E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shehu: Më ngushtë se kaq

Nënkryetari i PDR-së vlerëson propozimin për koalicionin e përbërë, megjithatë ideja e bashkëpunimit më të ngushtë me PD-në nuk ka ndryshuar nga ky propozim. Tashmë procesi ka filluar dhe priten vetëm diskutimet konkrete

Partia Demokrate Reformatore duket se është e vendosur që për zgjedhjet e ardhshme të vijojë në rrugën e saj drejt shkrirjes me Partisë Demokratike, pavarësisht se propozimi i PD-së për daljen në zgjedhjet e ardhshme si koalicion i përbërë do t’u mundësonte forcave të vogla politike ekzistencën parlamentare. Nënkryetari i PDR-së, Tritan Shehu, thotë se koalicioni i përbërë është një formë bashkëpunimi e cila po diskutohet, megjithatë kjo nuk ka ndikuar në ndryshimin e qëndrimit të kësaj force politike, e cila ka kërkuar që, para se të bëhej ky propozim, të ketë një bashkëpunim më të ngushtë me PD-në. “Koalicioni i përbërë është një formë bashkëpunimi e cila po diskutohet. Është diskutuar madje edhe në nivelin teorik gjatë punës që ka bërë Komisioni i Reformës Zgjedhore, për të parë sesi mund të aplikohet dhe si mund të pasqyrohet në ligj një formë e tillë bashkëpunimi. Po diskutohet, megjithatë nuk është se ka përfunduar. Mënyra sesi do të implementohet në ligj koncepti i një koalicioni, në të cilin do të votohet edhe për partitë brenda koalicionit, edhe për koalicionin vetë, është një çështje që do punë të shkruhet edhe të kthehet në një ligj të vërtetë”, thotë Shehu për “Korrierin”. I pyetur nëse ky propozim mund të ishte një nga format e bashkëpunimit të kërkuara nga PDR-ja, Shehu lë të kuptohet se ky propozim nuk ka ndikuar në qëndrimin e kësaj force politike, ndërsa thotë se për çështjen e bashkëpunimit të ngushtë me PD-së pritet që shumë shpejt të nisin negociatat dhe diskutimet konkrete. “Ne mendojmë që bashkëpunimi i PDR-së me PD-në do të jetë më i ngushtë se kaq, në një stad më të avancuar, gjë e cila padyshim do të duket në zhvillimet që do të ketë në ditët e ardhshme. Sepse jemi në një rrugë të tillë, jemi në një proces të tillë afrimi, dhe tashmë unë besoj se shumë shpejt do të bëhen edhe hapa më konkretë për të parë format e bashkëpunimit të ngushtë mes dy forcave tona politike”, thotë Shehu. Ideja për një bashkëpunim më të ngushtë, përfshirë shkrirjen e strukturave mes PDR-së dhe PD-së, është hedhur në tryezën politike disa muaj më parë, kur nuk ishte bërë akoma propozimi për daljen në zgjedhjet e ardhshme si një koalicion i përbërë. Vetë krerët e PDR-së, Genc Pollo, por edhe Tritan Shehu e kanë deklaruar edhe më parë, se ka ardhur koha për një mënyrë tjetër bashkëpunimi me Partinë Demokratike, duke nënkuptuar edhe shkrirjen e strukturave. Vetë Partia Demokratike është shprehur parimisht dakord, megjithatë diskutimet reale në kryesinë e Partisë Demokratike dhe negociatat mes këtyre dy forcave pritet që të nisin brenda këtij muaji, kur “ethet” e zgjedhjeve të ardhshme kanë nisur tashmë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›