Salihi-Berisha-Basha garantojnë fitoren
Trioja që përbën boshtin e ekipit kombëtar të futbollit triumfoi mbrëmë në Oslo, përballë mosbesimit të opinionit publik dhe temperaturave të ulëta, duke garantuar një fitore të merituar, të cilën e vlerësuan edhe mediat ndërkombëtare. Norvegjia u tregua e pafuqishme përballë regjisë së Bashës, ekzekutimit të Salihit dhe garantimit të fitores, prej portierit Berisha
Deklarata e kryeministrit: “Fitore dinjitoze që zbukuroi kaq shumë ditën tonë të parë të demokracisë”
Fitorja e ekipit përfaqësues të Shqipërisë në futboll ndaj Norvegjisë mbrëmë, si dhe paraqitja e shkëlqyer e treshes së këtij ekipi, Salihi-Berisha-Basha, përveçse tre pikëve shumë të vlefshme si dhe ngjitjen në vendin e dytë (së bashku me Islandën), kanë shtuar shpresat për kualifikimin e ekipit tonë, në Botërorin “Brazil 2014”.
Pas një loje të shkëlqyer të kuqezinjve tanë të cilët nën drejtimin e trajnerit De Biasi, që u orientua në mënyre perfekte nga ana tekniko-taktike, erdhi fitorja historike pas gati 20 vjetësh. Për pasojë, Kombëtarja e Shqipërisë e futbollit fitoi mbrëmë 1 - 0 ndaj Norvegjisë, në ndeshjen e zhvilluar në Oslo, stadiumin “Ulleval Stadiom”, e vlefshme për turin e 5-të të grupit “E”, sa i takon kualifikimit në Botërorin “Brazil 2014”.
Pjesa e parë kishte një interpretim virtuoz të lojtarëve tanë të cilët manifestuan dëshirë, forcë dhe profesionalizëm të vërtetë. Ajo u mbyll në barazimin pa gola 0-0 me një rast të pastër për mesfushorin Migjen Basha i cili luajti ndeshjen e parë me fanellën e Shqipërisë.
Në pjesën e dytë gjithçka kulmoi në minutën e 67 kur sulmuesi bomber i Shqipërisë, Hamdi Salihi realizoi një eurogol të shkëlqyer, duke shtangur në portë numrin 1 të skuadrës vikinge. Këtë e arriti pas një pasimi perfekt prej Ervin Bulku, nga një goditje nga ndërprerja. Pas këtij goli ekipi kuqezi është kërcënuar nga norvegjezët në minutën e 74, por portieri Etrit Berisha evitoi një gol të sigurt.
Në minutën e 88 Shqipëria ka mbetur pa një lojtar në fushë, pasi Andi Lila u ndëshkua me karton të kuq. Vetëm dy minuta më vonë norvegjezët kanë pasur rast ta barazojnë rezultatin por sërish portieri Berisha nuk e lejoi topi të përfundoj në rrjetë.
Ndeshja e mbrëmshme u luajt në një temperaturë -10 gradë celsius, ndaj De Biasi paraqiti në fushë një Shqipëri me muskuj. Formacioni ishte ai që trajneri kishte provuar edhe gjatë përgatitjeve në Durrës. Risia ishte Basha në mesfushë. Kosovari e nis si titullar, ndërkohë që u rikthye të luajë nga minuta e parë edhe Dallku. Me përfshirjen e këtij të fundit në formacion, Lila u spostua në mesfushë.
Kjo fitore e ngjit përfaqësuesen tonë në kuotën e 9 pikëve, po aq sa edhe Islanda që dje, fitoi takimin e saj të radhës ndaj Sllovenisë, ndërsa sot pritet të zhvillohet dhe sfida e fundit e vlefshme për grupin “E”, ajo mes Qipros dhe Zvicrës, në fushën e ekipit qipriot.
Pas dy takimeve të zhvilluara dje në grupin “E” vijon të udhëheq Zvicra me 10 pikë. Në vendin e dytë ngjitet skuadra jonë kombëtare me 9 pikë, po aq sa edhe Islanda. Në vendin e katërt zbret Norvegjia e cila ka 7 pikë, ndërsa në dy vendet e fundit janë Sllovenia dhe Qipro, përkatësisht në kuotën e 3 pikëve.
Ballafaqimi i mbrëmshëm ishte i treti mes këtyre dy skuadrave, teksa i pari daton më 14 tetor 1998 dhe përfundoi në barazimin 2 - 2. Shqipëria e drejtuar nga Astrit Hafizi luante në transfertë dhe udhëhiqte 2 - 0 deri 9 minuta nga mbarimi i kohës së rregullt, me golat e bukur të Bushit dhe të Tares, por më pas vendasit arritën të barazonin “in extremis” me golat e Rekdal 81’ dhe Berg 87’. Sfida e kthimit u luajt më 5 qershor 1999 në Tiranë dhe foli për norvegjezët në aspektin rezultativ, sepse fituan me shifrat 2-1. Goli i kuqezinjve mban firmën e Igli Tares, ndërsa për miqtë do të shënonin Iversen 3’ dhe Tore A. Flo 83’.
Skeda e ndeshjes
NORVEGJI-SHQIPERI 0-1
Golat: Salihi 67’
NORVEGJIA: R. Jarstein, Høgli, Forren, Hangeland, J. Riise, Søderlund (V. Berisha 74’), M. Henriksen, Nordtveit, R. Jenssen, Elyounoussi (King 62’), Moa.
Trajner: E. Olsen
SHQIPËRIA: E. Berisha, Dallku (Hysaj 80’), Cana, Mavraj, Agolli, A. Lila, E. Bulku, Basha, Roshi, Salihi, Cani (Bogdani 75’).
Trajner: De Biasi
Gjyqtarë: Kevin Blom, Rob Van De Ven, Dave Goossens (Hollandë)
Kartonë të verdhë: Forren 53’, Roshi 43’, Cana 77’, Lila 85’, Agolli 90+3’
Karton i kuq: Lila 88’.