E Diel, 1 Nëntor 2026

Lohan: Përgëzime Ministrit Alibeaj, për angazhimin e tij në përmirësimin e sistemit ët drejtësisë

Ambasadori Helmuth Lohan, Shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, vlerëson punën e Ministrit shqiptar të Drejtësisë

Ambasadori Helmuth Lohan, Shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë gjatë prezantimit përgëzoi dje Ministrin e Drejtësisë Enkelejd Alibeaj për angazhimin e tij në përmirësimin e sistemit të drejtësisë në vend.
“Jam i kënaqur që fal asistencës tonë ju keni arritur të ndryshoni legjislacionin vendas. Përgëzoj Ministrin Alibeaj, i cili është i angazhuar për përmirësimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, por ky produkt varet nga të gjithë komponentët. Ne po japim një asistencë gjithëpërfshirëse në sistemin e drejtësisë për ato që ju mund të bëni në një reformë gjithëpërfshirëse”, tha Ambasadori Lohan.
“Vendimet e gjykatave do të jenë të paanshme e transparente dhe vendimet e gjykatave do të zbatohen efektivisht. Jam i kënaqur që me asistencën që ju kemi dhënë keni arritur t’ia dilni mbanë. Ne po ju japim asistencë gjithëpërfshirëse , për atë që ju mund të bëni në një reformë gjithëpërfshirëse në sistemin e drejtësisë”, u shpreh midis të tjerave Ambasadori Lohan.
Vlerësimin e tij për Ministrin Alibeaj, Shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë e bëri gjatë prezantimit të projekti të binjakëzimit të financuar nga BE-ja, projektet i cili rekomandon specializimin e gjykatësve dhe gjykatave që merren me të drejtën tregtare.
Nga ana e tij, Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, u shpreh i gatshëm dhe i vendosur për të vazhduar reformën në drejtësi, si edhe për të mirëpritur çdo rekomandim për sa i përket përmirësimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Lohan
Duke shprehur garancinë se “Ndryshimet ligjore do të përafrojnë legjislacionin shqiptar me atë të BE-së”, Ambasadori Lohan vlerësoi edhe rëndësinë e mjedisit e të biznesit, si dhe sistemin gjyqësor, për pjesën e çështjeve tregtare.
“Mjedisi i biznesit është faktor kryesor që ndikon në zhvillimin ekonomik të vendit. Funksionimi i sistemit gjyqësor në çështjet tregtare është element i rëndësishëm , që ndihmon klimën e biznesit dhe opoeratortë ekonomikë. Mirëfunksionimi i sistemit gjyqësor në çështjet tregtare do të japë siguri ligjore dhe proceset gjyqësore do të jenë efektive”, u shpreh Lohan.
“Përmirësimi i punës së gjyqësorit mbi çështjet tregtare do të sjellë rritjen e besimit të publikut dhe komunitetit të biznesit. Do të ndikojë pozitivisht zhvillimin e sektorit privat, dhe veçanërisht atë të investimeve të huaja, pasi investitorët do të mbështeten mbi aplikimin e duhur të ligjit dhe një shkallë parashikueshmërie në bizneset e tyre”, tha më tej Ambasadori Helmuth Lohan, në fjalën e tij.

Alibeaj
Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, është shprehur dje sërish i vendosur për vazhdimin e reformës në drejëtsi.
Ai ka ripërsëritur qëndrimin se institucionet e drejtësisë duhet të jenë të pavarura dhe jashtë ndikimeve nga politika, ndërsa ka sqaruar se projektligjet janë konsultuar gjerësisht me aktorët deh të interesuarit.
“Projektligjet e hartuara për reformën në drejtësi do të mbeten pa ndryshime, pasi për to ka pasur konsultim të gjerë”, tha Alibeaj.
Sipas tij, një reformë e suksesshme, si ajo që po ndërmerret në sistemin tonë të drejtësisë ka kosto dhe sakrifica, që duhet të mbahen nga institucione të ndryshme.
Nga ana tjetër, Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj u deklarua i gatshëm për të mirëpritur çdo rekomandim për projektin e sistemit gjyqësor për çështjet tregtare.
“Ne i mirëpresim të gjitha rekomandimet e projektit për sistemin gjyqësor për çështjet tregtare në Shqipëri dhe do të bëjmë çdo përpjekje për të zbatuar çdo gjë brenda kompetencave të Ministrisë së Drejtësisë në një kohë sa më të shkurtër”, deklaroi Alibeaj.

Projekti
Në Ministrinë e Drejtësisë, u prezantua dje projekti i binjakëzimit i financuar nga BE-ja rekomandon specializimin e gjykatësve dhe gjykatave që merren me të drejtën tregtare.
Mësohet se ekspertë që punojnë në kuadër të projektit të binjakëzimit të financuar nga BE-ja “Përmirësimi i Sistemit Gjyqësor për Çështjet Tregtare” kanë nxjerrë rekomandime për të përmirësuar administrimin e drejtësisë tregtare në Shqipëri. Rekomandimet përfshijnë: përshtatjen e Kodit Civil shqiptar në përputhje me rregullat e BE-së në lidhje me agjentet tregtare, pagesat me vonesë dhe mbrojtjen e konsumatorit; përmirësimin e specializimit të gjykatësve në çështjet tregtare nëpërmjet reduktimit të lëvizshmërisë së gjykatësve të specializuar në gjykatat tregtare; përqendrimin e çështjeve tregtare në më pak gjykata rrethesh për të rritur efiçencën, dhe; monitorimin e kohëzgjatjes së zhvillimeve të gjyqeve
Këto, si edhe rekomandime të tjera për përafrimin e ligjit shqiptar tregtar me standardet e BE-së u prezantuan dje nga ekspertët e projektit dhe Ministria e Drejtësisë.
Gjithashtu, projekti ka nxjerrë një plan veprimi reforme legjislative për përmirësimin dhe harmonizimin e kuadrit të tanishëm ligjor dhe institucional për të drejtën tregtare, si edhe një manual për ligjin e ri të kompanive.
Projekti i Binjakëzimit prej 1 milion euro “Përmirësimi i Sistemit Gjyqësor për Çështjet Tregtare” filloi në Tetor 2007 dhe do të mbarojë në Mars 2009. Ai po zbatohet nga ministritë shqiptare dhe austriake të drejtësisë.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›