E Shtunë, 31 Tetor 2026

Armëpushim i brishtë në Siri

Armëpushimi i brishtë në Siri ka hyrë në ditën e tretë, ndërsa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të votojë rezolutën, e cila autorizon vendosjen e vëzhguesve në shtetin sirian, për të monitoruar zbatimin e planit për paqe.

Anëtarët e Këshillit janë takuar prapa dyerve të mbyllura për disa orë të premten, për të diskutuar draftet e Shteteve të Bashkuara, të aleatëve të tyre evropianë dhe të Rusisë.

Ahmad Favzi, zëdhënës i të dërguarit ndërkombëtar për Sirinë, Kofi Annan, u ka thënë gazetarëve në Gjenevë se ekipi prej 10-12 vëzhguesish është duke qëndruar në gjendje gatishmërie.

Megjithatë, aktivistët njoftuan se forcat siriane të sigurisë kanë bombarduar dy bastione të kryengritësve në qytetin Homs.

Asnjë viktimë nuk u raportua në këto bombardime në lagjet Jourat al-Chayah dhe al-Qarabis, theksoi Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH).

Në muajt e mëparshëm të armëpushimit, Homsi, qyteti i tretë i vendit u bombardua dhunshëm, veçanërisht në lagjen simbol të Baba Amr, ku ishin vendosur kryengritësit dhe që u rimor nga ushtria më 1 mars.

Protestat antiqeveritare dhe dhuna në Siri kanë nisur qysh në mars të vitit të kaluar. Kombet e Bashkuara thonë se mbi 9 mijë persona, shumica nga ta civilë, kanë humbur jetën në trazira.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›