E Diel, 1 Nëntor 2026

Sali Berisha: Rama do të përballet me protesta nga Saranda në Tropojë! Me porosi, policia sulmoi sot selinë e PD me gaz lotsjellës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar policinë se ka hedhur sasi të mëdha gazi lotsjellës në drejtim të selisë së Partisë Demokratike, pa pasur, sipas tij, asnjë provokim apo incident që ta justifikonte një veprim të tillë.

sali berisha

Ai paralajmëroi kryeministrin Edi Rama se, sipas tij, personat që japin urdhra dhe ata që i zbatojnë do të mbajnë përgjegjësi për veprimet ndaj protestuesve dhe selisë së PD-së.

“Policia po realizon në mënyrën më hakmarrëse, më të turpshme, më kriminale, dhunon territorin e Partisë Demokratike në shkelje të rëndë të ligjeve dhe Kushtetutës. Jo vetëm që hedhin sasi të mëdha bombash gazi pa pasur asnjë motiv, vetëm për reprezalje ndaj Partisë Demokratike. Sasitë e gazit kanë qenë kolosale. Nuk ka pasur asnjë tentativë, asnjë përpjekje nga asnjë protestues që të kryejë aktin më të vogël ndaj kësaj selie. Në këtë kuadër, paralajmëroj Edi Ramën se, me skenarë të tillë, puthadorët, ne i kemi paralajmëruar dhe prapë i paralajmëroj se do të mbahen personalisht përgjegjës si manipulues të shpifur në duart e Edi Ramës, që bëjnë gjithçka kundër protestuesve. Paralajmëroj Edi Ramën se demokratët janë në këmbë më shumë se kurrë, nga Saranda në Tropojë. Në këto katër anë të vendit, regjimi nuk ka më paqe dhe qetësi”,- tha Berisha.

Dy autoambulanca mbërritën në oborrin e selisë së Partisë Demokratike, ku sipas gazetares Klodjana Lala, u strehuan disa protestues që janë ndier keq pas ekspozimit ndaj gazit lotsjellës të përdorur nga policia gjatë protestës në kryeqytet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›