BSH: Jemi në ritme të ulëta të zhvillimit ekonomik
"Ngadalësimi i ekonomisë perceptohet gjithashtu edhe nga konsumatori dhe biznesi, treguesit e besimit të të cilëve vijojnë të jenë të ulëta"
Guvernatori Ardian Fullani, i bëri thirrje bankave që të mbështesin ekonominë duke rritur kreditimin
TIRANË- Banka e Shqipërisë raporton tkurrje të kreditimit të ekonomisë nga bankat e nivelit të dytë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2009. Në konferencën për shtyp të mbajtur dje pas mbledhjes së radhës së Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së Guvernatori Ardian Fullani kërkoi një mbështetje më të madhe financiare për bizneset dhe qytetarët si një mënyrë për të garantuar rritjen e mëtejshme ekonomike të vendit."Aktiviteti kreditues i bankave është ngadalësuar duke shënuar një rritje vjetore të portofolit të kredisë me 12 për qind . Nivelet e ulta të zgjerimit të portofolit të kredisë reflektojnë jo vetëm problemet e likuiditetit në sektorin bankar por së fundi, në një masë të madhe, edhe rënien e kërkesës për konsum dhe investime si rrjedhojë e dobësimit të aktivitetit ekonomik të vendit", - tha Fullani. Krahas kësaj, Guvernatori Fullani konfirmoi edhe një ngadalësim të zhvillimit të ekonomisë gjatë muajve të fundit. Sipas tij, të dhënat ekonomike për tremujorin e tretë dhe për muajt në vazhdim sinjalizojnë një ecuri më të moderuar të kërkesës dhe të prodhimit në ekonomi, në ndryshim nga gjashtëmujori i parë, ku rritja ekonomike u mbështet nga ruajtja e kërkesës konsumatore dhe nga stimuli fiskal i dhënë në këtë periudhë. "Kjo dëshmohet nga një sërë treguesish të publikuar gjatë muajit nëntor, si: ecuria e ngadaltë e rritjes së indekseve të shitjeve me pakicë; të dhënat e ekonomisë së jashtme, të cilat vijojnë të karakterizohen nga ulja e eksporteve; performanca e treguesve fiskalë, të cilët duken të jenë nën nivelin e planifikuar; dhe frenimi i kreditimit si pasojë e rënies së kërkesës për të. Ngadalësimi i ekonomisë perceptohet gjithashtu edhe nga konsumatori dhe biznesi, treguesit e besimit të të cilëve vijojnë të jenë të ulëta", - tha ai. Pjesë e diskutimit të Fullanit ishte edhe zgjerimi i deficitit tregtar të vendit duke shënuar një rritje prej 20 për qind kundrejt një viti më pare. "E mbështes qeverinë në nismën e saj për formalizimin e
ekonomisë por mendoj se nuk mund të vazhdohet duke aplikuar sistemin e pagave dhe të çmimeve të referencës", - tha Preçi.