E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Sony BRAVIA”, seria ekologjike e televizorëve



Për pranverën e këtij viti gjiganti i elektronikës “Sony” ka përgatitur një seri të re televizorësh nën emërtimin e njohur “BRAVIA”, e cila ofron deri në 30 për qind ulje të çmimeve, duke ruajtur të gjitha karakteristikat e teknologjisë më të lartë të pajisjes dhe kualitetin e fotografisë. Modelet e reja të “Sony BRAVIA” vijnë me shenjat WE5 dhe mund të përfitohen me ekrane të diagonales 40, respektivisht 46 inçësh. Dallimet themelore të modeleve të reja janë shpenzimi dukshëm më i ulët i energjisë, e cila është e plotësuar shtesë me mundësitë të cilat nuk janë pjesë e zakonshme e këtij lloji të pajisjeve. Teknologjia interesante “Presence Sensor” detekton nxehtësinë e trupit të personave në ambientin në të cilin gjendet. Kjo mundëson që kur personi para televizorit të largohet nga ambienti, televizori automatikisht “shuan” fotografinë, ndërsa zëri vazhdon të jetë në sfond. Të dyja modelet janë të pajisura me panelet Full HD 1080p LCD.

“Lenovo” dhe “BlackBerry” së bashku

Kompanitë “Lenovo” dhe “Research In Motion” kanë bërë të ditur se do të bashkëpunojnë në promovimin e zgjidhjeve të reja celulare nga Lenovo. Zgjidhjet do t’u vijnë në ndihmë përdoruesve, të cilët vazhdimisht janë në lëvizje me integrimin më të madh të pajisjeve të tyre “ThinkPad” dhe “BlackBerry”. Zgjidhja e parë nga “Lenovo” bart emrin “Constant Connect” dhe do të mundësojë pranimin e postës elektronike të afarizmit në “BlackBerry”-n e përdoruesit, e cila me anë të Bluetooth-it, në mënyrë automatike do të sinkronizohet me ThinkPad. Përveç shtimit të fleksibilitetit më të madh mund të zvogëlojë po ashtu nevojën për përdorimin e laptopit tek rrjetet Wi-Fi, të cilat paguhen. Pritet që “Lenovo Constant Connect” të jetë në dispozicion të kompanisë “Lenovo” dhe partnerëve të saj afaristë që në tremujorin e dytë të vitit 2009 në tregun e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e më vonë gjatë këtij viti edhe në tregjet e tjera në mbarë botën.

Çudi multimediale nga “Sony Ericsson”

Papritur, “Sony Ericsson”, në kongresin “Mobile World Congress” që është mbajtur në Barcelonë të Spanjës, ka prezantuar një celular me rezolucion prej 12.1 megapikselash. “Sony Ericsson Idou” është telefon “i mençur” (smartphone) me ekran të madh të ndjeshëm në prekje, me diagonale prej 3.5 inçësh dhe rezolucion 640 x 320 piksela, ndërsa nga ana e pasme e pajisjes gjendet fotoaparati me rezolucion 12.1 megapiksela. Ajo që vihet re te ky celular është sistemi operativ “Symbian” (ende nuk dihet se për cilin version bëhet fjalë), që përfundimisht është një plus i madh në krahasim me “Xperia”-n i cili është prezantuar kohë më parë. Detajet e tjera tani për tani nuk bëhen të ditura.

21 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›