E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salafistët alarmojnë autoritetet gjermane

Një grup salafistësh islamikë radikalë planifikon të shpërndajë falas 25 milionë ekzemplarë Kurani në Gjermani. Aksioni është paralajmëruar për këtë fundjavë në rreth 40 qytete.

"Vetëkuptohet që nuk kemi asgjë kundër Kuranit", theksojnë në Entin Federal për Mbrojtjen e Kushtetutës. Mirëpo, personat që shpërndajnë falas të interesuarve në zonat e këmbësorëve librin e shenjtë të fesë myslimane, janë nën vëzhgimin e rreptë të organeve gjermane të sigurisë.

Konkretisht, po mbikëqyret organizata "Besimi i vërtetë", e cila është pjesë e salafistëve. Grupi përreth predikuesit nga Këlni, Ibrahim Abu-Nagie, ka porositur e shtypur në një shtypshkronjë gjermane 300 mijë ekzemplarë të Kurani në gjuhën gjermane.

Paralajmërimin se do të shpërndahen miliona ekzemplarë të Kuranit, Rauf Ceylan, sociolog universitar i fesë, e konsideron megjithatë vetëm mjet propagandistik: "Grupimi kërkon vetëm të tërheqë vëmendje dhe të krijojë kështu kontakte të reja", është vlerësimi i Ceylanit.

Pikërisht ky zell po i tremb autoritetet e sigurisë. Ato druajnë se para së gjithash të rinjtë mund të jenë cak rekrutimi i predikuesve radikalë të urrejtjes.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›