Salihi ‘KO’, Kapllani mbase Shqipëria e Kuzhe në alarm
Kuzhe e tha mjaft qartë në konferencën e para pak ditëve: “Është një nga ato ndeshje ku duhen marrë pikë dhe për të marrë pikë duhet shënuar.” Por Kuzhe është i detyruar që të ndryshojë planin e tij dhe të kënaqet qoftë edhe me një mbrojtje të fortë. Arsyeja? Salihi dhe Kapllani mund të mos aktivizohen në përballjen e Zenicës, pasi që të dy kanë dëmtime, i pari në pulpë dhe i dyti në kofshë. Në fakt, gjendja duket më e mirë për Kapllanin, që ka mundësi rikuperimi, ndërsa për Salihin, që çalonte dukshëm dje, gjasat janë thuajse zero, madje shkodrani mund të niset sot drejt Austrisë për ekzaminime më të detajuara. Gjithçka ndodhi në miqësoren e djeshme kundër Olimpikut (sa për kronikë kuqezinjtë fituan 7-0) ku sulmuesi i Rapidit të Vjenës ndjeu shqetësime serioze në pulpën e këmbës së djathtë dhe braktisi fushën e lojës pas vetëm 35 minutash lojë. Në fillim u mendua se shkodrani kishte vetëm një kontraktim, por sipas mjekut Ylli Mihali gjendja është me të vërtet alarmante. “Salihi ndien dhimbje në pulpën e këmbës së djathtë dhe mezi e vendos atë në tokë. Rikuperimi? Nuk besoj se do të jetë gati për ndeshjen me Bosnjën, pasi ky lloj dëmtimi kërkon më shumë kohë për t’u rikuperuar,” tregoi mjeku i ekipit kombëtar. Salihi mund të largohet nga grumbullimi i kombëtares për t’u kthyer në Austri, ku do të bëjë një diagnozë më të saktë për dëmtimin e tij. Veç Salihit, probleme ka edhe Kapllani që ndien dhimbje në kofshë, por sipas mjekut Mihali, sulmuesi durrsak ka shumë gjasa që të jetë, ndonëse gjendja e tij do të monitorohet me kujdes në ditët e ardhshme.
Tani mund ta themi me plot gojën se Kuzhe ka vërtet telashe. Nëse i është dashur ta përballojë rrugën e deritanishme të eliminatoreve me një mbrojtje të cunguar, në sfidën e Zenicës do t’i duhet t’i bëjë hesapet pa golashënuesin më të mirë legjionar që kombëtarja ka aktualisht. Salihi ka qenë vendimtar me golat e tij, që janë përkthyer në 6 pikë për Shqipërinë. Tani duket se shpresat e vetme të sulmit do të mbahen nga Erjon Bogdani, vetëm nëse Kuzhe nuk sajon ndonjë gjë tjetër për të befasuar kundërshtarin.
Grupi D
Rumani – Bosnjë X-X
Bjellorusi – Francë X-X
Renditja
Skuadra N F B H Gol P
Franca 5 4 0 1 8-1 12
Bjellorusia 5 2 2 1 3-1 8
Shqipëria 5 2 2 1 4-4 8
Bosnja 4 2 1 1 6-4 7
Rumania 5 1 2 2 5-6 5
Luksemburg 6 0 1 5 1-11 1
Ndeshjet e mbetura
7 qershor
Bjellorusi – Luksemburg
Bosnjë – Shqipëria
2 shtator
Luksemburg – Rumani
Bjellorusi – Bosnjë
Shqipëri – Francë
6 shtator
Rumani – Francë
Bosnjë – Bjellorusi
Luksemburg - Shqipëri
7 tetor
Rumani – Bjellorusi
Bosnjë – Luksemburg
Francë – Shqipëri
11 tetor
Shqipëria – Rumani
Francë – Bosnjë