Ndoka: Nuk përjashtohet asgjë

Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, e cilëson si të hershëm debatin për mënyrën sesi do të jetë koalicioni i ardhshëm i kampit të djathtë. Sipas tij, fillimisht duhet të përfundojë kodi i ri zgjedhor dhe pastaj duhet të nisin edhe diskutimet sesi do të dalë e djathta në zgjedhje. Ndoka thotë se PDK-ja e tij do të vendosë për mënyrën e daljes në zgjedhje vetëm pasi të jetë miratuar kodi i ri zgjedhor, ndërsa nuk përjashton asnjë nga mundësitë e bashkëpunimit si me të djathtën, ashtu edhe me të majtën. “Normalisht, nuk ka asnjë gjë të re për sa i përket koalicionit që do t’i përkasë PDK-ja. Unë gjykoj se është e parakohshme që të bisedosh për koalicionet para se të përfundojë kodi i ri zgjedhor”, thotë Ndoka për “Korrierin”. Duke folur për diskutimet që kanë nisur për sa i përket propozimit për koalicionin e përbërë, Ndoka thotë se diskutimet duhet të pasqyrohen në kodin e ri zgjedhor, gjë e cila do të mund të siguronte pastaj edhe nisjen e një faze konkrete diskutimesh të bazuar mbi atë që parashikon kodi zgjedhor. Ndërkaq, Ndoka thotë se pjesëmarrja e partisë së tij në koalicionin e djathtë varet nga hapësirat që do të krijojë kodi zgjedhor. Sipas tij, në rast se ky kod do të ngushtojë hapësirat e partive të vogla, atëherë PDK-ja do të shohë alternativat e tjera. Ndërkaq, duket se alternativat e Ndokës janë të shumta, duke e nisur që nga dalja si parti e vetme në zgjedhje, ose duke u bashkuar me të majtën e Ilir Metës, duke krijuar polin e tretë politik, i cili pretendon t’u bëjë ballë dy forcave më të mëdha politike. Vetë Ndoka nuk e mohon asnjërën nga këto mundësi, ndërsa tashmë nuk preferon që të japë një deklaratë të parakohshme se në cilin koalicion do të bëjë pjesë. Deri tashmë, Partia Demokratike ka hedhur në tryezën politike propozimin për daljen në zgjedhje si koalicion i përbërë, formulë e cila do t’u garantonte forcave të vogla ekzistencën parlamentare. Megjithatë, ky propozim i cili është hedhur në tryezën politike nga e majta dhe që është pranuar edhe nga e djathta, nuk dihet nëse do të konkretizohet edhe në kodin e ri zgjedhor, i cili pritet që të miratohet brenda muajit shtator. Opsioni i koalicionit të përbërë është mirëpritur nga forcat e vogla politike, po ashtu edhe nga vetë Ndoka shihet pozitivisht, megjithatë akoma ka hije mosbesimi nga ana e forcave të vogla politike, të cilat presin që ta shohin këtë propozim të konkretizuar. Ndërkohë, marrëdhëniet aktuale mes PDK-së së Nard Ndokës dhe Partisë Demokratike duket se nuk janë në ditët më të mira, që pas largimit nga qeveria. Pas largimit të Ndokës nga drejtimi i Ministrisë së Shëndetësisë, kryesia e PDK-së mori vendim që të mos dilte përkohësisht nga koalicioni i djathtë, megjithatë duket se ky bashkëpunim është në “fije të perit”.