Sala prezanton "Edi Ramën" në Nju Jork
E-flux reading room në Nju Jork prezantoi së fundi librin me vizatime "Edi Rama" të të njëjtit autor, i përgatitur për botim nga Anri Sala, i hedhur në qarkullim më 2009-n.
Paraqitja e librit është shoqëruar nga një bisedë me Anri Salën - artisti shqiptar jeton në Berlin por krijon në udhëtim në shumë vende të botës. Është shfaqur edhe videoja e Salës "Dammi i Colori", 2003, e cila është një refleksion për projektin e fasadave, një aksion sa artistik aq edhe politik që kryetari aktual i bashkisë së Tiranës nisi në fillimet e mandatit të tij të parë dhe vazhdoi për disa vite duke angazhuar artistë shqiptarë dhe nga bota, pjesëmarrës së Bienalen e Tiranës të kësaj vjeshte.
E-flux reading room përfaqëson një koleksion që po rritet me shpejtësi duke përfshirë me mijëra libra për artin bashkëkohor të cilat i prezantohen publikut njujorkez në Lower East Side. Këto vepra janë dhuruar nga shumë institucione të artit dhe nga individë nga të katër anët e botës dhe paraqesin zhvillime interesante të artit në dekadën e fundit. E-flux reading room është e hapur edhe për kërkime dhe studime.