Skandali në SHBA, largohen nga detyra tre agjentë

Ndihmës drejtori i Shërbimit të Fshhetë, Poul Morrisej tha se një nga personat po pensionohet, tjetri do të japë dorëheqjen dhe i treti do të shkarkohet.
Asnjë nga agjentët nuk është identifikuar dhe tetë të tjerët mbesin të liruar nga detyra deri në hetimet e mëtejme.
Njëmbëdhjetë anëtarë të Shërbimit të Fshehtë të Obamës thuhet se janë shoqëruar me rreth 20 prostituta në një hotel në Kartagjenë të Kolumbisë, derisa po përgatitnin vizitën e Obamës në samitin e Amerikave.
Të paktën 10 pjesëtarë të Ushtrisë së SHBA-së po hetohen në lidhje me incidentin.
Obama ka urdhëruar një hetim të plotë për skandalin dhe zyrtarët amerikanë në Kartagjenë po përpiqen të intervistojnë femrat në lidhje me incidentin.
“Nëse del se disa nga pretendimet që janë bërë në shtyp, konfirmohen, atëherë natyrisht se do të zemërohem”, ka thënë Obama.
Mediat amerikane kanë cituar dëshmitarët të kenë thënë se agjentët ishin dehur rëndë dhe merrnin pjesë në një klub striptizi.
Raportohet se në ndejë mund të jetë përdorur edhe kokaina. Raportet tjera thonë se agjentët iu kanë folur femrave në lidhje me punën e tyre në mbrojtjen e presidentit.
Reagimet në SHBA kanë qenë të shpejta, me opinionin e liderëve që kanë thënë se në rastin më të mirë, incidenti turpëron shumë vendin, ndërsa në atë më të keqin, ekziston rrezik potencial që ndonjë nga gratë të ketë qenë e përfshirë nga ana e armiqve të SHBA-së.
Kreu i shtatmadhorisë së ushtrisë amerikane, gjenerali Martin Dempsej ka shprehur zhgënjimin e tij.
“Ne e vumë shefin poshtë, sepse askush nuk po flet se çka ndodhi në Kolumbi, përveç këtij incidenti”, tha Dempsej.
Anëtarët e Kongresit të alarmuar nga sjellja skandaloze e agjentëve- oficerë elitarë të trajnuar për të paraparë dhe eliminuar çdo kërcënim për presidentin amerikan brenda dhe jashtë vendit- janë zotuar se do të mbajnë një seancë dëgjimore për incidentin, që ka komprometuar sigurinë kombëtare.
Shërbimi i Fshehtë ka këmbëngulur se siguria e Obamës nuk është rrezikuar nga incidenti, i cili ndodhi para vizitës së 13 prillit të presidentit në Kolumbi.(REL)