E Diel, 1 Nëntor 2026

Sali: Qeveria do të zbatojë praktikat më të mira për zhvillimin e biznesit”

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një bashkëbisedim me përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe të biznesit vendas e të huaj, në një nga seksionet e konferencës ekonomike me temë “Tryeza e Tretë e Rrumbullakët me Qeverinë e Shqipërisë. Për investime të frytshme”, e organizuar në Tiranë nga grupi prestigjioz “The Economist”. Kjo konferencë zhvillohet për të tretin vit radhazi në Shqipëri dhe ka si qëllim shkëmbimin e ideve për zhvillimin e biznesit. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha bëri një ekspoze të zhvillimeve ekonomike në Shqipëri dhe të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare në kuadër të krijimit të një klime sa më të favorshme për biznesin. “Ekonomia shqiptare është dinamike dhe shumë entuziaste. Rritja ekonomike gjatë këtij 6-mujori ka qenë dy shifrore, me 11 për qind. Eksportet, prodhimet ‘Made in Albania’, janë rritur me 32 për qind. Numri i turistëve këtë vit ka arritur në 2 milionë, ndërkohë që në vitin 2004 numri i turistëve ishte 200 mijë. Inflacioni është mbajtur në nivelin 2.7 për qind. Ka një rritje të madhe të investimeve të huaja në vendin tim”, u shpreh Kryeministri, ndërsa shtoi se “qeveria ime është e vendosur që të bëjë të vetat praktikat më të mira lidhur me klimën e biznesit”. Kryeministri Berisha theksoi gjithashtu se kontributi kryesor i qeverisë është të luftojë korrupsionin. “Lufta kundër korrupsionit është shumë më e rëndësishme sesa çështje të tjera. Ne do të bëjmë çdo gjë në këtë aspekt”, vijoi kryeministri. Më tej, kreu i qeverisë Berisha theksoi se Shqipëria është vërtet një vend i vogël, por ka potenciale të mëdha për t’u shfrytëzuar. Në vijim, Berisha dhe të pranishmit në këtë konferencë diskutuan për çështje të ndryshme lidhur me zhvillimin e ekonomisë në Shqipëri, si dhe për fushat ku investitorët janë të interesuar të zhvillojnë biznesin e tyre. Drejtori Ekzekutiv i Raiffeisen Bank për Shqipërinë, Oliver Whittle, vlerësoi se ekonomia shqiptare ka ecur dhe është pozicionuar shumë mirë brenda një kohe të shkurtër. Whittle u shpreh gjithashtu se niveli i ulët i inflacionit është inkurajues për sektorin privat në Shqipëri. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›