E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihi beson: “Golin ndaj Maltës, ‘kopje’ Holandës”

Edhe ai si gjithë sulmuesit e tjerë të Kombëtares e ka një fiksim. Të luajë kundër Holandës e të shënojë kundër Van Der Sarit. Sulmuesi i nënkampionëve të Austrisë, SV Ried, realizoi golin e parë të tij me fanellën e Kombëtares shqiptare në takimin miqësore me Maltën, më 22 gusht 2007. "Gjahtari", pasi zëvendësoi Erion Bogdanin e dëmtuar në mesin e pjesës së parë, pas vetëm 12 minutash lojë shënoi duke u gjendur në kohën dhe vendin e duhur, teksa përfitoi nga një dalje e gabuar e portierit maltez, Mario Muskat. "Në vjen mirë që pas golave në nivelin e klubeve, erdhi edhe ai me Kombëtaren. Për të mos e komentuar më gjatë, e konsideroj si gol të parë, që shpresoj se do të shoqërohet me gola të tjerë. Gol kundër Holandës? Kur e bëri një mesfushor si Curri, pse mos e realizoj edhe unë". Me siguri edhe sulmuesi Salihi ka rënë "viktimë" e kësaj filozofie. "Disa minuta kundër Holandës? Ne të gjithë jemi grumbulluar për t'u stërvitur e luajtur, dhe jo për numër, dhe pa asnjë dyshim edhe unë do të doja të luaja", - thotë, Salihi, i gatshëm për të gjithë, për këdo që i kërkon ta intervistojë. Në Austri e di se ndiqet nga trajneri Baric dhe ndihmësi i tij, Kovacic. "Po është e vërtetë më kanë ndjekur, dhe kur nuk kanë qenë në stadium, i kanë ndjekur në televizion. Më kanë telefonuar të dy, si Baric dhe Kovacic, dhe më kanë përgëzuar për golat dhe lojën që kam zhvilluar. Më vjen mirë që janë interesuar për mua". Hamdi Salihi, opsioni i katërt në sulm në dispozicion të trajnerit Oto Baric, pas Erion Bogdanit, Edmond Kapllanit e Alban Bushit. Trajneri Kraft ka pohuar se kualifikimin për në turin e dytë të eliminator të Kupës UEFA ia dedikonte Salihit falë dy golave të tu, dhe sidmos ati të realizuar në Baku, në dy takimet me azerabajxhanasit e Nefktit.
"Kualifikimi ishte sukses për klubin duke marrë parasysh edhe faktin se Ried është një klub jo me histori të madhe. Nuk arritëm ta përsërisnim të njëjtin sukses për të kaluar në turin e tretë, por them se personalisht kam bërë dicka të suksesshme dhe se i kam merituar edhe vlerësimet e trajnerit dhe drejtuesve të klubit, aq më tepër që në ndeshjen e kthimit, ku humbëm 2-1, u futa në lojë thuajse i dëmtuar". Ish-sulmuesi i Tiranës nuk e fsheh se përcaktimi i bëri nga trajneri Oto Baric, si "Gerd Myleri i Shqipërisë" e josh jo pak. "Eh, ma përmendin dhe shokët në Austri kur shënoj, - buzëqesh ai, - por, sigurisht që është edhe pak e tepruar". Në testin e zhvilluar ditën e enjte në stadiumin "Selman Stërmasi" me përfaqësuesen U-19 të fituar 8-0 nga Kombëtarja, shkodrani shënoi golin e tetë, atë që mbylli dhe takimin. Katër gola më nënkapionët e Austrisë e ngrohin. "Për një sulmues nuk janë kurrë shumë, por si fillim janë të mjaftueshëm. Por, duke parë edhe faktin se kam qenë i dëmtuar e kam munguar në katër ndeshje, kam përjetuar edhe momente mërzie, pasi nuk po arrija të stërvitesha dhe të luaja. Por, me golat kalohet gjithcka e të duket se nuk je dëmtuar kurrë", - përfundon Salihi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›