E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drafti për ndërtimoren, Rama i shkruan Topallit

Kryetari i Bashkisë, Edi Rama, përmes një letre dërguar kryeparlamentares, jep alarmin për antikushtetutshmërinë e draftit për inspektimin e ndërtimit

"Projektligji sjell një regres të dukshëm në ecurinë e reformës së decentralizimit dhe cenon parimin e autonomisë vendore"

TIRANË - Nën cilësinë e kryetarit të Bashkisë, Edi Rama, i ka dërguar dje Krye-parlamentares, Jozefina Topalli, një letër ku i kërkohet që Kuvendi të mos miratojë projektligjin për "Disa shtesa në ligjin për inspektimin e ndërtimit". Në letrën e bërë publike dje edhe për mediat, Rama jep alarmin për antikushtetutshmërinë e këtij dokumenti, papajtueshmërinë e tij me Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore, si dhe mospërputhjen flagrante me frymën e me përmbajtjen e Ligjit organik të pushtetit vendor. "Theksoj se ky projektligj prezanton dispozita, të cilat vijnë në kundërshtim të hapur jo vetëm me parimet kushtetuese të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, po edhe me vendime specifike të Gjykatës Kushtetuese, si dhe me raportet e komisioneve të organeve të Këshillit të Evropës, duke sjellë një regres të dukshëm në ecurinë e reformës së decentralizimit dhe cenuar parimin e autonomisë vendore", - thuhet në letrën e dërguar nga Rama. Më konkretisht, Kryetari i Bashkisë, Rama, sqaron se ky projektligj cenon parimet kushtetuese bazë, mbi të cilat ngrihet dhe funksionon qeverisja vendore. Sipas interpretimit specifik të Gjykatës Kushtetuese, Rama thekson se është gjykuar dhe është përcaktuar përfundimisht më parë nga ky organ që kompetenca e kontrollit mbi territorin është kompetencë plotësisht vendore. "Duke i dhënë Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit atribute vendore dhe duke krijuar premisa të hapura për konflikt kompetencash dhe pasiguri të qytetarëve në zbatimin e normës juridike, ky projekt është jo vetëm antikushtetues e antidemokratik në frymë, por edhe kërcënim i hapur për "ligjërimin" e arbitraritetit e abuzimit të pushtetit për qëllime mirëfilli jokushtetuese e joligjore. Në të shkuarën jo shumë të largët, jurisprudenca kushtetuese shqiptare përjetoi saktësisht të njëjtin konflikt kompetencash midis qendrorit dhe vendorit, kur aso kohe Policia e Ndërtimit, një organ qendror (sot Inspektori i Ndërtimit, përsëri qendror) bëri prishjen e një vepre publike vendore në kryeqytet, të cilën ju me siguri e kujtoni: nënkalimin e Zogut të Zi. Të gjitha gjykatat e Republikës së Shqipërisë e gjykuan atë çështje në favor të pushtetit vendor, duke konsideruar në kundërshtim me ligjin veprimet dhe aktet e ndërmarra nga pushteti qendror", - shkruan Rama në letër. E njëjta situatë, sipas tij, po përsëritet në mënyrë identike tashmë mbas 3 vjetësh, në fund të vitit 2009, me këtë projektligj që i jep inspektoratit qendror një pushtet që Kushtetuta dhe për më tepër akoma në mënyrë të shprehur organi që e interpreton dhe garanton zbatimin e saj, Gjykata Kushtetuese, ja njeh si ekskluzivitet njësive të qeverisjes vendore.
Rama shpjegon, gjithashtu, se projektligji cenon parimin e ndarjes së pushteteve, pasi drafti në fjalë krijon kapërcime të kompetencave të pushtetit gjyqësor në favor të atij ekzekutiv. Drafti parashikon të drejta të ekzekutimit të vendimeve pa marrë parasysh procesin e rregullt ligjor/gjyqësor. "Ndërkohë që edhe çështja e kontrollit të ligjshmërisë së akteve vendore në fushën e zhvillimit dhe kontrollit urban dhe ajo e të drejtave të pronësisë janë haptazi kompetenca të pushtetit gjyqësor, ku çdo shtetasi i ka dhënë Kushtetuta të drejtën e procesit të të provuarit të interesit të tij të ligjshëm përpara se një vendim shtetëror të ekzekutohet. Sipas këtij ligji, në mënyrë të njëanshme nëse ky inspektorat "gjykon" se nuk ka ligjshmëri, vendimet ekzekutohen pavarësisht nga gjyqësori", - thuhet në letër. Për këto arsye, Rama i ka kërkuar Topallit që Kuvendi të mos e miratojë këtë projekt, pasi bie në kundërshtim me Kushtetutën, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, Kartën e Autonomisë Vendore dhe Rekomandimet e Kongresit të Këshillit të Evropës, si dhe me vetë Ligjin Organik të Pushtetit Vendor. Një kopje e letrës i është dërguar dje edhe Këshillit të Ministrave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›