E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihi: “Fitojmë 2-0 e marrim hak”



“Shpresoj të fitojmë 2-0 kundër Hungarisë për të marrë hak dhe për ndeshjen e parë të humbur po me këtë rezultat”. Sulmuesi më i mirë “legjionar” i momentit, Hamdi Salihi, (12 gola me SV Ried, 7 në kampionat e 5 në Kupën e Austrisë), deklaroi i bindur për mediat se Kombëtarja e Shqipërisë do të fitojë kundër Hungarisë vetëm në rast se nga lojtari i parë dhe deri te i fundit do të luftojnë si një grup i vetëm. “Besoj se si grup deri tani kemi marrë rezultatet më të mira. Shpresoj që dhe kundër Hungarisë ta arrijmë këtë gjë gjithmonë nëse grupi funksionon si një i tërë”.
Hamdi Salihi e ndoqi ndeshjen e humbur kundër Hungarisë në Budapest nga tribuna, pasi shkodrani ishte i dëmtuar në kavilje. Por sa të thyeshme e shikon ish-sulmuesi i Vllaznisë mbrojtjen hungareze. “Nuk mund të them se mbrojtja e Hungarisë është e thyeshme. Ashtu si ne, edhe ata forcën e tyre e bazojnë te grupi. Nëse do të jemi në ditë të mirë me repartin difensiv atë ditë kundër Hungarisë, sipas meje, kemi bërë shumë pak gabime.

Salihi pohoi se ai personalisht nuk kishte shumë njohuri për lojtarët hungarezë, sidomos për mbrojtësit e kundërshtarit. “Njoh (Lazslo) Bodnarin (Red Bull Salzburg). Është një mbrojtës i krahut të djathtë, lojtar potent. Bazohet më shumë te cilësitë fizike, pasi teknikisht nuk është mirë”.
25-vjeçari deklaroi se do të ishte më mirë që skuadra të luante me dy sulmues (ai e Berisha) sesa me një të vetëm në vijën e parë. “Është më mirë që një sulmues të ketë një partner në sulm. Pasi dhe përgjegjësia e lodhja do të shpërndahej te dy veta. Gjithsesi, këto janë zgjedhje të trajnerit”.
Në lidhje me numrin e pikëve që mund të grumbullojë ekipi Kombëtar në eliminatoret e Kampionatit Botëror (nga 10 ndeshje në total, 5 janë zhvilluar), Salihi tha: “Nuk mund të them sesa pikë mund të grumbullojmë. Me atë që kemi treguar deri tani (1 fitore, 3 barazime, 1 humbje) kemi dëshmuar oshilacione në lojën tonë. Nëse do të flisnim direkt pas ndeshjeve me Suedinë e Portugalinë, duke u bazuar te ato, mund të them se mund të shkonim edhe më shumë se 12 pikë. Tani është e vështirë për të thënë numra, pasi duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje.
Në kampionatin shqiptar me Vllazninë e Tiranën (golashënuesi më i mirë i sezonit 2005-2006) dhe në kampionatin austriak me SV Ried, Salihi është një golashënues i rregullt. Me Kombëtaren shqiptare, në 10 ndeshje, Salihi ka shënuar vetëm një gol (në miqësoren e fituar 3-0 kundër Maltës).
“Janë lënë jashtë dy lojtarë si Bogdani e Kapllani, që kanë mbajtur peshën e sulmit në këto vitet e fundit. Prandaj ne që jemi thirrur duhet ta justifikojmë këtë. A do të jem unë golashënuesi më i mirë i Kombëtares në të ardhmen? Edhe sulmuesit e tjerë që janë thirrur para meje nuk është se kanë shënuar shumë. Kombëtarja ka specifikë tjetër, nuk është e lehtë të bëhesh golashënuesi i Kombëtares. Mesa di unë, edhe golashënuesi më i mirë i historisë (Alban Bushi) ka shënuar 16-17 gola (në fakt, 14). Shpresoj që atë formë të mirë që po kaloj në klub ta paraqes edhe në Kombëtare”.
Duke folur për aktivizimet e pakta me Kombëtaren, Salihi tha: “Normalisht përderisa nuk jam aktivizuar shumë, patjetër që trajneri (Han) e ka pasur një justifikim. Ky është parapëlqimi i trajnerit. Është ai që mendon formacionin dhe mënyrën se si do t’i përgjigjet ekipit kundërshtar”.
Në grupin tonë (1) janë tre ekipe të mëdha, Portugalia, Suedia e Danimarka, por vetëm skuadra e parë kualifikohet direkt, ndërsa ekipi i renditur i dyti shkon në ndeshjet e play-ofit. “Është një dilemë e madhe në grupin tonë. Për mendimin tim, Danimarka ka bërë paraqitjen më të mirë deri tani. Nuk duhen nënvlerësuar Suedia e Portugalia, unë mendoj se midis këtyre dy të fundit do të vendoset vendi i parë në grup”.

25 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›