Stark: “Rudi Vata na dha info për Shqipërinë”
Trajneri i Skocisë U-21, Billi Stark, nisi të martën në Romë një stërvitje dyditore përpara se të niset drejt Elbasanit për ndeshjen e parë të përballjes së dyfishtë kundër Shqipërisë U-21 në harkun e pesë ditëve (28 mars në Elbasan e 1 prill në Falkirk) për fushatën kualifikuese të Euro 2011 për Shpresat.
“Është një gjë shumë tërheqëse për lojtarët, kur ata ballafaqohen në nivel ndërkombëtar, e këtu futet edhe udhëtimi”, - citohet nga uebsajti britanik “Sportinglife.com, ish-mesfushori i Aberdinit e Sëlltikut në kampionatin skocez. Gjithsesi, trajneri i Skocisë U-21 nuk e fsheh faktin se ai ka pasur mundësinë të konsultohet e të mbledhë informacione për Shqipërinë nga ish-shoku i tij i ekipit te Sëlltiku, Rudi Vata. Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, sipas Starkut, e ka ndihmuar atë të përgatisë dy ndeshjet kundër Shqipërisë, përfshirë edhe takimin e dytë në stadiumin e Falkirkut të mërkurën e ardhshme. “Ne do të donim të dinim më shumë për kundërshtarin. Rudi na ndihmoi disi, ai na dha disa gjëra, kështu që unë jam i lumtur me këtë gjë”, - tha trajneri i Skocisë U-21, Billi Stark. Sipas mediave britanike, Stark, ka dashur të krijojë një klimë të qetë në skuadrën e tij U-21, duke theksuar faktin se për ata, lojtarët, është më mirë të shijojnë eksperiencën e tyre të re sesa të kenë frikë nga një territor i paeksploruar. “Ata do të shohin vende të reja dhe do të mbledhin eksperienca të reja, të stërviten mirë dhe të luajnë mirë kur ndeshja do të vijë. Fakti është se ne do të ndalojmë në Romë për disa ditë. Do të udhëtojmë shumë pak (drejt Shqipërisë) dhe nuk ka dyshim se kjo do të na ndihmojë ne. Ju jeni gjithmonë të ngacmuar kur luani për vendin tuaj. Është një nder i madh. Është diçka që ju e provoni dhe ju bën përshtypje. Ata përfaqësojnë vendin dhe veten e tyre”.
25 Mars 2009