Institutin e të Përndjekurve Politikë, që të vijnë të japin mendimet e tyre”.
-PS-ja në debatin e fundit që është bërë në komisionin e ligjeve, kërkonte hapjen e të gjitha dosjeve dhe bërjen publike të tyre për të gjithë të interesuarit. Në këtë pikë mund të ketë lëshime nga PD-ja?
“Ka dy ndryshime kryesore ndërmjet nesh dhe PS-së. PS-ja kërkon vetëm hapjen e dosjeve dhe kush kanë qenë bashkëpunëtorët. Ne jemi për të shtuar elementin e papajtueshmërisë. Nëse rezulton që je bashkëpunëtor, ti nuk mund të zgjidhesh më, s’mund të jesh më gjyqtar a prokuror etj. Socialistët e kufizojnë ligjin vetëm tek bashkëpunëtorët. Për ne bashkëpunëtorët janë hallka e fundit. Një pjesë e tyre kanë qenë viktima. Pra, pas çdo bashkëpunëtori ka një histori personale. Ne përqendrohemi tek ata institucione që krijuan diktaturën në Shqipëri, që ishte byroja politike, gjyqtarët, prokurorët, punonjësit e sigurimit të shtetit, dhe pastaj vijnë bashkëpunëtorët. PS-ja përqendrohet tek bashkëpunëtorët e lë jashtë ata që ndërtuan sistemit. Arsyeja se përse nuk hapen dosjet për të gjithë, i vetmi argument që ka dalë në diskutimet politike që kemi bërë ne në grupin parlamentar, kanë qenë problemet sociale që mund të krijonte një hapje për të gjithë shoqërinë shqiptare”.
-Nëse këto ndasi nuk zvogëlohen, a do të kalonte ky ligj vetëm me votat tuaja?
“Arsyeja që ne e shtymë kalimin e projektligjit, është se PS-ja tregoi vullnet në fund të sezonit dhe ne atëherë nuk e kaluam me nxitim, por pritëm. Po kryejmë edhe seanca dëgjimore me grupet e interesit dhe qëndrimi i fundit është që ka vullnet. Mendoj që do të ishte një vendim i gabuar mospërkrahja e këtij ligji. Ne duhet të kemi të njëjtin qëndrim ndaj së kaluarës. Është një qëndrim që kanë mbajtur të gjithë vendet e lindjes për një kohë shumë më të gjatë, e që nuk kanë pasur të njëjtën ashpërsi të diktaturës. Mendoj se dhe ne duhet ta bëjmë. Nuk do të ishte një mesazh i mirë për qytetarët shqiptarë besoj, që PS-ja të tërhiqej. Pra, nuk kam pse ta paragjykoj, pasi vendimi i fundit ka qenë që ta bëjmë bashkërisht”.
-Ju a do të tërhiqeni në këtë rast?
“Ne nuk tërhiqemi”.
-Do kalojë?
“Njëqind për qind”.