E Shtunë, 31 Tetor 2026

Misri do na ngrejë në protesta

Kërcënojnë me greva e tubime nëse nuk dëmshpërblehen për kallinjtë bosh. Në të vërtetë ka një ligj për farërat, që detyron prodhuesit të zhdëmtojnë dëmin e shkaktuar

FIER - Nuk kishte ndodhur prej shumë vitesh që fermerët në vend të dështonin si në këtë vit bujqësor, për sa i përket prodhimit të misrit. Pas rritjes drastike të çmimit të miellit dhe bukës, fermerët u detyruan të shtojnë sipërfaqet e kultivuara me misër e grurë, por duket se shpenzimet, mundi dhe lodhja kanë ikur kot. Skandali për farën e skaduar të misrit po përhapet çdo ditë e më shumë në vendin tonë. Dje, 30 fermerë nga Sheqi në qytetin e Fierit u ngritën për të bërë publik problemin e tyre, ndërsa deklaruan se do të hidhen në protesta nëse nuk dëmshpërblehen. Mësohet se fara e misrit është blerë nga filialet e firmës “Agro-Blend”, tregtuar në qytet nga Kozma Ndreko, në pronësi të kreut të Bashkisë Vorë, Fiqiri Ismaili. Sipas fermerëve, janë të paktën 20 ha sipërfaqe toke me kallinj misri pa kokrra, ndërsa dëmi llogaritet në rreth 2.5 milionë lekë. Fermerët që kërkojnë sa më parë dëmshpërblim për misrin e skaduar, kanë blerë farën me 3500 lekë të vjetra. Dy ditë më parë, në qytetin e Fierit mbërritën specialistë nga Ministria e Bujqësisë, të cilët edhe pse panë në terren misrin e pafrytshëm, nuk kanë kthyer ende asnjë përgjigje. Duket se i njëjti fenomen që nisi fillimisht në komunën e Pajovës në Elbasan e më pas edhe në Mat, do të vijojë të gjejë përhapje në vendin tonë, pasi firma “Agro-Blend” është lokalizuar në disa zona. Fermerët thanë se, pasi kishin shpenzuar miliona lekë për farën e blerë dhe kujdesin e kushtuar, misri që ata prisnin të jepte prodhim, kishte dhënë vetëm një masë vegjetative, por pa kokrra. Fara e ardhur nga Franca mësohet të ketë pasur probleme gjatë fazës së pjalmimit, për shkak të sterilitetit mashkullor të farës. Vetë kreu i kësaj firme, Fiqiri Ismaili, deklaroi se fara e misrit ishte importuar nga kompania franceze “Limagrain”, e cila është një firmë shumë e madhe, e njohur në Evropë e në botë, e cila prej shumë vitesh eksporton farë misri në Shqipëri. “Problemi mund të ketë lindur si shkak i kushteve atmosferike, pasi 10 tonë nga 200 tonë farë misri e importuar nga Franca, kanë rezultuar me probleme për sa i takon pjalmimit”, theksoi ai. Pak ditë më parë, deputeti Idriz Xhomara tha nga Mati se ka një ligj për farërat, që detyron prodhuesit të dëmshpërblejnë fermerët. Ndërkaq, po dje, kryesocialisti Edi Rama i bëri thirrje kryeministrit Berisha që të hetojë rreth asaj që e cilësoi si “pabesi shtetërore”. Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, tha se dëmshpërblimi do të ndodhë vetëm pas rezultateve të analizave të farës.

160 fermerë: “Fara e misrit doli shterpë”

Pikërisht kur pritej prodhimi i misrit, fermerët e Matit kanë shtangur kur kanë konstatuar se parcelat e tyre nuk do të siguronin prodhimin e pritshëm, pasi farat nuk kishin cilësinë e duhur. Edhe pse u drejtuan në pikat ku kishin blerë farërat, ata nuk morën përgjigje. Zyra e Bujqësisë dhe Ushqimit në këtë rreth u interesua menjëherë. Drejtuesit vendorë të bujqësisë kërkuan ndihmën e specialistëve të Institutit të Misrit dhe Orizit në Shkodër. Ata mbërritën në kohë rekord në rrethin e Matit dhe nisën verifikimet në terren, për të gjetur shkaqet e këtij dështimi të paparë të fermerëve, të cilët kërkonin dëmshpërblim. Specialistët e IMO-s u shprehën se fermerët duhet të jenë të përgatitur për dështimin e prodhimit, por ata mund të ndjekin rrugë ligjore për dëmshpërblimin e tyre. Sipas tyre, janë të shumtë faktorët që kanë ndikuar në dështimin e fermerëve të Matit, si pozita gjeografike, moti i nxehtë, shërbimet agroteknike etj. Drejtoresha e Bujqësisë Mat, Dallëndyshe Koleci, u shpreh se janë 160 fermerë të këtij rrethi, të cilët janë dëmtuar për shkak të farës jashtë standardit. Ajo tha se më shumë se 40 hektarë janë mbjellë me farën e ardhur nga Franca nga firma e farërave “Agro-Blend”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›